Tre karateistë të KK“Albulena” morën pjesë në kampionatin botëror për kadetë dhe juniorë në Maroko

November 25, 2009   | Sporti / Sport

Karateisti i Klubit të Karatesë “Albulena”, Besnik AdoviqAdoviqit i “shpëton” medalja nga duart
Ulqin – Karateisti i Klubit të Karatesë “Albulena”, Besnik Adoviq, nuk ka pasur fat dhe për pak i ka “shpëtuar” medalja nga duart duke u renditur i katërti në botë, në kategorinë e rëndë për juniorë, në Kampionatin Botëror në Karate për Kadetë dhe Juniorë që u mbajt nga data 12-15 nëntor në Maroko.
Ai ka humbur në gjysmëfinale nga garuesi i Iranit, kurse në repesazh për vendin e tretë ka humbur nga përfaqësuesi i Egjiptit. Më parë për të arritur në gjysmëfinale Adoviq ka fituar katër lufta.
Përveç Adoviqit, edhe dy karateistë të tjerë të KK “Albulena”, Nikollë Hoti dhe Xheneta Vuçiq, kanë mbrojtur ngjyrat e Përfaqësueses së Malit të Zi në këtë kampionat. Por ata kanë qenë më pak të suksesshëm.
Ndonëse ka fituar luftën e parë ndaj përfaqësueses së Hungarisë, Vuçiq (kategoria -57 kg, për juniorë) është ndalur në luftën e dytë nga garuesja angleze me të cilën ka barazuar, për të humbur më pas në shtesë me rezultatin 5:4.
Garuesi tjetër, Nikollë Hoti (kategoria -57kg, për juniorë) ka humbur që në luftën e parë nga përfaqësuesi i Irlandës.
Trajneri i KK “Albulena”, Agron Ujkashi, thotë se vetë pjesëmarrja e tre garuesve të këtij klubi në Kampionatin Botëror të Karatesë përbën një sukses jashtëzakonisht të madh.
Për suksesin e Adoviqit, Ujkashi thotë se ky përbën “një sukses të cilin nuk e kemi pritur sepse ka qenë shumë afër medaljes”.
Përfaqësuesja e Karatesë së Malit të Zi ka fituar një medalje të bronztë në kata në këtë kampionat.”

I.Kallaba
Koha Javore