Mendim i instrumentalizuar

December 12, 2009   | Shtypi / Mediji

Nail Draga_Muhamet Nika (2)Jemi të vetëdijshëm që: Edhe pse të bësh demant do të thotë të bësh përpjekjen e atij i cili nisi të mbledhë sërish thesin me pupla të derdhura, ku me siguri nuk arrin t’i mbledhë të gjitha… cekim se për artikullin e z. Draga “Kulti i individit i dëmshëm për demokraci”, “Koha javore” nr. 395 na duhet të shtojmë si vijon:

Si veteran i organizimit politik tashmë të shqiptarëve në Mal të Zi pa frikë mund të them se djersët më të mëdha i kemi qitur diku në vitin ’92 si funksionar i LD – së kur u dëshmua që shqiptarët me subjektin e vet politik të atëhershëm nuk e kishin në plan të respektonin programin dhe Statutin e vet. Që atëherë shihej se fjala Statut, pra kontratë apo besëlidhje nuk kishte vlerë dhe kjo dëshmon që as sot nuk ka vlerë… Mendoj që një nder organizimit politik të shqiptarëve në Mal të Zi do t’ia bënte ministria përkatëse e Drejtësisë po të përjashtonte nga regjistri i partive të cilat ekzistojnë në Mal të Zi të gjitha subjektet politike shqiptare që s’janë në gjendje të zbatojnë statutet e veta, që nuk bëjnë Kuvende zgjedhore, e me këtë numri i tyre do të ishte aq sa nevojitet.
Mjerisht shqiptarët në Mal të Zi nuk kanë as parti të mëdha as parti të vogla – siç pohon Nail Draga në paraqitjen e tij të fundit në “Kohën javore”, por kanë parti fantazma të cilat janë jashtë mandatit partiak. Mirëpo djersët tashti diqysh më janë hequr pasi që u dëshmua se megjithatë populli shqiptar në Mal të Zi nuk dëshiron të futet në vathat e lokalizmave, krahinorizmave dhe përçarjeve të tjera krahinore edhe pse shteti në mënyrë perfide e nxitë këtë përçarje qoftë edhe brenda formulës që i thonë diskriminim pozitiv, mendojmë në Ligjin aktual zgjedhor si zgjidhje kalimtare. Pra, si duket edhe në zgjedhjet që do vijnë shteti nuk do të vë në veprim disiplinimin e partive shqiptare sipas standardeve evropiane, por do të lejojë që të dalin në zgjedhje si në kohën e Lekës… pra, sipas mënyrës së vet ngase kështu nuk pengojnë askënd! Madje ato nuk janë në gjendje po duket që të formojnë as klubin e përbashkët të deputetëve e lëre më të bëjnë edhe punë të tjera të rëndësishme!
Ideja për të bërë një shkrim të tillë na lindi duke lexuar tekstin e përmendur ku autori Draga qahej për “kultin e individit” që është bërë “i dëmshëm për demokracinë…”. Ai nuk ngurroi të konstatojë se “Pothuaj të gjitha subjektet politike (kupto përveç FORCËS funksionar i të cilës është z. Draga, shënimi ynë) legjitimitetin e tyre nuk e vendosin te programi i tyre … por te kulti i individit të liderit të tyre … etj., etj.”. Çuditërisht autori i tekstit pasi që konstaton se “Mendimi ndryshe” është “vlerë e demokracisë”, harron dhe gati sa nuk i urdhëron partitë e vogla që duhet t’u bashkohen atyre të mëdha. Na e merr mendja që z. Draga pluralizmin dhe mendimin ndryshe të shqiptarëve e kupton si një ndjenjë për grumbullin në të cilën shqiptarët duhet të ulin kokën para njëri tjetrit. Kuptohet që një mendim i tillë nuk pi ujë. Autori i tekstit do të bënte mirë sikur në fillim të shpjegonte idenë ekzistuese në mënyrë që mendimi i tij i ri të mos dalë i instrumentalizuar. Pra, fillimisht të sqaronte se mbi të cilat slogane dikur në të kaluarën subjektet politike e ndërtuan platformën e fushëveprimit të vet politik e të cilave pastaj nuk iu përmbajtën. J. Krishna Murti shkruan se për kuptimin e fenomeneve shoqërore vlen një parim që është e para se të hedhim një ide të re duhet të shpjegojmë idenë ekzistuese dhe se për kuptimin e fenomeneve nuk është e rëndësishme masiviteti i një ideje, por është e rëndësishme rëndësia e saj. Duke e përfillur këtë mendim themi se nuk ka parti të mëdha apo të vogla, por ka ide të mëdha apo të vogla dhe se idetë e mëdha shpeshherë mund të qëndrojnë në parti të vogla.
