Serbia e frikësuar

December 7, 2009   | Rajoni / Region

boris-tadic-stipe-mesic-Beogradi kritikon Podgoricën dhe Zagrebin për raportet me Prishtinën, kërcënon sërish me prishjen e raporteve fqinjësore.Serbia i ka kërkuar Malit të Zi që të presë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, përpara se të vendosë marrëdhëniet diplomatike me Kosovën.
Ndërkohë paraqitja e sotme e Kroacisë në favor të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas zyrtarëve serbë, pritet t’i ftohë raportet edhe mes Beogradit dhe Zagrebit. Sipas analistëve, edhe kjo gjendje do të jetë e përkohshme.
E ndodhur në disavantazh, Serbia sërish ka filluar të ushtrojë presion ndaj vendeve fqinje me qëllim pengimin e bashkëpunimit dhe shtyrjen e vendosjes së raporteve diplomatike me Republikën e Kosovës.
Ambasadori i Serbisë në Podgoricë, Zoran Llutanovac, u ka kërkuar autoriteteve malazeze që të presin mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, para se t’i vendosin marrëdhëniet diplomatike me Prishtinën.
Llutanovac, siç raportojnë mediat serbe, ka pasur një takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, ku ka kërkuar që ky shtet të presë mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) rreth legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës, para se të ndërmarrë hapin e paralajmëruar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Prishtinën.
Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, ditë më parë ka njoftuar se vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Prishtinën nuk është bërë deri më tash për arsye teknike, ndërsa një veprim i tillë pritet të ndodhë së shpejti.
Ndërkohë paraqitja e Kroacisë në favor të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, pritet t’i ftohë raportet edhe mes Beogradit dhe Zagrebit, vlerësojnë zyrtarët serbë. Ndërsa zyrtarët kroatë kanë përsëritur se nuk kanë asnjë arsye të hezitojnë për të mbrojtur pavarësinë e Kosovës.
Beogradi zyrtar frikësohet se argumentimi i Kroacisë do të mund të jetë shumë domethënës, pasi Kroacia ishte pjesë e Federatës Jugosllave, respektivisht pjesë e shpërbërjes së saj, kur Beogradi kishte synuar t’i sundonte vendet tjera të ish-RFJ-së.
Në një intervistë për mediat serbe, ditë më parë, kryetari i kroat, Stipe Mesiq, ka deklaruar se Kroacia nuk ka kurrfarë arsye që të hezitojë edhe para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të paraqesë arsyet se pse ka marrë vendim për njohjen e Kosovës. “Mendoj se do të ishte hipokrite që paraprakisht ta njohësh e pastaj të hezitosh të flasësh për këtë”, ka thënë Mesiq, duke shtuar se kjo paraqitje e Kroacisë në favor të pavarësisë së Kosovës, nuk është drejtuar kundër popullit serb.
Në shtypin serb, zyrtarët e Beogradit kanë vlerësuar se paraqitja e Kroacisë në GJND, që do të ndodhë të hënën, do të jetë “edhe një thikë në shpinën e Serbisë, mu sikur që ngjau me paraqitjen e Bullgarisë, e cila – të premten – mbrojti fuqishëm shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.
Shefi i delegacionit serb, Dushan Batakoviq, ka deklaruar për mediat serbe në Hagë se Bullgaria, si shumë herë gjatë historisë, “na e nguli thikën në shpinë”, duke mbrojtur shkëputjen e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Sonja Liht, kryetare e Këshillit për politikë të jashtme në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, ka deklaruar për gazetën “Blic” se më mirë do të kishte qenë sikur Kroacia të mos ishte paraqitur fare me dëshminë e saj në procesin për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare. Ndërkaq, Ivan Vejvoda, drejtor i Fondit Ballkanik për Demokraci, shpreson se paraqitja e Kroacisë në GJND nuk do t’i prishë sërish marrëdhëniet mes Zagrebit e Beogradit, pasi sipas tij, ato janë parakusht për integrime evropiane. Sidoqoftë, ai mendon se pas një periudhe të shkurtër kohore, marrëdhëniet sërish do të kthehen në suazat e normales.

Gazeta Lajm

YouTube Preview Image