Intervistë me këngëtaren Hana Cakuli

November 25, 2009   | Lajmet / Vijesti

Hana CakuliHana e Ulqinit ‘shndrit’ trojet shqiptare

“Bota Sot”: Cila është kënga që i ka dhënë emër Hanës dhe çka paraqet ajo për të?
Hana Cakuli: Kënga e parë e cila më ka dhënë emër është “U shërova”. Ajo paraqet për mua një melodi shumë të bukur (për çka edhe është vlerësuar në “Kënga Magjike 2007”), një eksperiencë shumë të bukur në bashkëpunimin me Armend Rexhepagiqin, Aida Barakun dhe Florent Boshnjakun. Gjithashtu ja vlen të përmendet edhe që gjithmonë më jep një emocion të këndshëm kur e dëgjoj.

“Bota Sot”: Sa jeni e kënaqur me publikun?

Hana Cakuli: Jam shumë e kënaqur. Në fillim isha skeptike se a do të pëlqehem nga publiku me këngët që kam, përderisa nuk janë shumë komerciale. Por unë i falënderoj të gjithë dëgjuesit e mi që janë aty për mua dhe më përkrahin, e i dëgjojnë këngët e mia.

“Bota Sot”: Çfarë mendon se të bën të suksesshme dhe të pëlqyer për publikun?

Hana Cakuli: Jo vetëm mua, por besoj, se secilin njeri të qenurit vetvetja e benë të suksesshëm/suksesshme. D.m.th. kjo është ajo që më ndihmon të arrij suksesin e dëshiruar, duke qenë vetvetja dhe duke bërë gjithmonë atë që më pëlqen mua dhe më bën të ndihem mirë.

“Bota Sot”: A ju ka shtyrë ndokush që të merreni me këtë profesion, apo ishte vetëm dëshirë e juaja?

Hana Cakuli: Dëshira ishte padyshim e imja. Kurse nga të tjerët pata vetëm mbështetje. Profesorët e ndryshëm të muzikës kanë qenë ata që më kanë zbuluar dhe e kanë kultivuar edhe më tej talentin tim si këngëtare. Kurse familja e miqtë kanë qenë ata që më kanë përkrahur.

“Bota Sot”: Çka është muzika për ju ?

Hana Cakuli: Muzika për mua është relaksimi më i mirë i shpirtit. Edhe atëherë kur ndihem keq, po të këndoj qetësohem. Mendoj se pa muzikë nuk do të isha unë.

“Bota Sot”: Çfarë të pëlqen më tepër të këndosh?

Hana Cakuli: Më pëlqen të këndoj gjithçka, por pak më shumë më tërheqin këngët që janë më sfiduese, që kanë shtrirje më të mëdha vokale dhe mundësi improvizimi.

“Bota Sot”: Dihet se vini nga Ulqini, shpejtë depërtuat në skenën muzikore, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, si arritët…?

Hana Cakuli: Këtu do t’i referohesha përgjigjes në pyetjen më lartë “Si arrin të bëhesh e suksesshme?”. Mendoj se duke qenë vetvetja dhe duke bërë atë që dua e më pëlqen, këngët që më pëlqejnë, mënyra e paraqitjes që mua më pëlqen, unë jam këtu ku jam sot.

“Bota Sot”: Me kë bashkëpunoni, kush i shkruan tekstet, kush e bën muzikën?

Hana Cakuli: Deri tani kam bashkëpunuar me kompozitorët dhe orkestruesit: Genti Lako, Ilir Osmani, Armend Rexhepagiqi, Flori Mumajesi, Florent Boshnjaku. Për tekste kam punuar me: Kastro Zizo, Aida Baraku, Redi, Ardit Roshi.

“Bota Sot”: Sa keni bashkëpunim me këngëtarë të tjerë, pritet ndonjë bashkëpunim nga ju pasi që kohët e fundit është në trend?

Hana Cakuli: Kam pasur biseda me shumë nga kolegët e mi për bashkëpunim. Në qoftë se jo tani, ndonjë ditë patjetër do të ketë bashkëpunim me kolegët e mi që i vlerësoj.

“Bota Sot”: Jeni gjithmonë në formë për t’ju admiruar. Sa kohë të nevojitet për t’u përgatitur në ndonjë paraqitje, dhe me kënd konsultoheni?

Hana Cakuli: Nevojitet mjaft kohë për t’u përgatitur dhe për të përshtatur pamjen me këngën në mënyrë të duhur. Varet nga fati që kam në ato momente kur e përzgjedh veshjen. Ndonjëherë kam veshje solemne në dollapin tim që nuk i kam përdorur dhe i përshtaten këngës që e kam në një moment, ndonjëherë më duhet të kërkoj, ndonjëherë të qep… Zakonisht konsultohem me femrat e familjes sime.

“Bota Sot”: Ka gjetur Hana princin e ëndrrave të saj? Nëse jo, atëherë si do të doje të ishte ai?

Hana Cakuli: Mendoj se e kam gjetur. Është i sjellshëm, i këndshëm, i dashur, dhe e dua.

“Bota Sot”: Me çfarë po merreni këto ditë?

Hana Cakuli: Po merrem momentalisht me këndimin ‘live’ në “Maroon Pub”. Çdo të shtunë jam aty, përderisa në anën tjetër po pres të publikoj edhe një këngë të re.

“Bota Sot”: Planet tuaja afatshkurta?

Hana Cakuli: Besoj të kem videoklipin e publikuar së shpejti.

“Bota Sot”: Do t’ju shohim në të ardhmen në profesionin që po studioni në AUK, apo këngëtare apo…?

Hana Cakuli: Do të më shihni edhe si këngëtare, por edhe në profesionin që e studioj në AUK. AUK më pëlqen se të jep mundësi të zgjedhësh dhe të gjesh vetën shumë mirë. Pas përfundimit të studimeve besoj se do ta gjej një punë të mirë.

“Bota Sot”: Si të pëlqen ta kalosh kohën e lirë?

Hana Cakuli: Më pëlqen të shëtis, të dal në natyrë, të rri me shoqëri, të dëgjoj muzikë etj.

“Bota Sot”: Si është një ditë e juaja e zakonshme?

Hana Cakuli: Zgjohem për ligjërata, mësoj, dal pak, bëj punët e shtëpisë, kontaktoj me familjen e të afërmit që kam larg. Ndonjëherë bëj vizita familjes që e kam në Prishtinë, merrem me prova për pubin ku këndoj…dhe në fund flej.

“Bota Sot”: Qëndroni shumë në lokale, preferoni jetën e natës?

Hana Cakuli: Nuk e preferoj shumë. Por kohë pas kohe nuk mundem pa dalë dhe të argëtohem me shoqëri.

“Bota Sot”: Lexoni dhe çfarë ju pëlqen më shumë?

Hana Cakuli: Nuk lexoj edhe shumë, përderisa po merrem me studime – d.m.th. leximet e mia i përkasin studimeve. Më pëlqejnë autorët e huaj. Ata të perëndimit, si edhe ata të lindjes. Momentalisht të preferuarin e kam Orhan Pamuk.

Teuta Gaxherri
Bota Sot

YouTube Preview Image