Kuptohet se nuk më takon mua të flas për kultin e Lidhjes Demokratike të cilën z. Draga e sheh si burim të së keqes ngase ajo veç është kapitull i mbyllur. Dua të rikujtoj që sloganet e partive të tjera shqiptare të cilat më pas u formuan kryesisht bazoheshin në disa parime të mbrapshta të cilat Lidhja i kishte e që ishin: mosrespektimi i Statutit, mosmbajtja e kuvendeve zgjedhore, mosfreskimi i partisë me kuadro të rinj udhëheqës, grumbullimi i funksioneve (një njeri një funksion dhe grumbullimi i funksioneve mbi bazat e përçarjeve krahinore e konfesionale etj), por mund të shohim që edhe partitë e mëvonshme nuk janë imune nga metoda e punës së Lidhjes Demokratike.
Praktika ka dëshmuar që njerëzit nga një herë arrijnë fitore (të mëdha) falë momentit të caktuar kur rastësisht e kuptojnë që ishin në rrugë të gabuar mbi bazën e eksperiencës “aha”. Duke pasur parasysh gjendjen ekzistuese të partive shqiptare në Mal të Zi, nga këndvështrimi i sotëm nuk mund të lë pa përmendur një gaf të njërit nga radhët e Forcës së Re Demokratike që në vitet ’90 ishte kryetar i Klubit të këshilltarëve të LD në MZ në Kuvendin e Ulqinit i cili edhe pas 15 viteve në një provokim timin gjatë një dueli televiziv zbuloi që ishte larguar nga Lidhja Demokratike sepse kishte “zbuluar” që brenda saj, sipas tij “ekzistonin 3 parti, ajo e katolikëve, katundarëve dhe e ulqinakëve”, (shih çfarë largpamësie)?! Si duket kjo largpamësi u shndërrua më vonë në platformë të kësaj partie sepse ajo u fokusua vetëm në trupin zgjedhor të qytetit, kurse dështoi në përpjekjet e saja për t’u organizuar edhe në trevat e tjera shqiptare. Subjektet e tjera shqiptare të formuara pas kësaj partie janë një jehonë e çoroditur e platformës së përmendur që u zbulua si një përçarje lokale, krahinore e fetare shqiptare. Dëshmi e qartë e këtij dështimi ishin edhe kompozimet në koalicionet zgjedhore – listat zgjedhore në zgjedhjet e fundit të 29 marsit 2009. Si duket fruthi i paemancipuar lokalist e krahinor, por edhe karrierist do të vazhdojë të qëndrojë edhe për një kohë të gjatë e ka mundësi të ndikojë në rikomponimet e reja të skenës politike.
