Ramiz Kelmendi: Ulqini vendlindja ime letrare

November 14, 2009   | Kulturë / Kultura

Ramiz Kelmendi_UlqiniKa një diç të veçantë kjo puna e vendlindjes sime. Pejanët, aty ku u linda vërtet dhe saktësisht më 20 dhjetor 1930, gjithmonë
e jetës – për këto gati-gati 79 kokrra vjet të jetës sime! –  as më kanë pranuar dhe as më kanë njohur ndonjëherë si – pejan. Si qytetar i Pejës. Jo. Atë ditë e sot, për bashkëqytetarët e vendlindjes sime, për Pejën dhe pejanët, unë edhe kam qenë, edhe kam mbetur, edhe do të vdes – rugovas. Rugovan. Apo, ca dhe më pezhorativisht – “rugovc”! Edhe pse pothuajse gjithë ç’shkrova, në një mënyrë a në një tjetër, frymëzimin dhe burimin e ka mu në Pejë. Kurrë dhe asnjëherë vendlindja ime, Peja, nuk e ka shënuar (të paktën) një përvjetor timin – as të dyzetin, as të pesëdhjetin, as të gjashtëdhjetin, as të shtatëdhjetin. Pa le pastaj, qoftë larg, gjë më shumë.
Kështu ishte dhe kështu mbeti.
Po ama, do ti, Rugova, vendlindja e prindërve të mi, e babait nga Drelajt dhe e nënës nga Haxhajt, edhe pse pikërisht Rugovës ia kushtova – për mendimin tim! – vëllimin më të mirë me tregime (“Ahmet Koshutani”), më të parin roman timin (“Heshtja e armëve”) dhe radio-dramën time të parë, që u emetua vite me radhë në Radio (“Kur kositen livadhet”), edhe ata, atë ditë e sot, nuk më konsiderojnë dhe as më mbajnë – rugovas.
Kur u sajua, pa le se nga kush, lista e jo më pak se 550 (pesëqind e pesëdhjetë!) intelektualëve rugovas, emri im nuk figuronte në atë listë. As u ftova dhe as u denjova të marr pjesë në ndonjë “kuvend” të tyre! Përse?! Sepse unë nuk isha – rugovas! Sepse unë isha i lindur në  – Pejë!
Sot, tek po mbush mbi 60 vjet jetë në Prishtinë (gjashtë dekada jetë, heuuu!), asnjeri dhe asnjëherë – as në Prishtinë, as në Pejë, as në Rugovë – nuk më ka quajtur prishtinas a “prishtinali”. Jo. Kurrë. Gjithmonë, për prishtinasit, unë kam qenë dhe kam mbetur – pejan.
Me fjalë të tjera, kjo i bie disi – siç do të thoshte im bir, Migjeni – se unë, në të vërtetë, për gjithë këto mote, s’paskam qenë tjetër pos – apatrid! Njeri pa atdhe. Njeri pa – vendlindje.
E bëra këtë “hyrje në temë”, pak për gaz e më shumë për dhunë, që t’i gjegjem ftesës aq këmbëngulëse dhe prej shumë kohësh të mikut dhe kolegut tim të penës, Hajro Ulqinakut, një ulqinaku që s’e pati këtë fatin tim ”të keq”. Jo. Ai mbajti mbiemrin me emrin e vendit. U mbiquajt Ulqinaku. Hajro Ulqinaku. Si të më quanin edhe mua Peja a Pejani. Ramiz Peja a Ramiz Pejani.
Synimi i këtyre rreshtave, ndërkaq, është tjetër. Aspak i paqëllimtë. Dhe fare pa gaz a sarkazëm.
Për herë të parë, kështu e në këtë mënyrë, mu në të perënduar të jetës sime, botërisht e publikisht deklaroj se:
Ramiz KelmendiUnë, Ramiz Kelmendi, një apatrid as pejan, as rugovas, as prishtinas, kam (sidoqoftë) edhe një – vendlindje. Të pakontestueshme. Të mirëfilltë. Të vërtetë. Një vendlindje, që e kam dhe e mbaj për mburrje e rrahagjoks.
Kam vendlindjen time – letrare.
Vendlindja ime letrare, në plotkuptimin e fjalës, është – ULQINI!
Ky qytet, që – në atë vitin e largët 1953, kur, si student i Albanologjisë në Beograd – e vizitova së pari, mua, këtij pejani “rugovc”, që s’kisha parë kurrë det me sy, m’u duk qytet-ëndërr, qytet përrallor.
Ky qytet yni aq i bukur dhe një dashuri rinore, skofiare, tërësisht platonike, me një ulqinake sa të këndshme aq edhe të mençur (unë, asokohe, isha 23 vjeç!) më krijuan këtë vendlindje të re.
Frymëzuar nga Ulqini dhe nga kjo vashëz ulqinake, me shumë droe e pasiguri, me shifër dhe në konkursin për tregime të “Rilindjes”, shkrova tregimin tim të parë në jetë, një tregim me motiv nga Ulqini: “BARKA E PESHKATARIT”.
Shkrova paskëtaj edhe novelën e parë në jetën time, po ashtu me motiv nga Ulqini: “NJË MË PAK”.
Por, më të madhin borxhli më ka Ulqini mua, kur aq i merituari dhe i paharruari poeti Esad Mekuli, më botoi librin mbase më kurajoz për kohën, satirën aq akuzuese kundër sistemit dhe politikës antishqiptare të asaj kohe – “LETRA NGA ULQINI”, me të folme ulqinak(ç)e.
E kam, prandaj, për nder të më quajnë (edhe) ulqinak. Se vetëm Ulqini, kjo perlë e bregdetit shqiptar, më çeli – përkrah gazetarisë – rrugën e letrave shqiptare.
Më bëri edhe – letrar…

Kosova Sot

YouTube Preview Image
3