Jemi dakord se ajo që po i dëmton thjesht shqiptarët është kulti i individit i cili bashkë me përçarjet krahinore paraqet thembrën e Akilit dhe dobëson homogjenizimin e tyre në parti njëmend të mëdha. Ky kompleks që është duke shoqëruar partitë kushtimisht të mëdha ka bërë që ato të mos mund të sigurojnë partner bashkëpunimi ngase partitë e vogla e ndjejnë veten të rrezikuar nga kulti i tyre, por edhe nga lëngatat e tjera shqiptare që vuajnë disa parti nacionale. Shembull i kësaj është prishja e koalicionit para e paszgjedhor të partive shqiptare në Komunën e Ulqinit në pushtetin lokal të zgjedhjeve të fundit vendore.Në këtë kohë partitë e përmendura nuk ishin në gjendje të respektonin marrëveshjen e arritur dhe të sëmura nga kulti i individit nuk pranuan as që të shkonin në zgjedhje të parakohshme që iu afroi PPD në prag të daljes nga koalicioni i arritur pas 3 muaj bisedash. Kujtojmë që kaq nuk zgjatën as bisedat serbo – shqiptare në Rambuje?! Madje nuk kemi as të dhëna që të paktën mbajtën mbledhje të kryesive të veta për të analizuar daljen e kësaj partie nga koalicioni me të gjitha pasojat, por me vulë në xhep e të sëmurë nga kulti partiak liderët e këtyre partive prishën koalicionin me ç’rast dëshmuan që fitoren e arritur e kishin boshe dhe se ata nuk dinë të menaxhojnë fitoren. Është interesant që as masakra propagandistike e këtyre partive që u bë ndaj 3 këshilltarëve të PPD – së nuk dha rezultat te elektorati i tyre. Madje-madje mund të thuhet që këto partitë “e mëdha” përfundimisht e kanë humbur pushtetin në Komunën e Ulqinit pa kurrfarë shansi që përsëri të vijnë në pushtet në këtë komunë edhe pse trupi zgjedhor është diçka që lëvizë. Këtë e dëshmojnë rezultatet e arritura të këtyre partive në Komunën e Ulqinit për zgjedhjet parlamentare të cilat nëse përsëriten edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale do të rezultonte që për shembull Forca e Re Demokratike të mos ketë më 8 këshilltarë, por të ketë 7 dhe nga partia më e madhe në Komunë të Ulqinit të jetë parti e dytë apo e tretë, LD në MZ nga 4 këshilltarë të ketë 2, kurse Bashkimi Demokratik pranoi të shkrihej në një subjekt inekzistent (bashkim qytetar) i cili ende vuan sëmundjet e lindjes, me 4 këshilltarë, por që në total do të thotë se opozita në Ulqin ka 13 këshilltarë. Kujtojmë që përbërja e re e Kuvendit të ardhshëm sipas ligjit do të duhej të numëronte 34 këshilltarë, ose më qartë shumica do të ishte 18 këshilltarë. Kjo është alarmuese për “partitë e mëdha” të cilat edhe po të bashkoheshin me partnerët natyrorë të vet në Komunën e Ulqinit si “PZP”, “SNP” etj. nuk do të mund të kishin shumicën. Kurse të paktën shumica aktuale parlamentare 18 – shin do ta arrinte pa problem. Mirëpo është interesant të thuhet që “partitë e mëdha” deri më sot nuk kanë bërë asnjë hap, (kritikë apo vetëkritikë të punës së tyre), në mënyrë që të vetërreshtohen në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Përjashtim në këtë mes bën vetëm Partia e Unionit Demokratik nëse për bazë mund të merret deklarata e nënkryetarit të kësaj partie dhe njëkohësisht deputetit të saj i cili e pranoi që është gabuar në mosshkuarjen në koalicion parazgjedhor me Partinë e Prosperitetit Demokratik në zgjedhjet e 29 marsit dhe që po të ndodhte koalicioni UDSH – PPD do të siguronte 2 deputetë, e kjo do të kishte rrezikuar deputetin e koalicionit ”Perpektiva„.
Dhe për fund sa për atë se, “ka kohë që ekzistojnë zëra të ndryshëm këshillues qoftë nga Prishtina apo Tirana, që është më se e nevojshme të punohet në drejtimin e bashkimit të disa subjekteve politike. Fjala është për subjektet e vogla politike të cilët në saje të rrethanave aktuale të ardhmen e tyre e kanë në pikëpyetje…” na duket se nuk qëndron, pa shaka nëse e kemi të qartë kuptimin bartës të fjalisë, atëherë kësaj i thonë “kah dhëndri hanë e pinë, kah vajza gjë nuk dinë”. Ç’është e vërteta jemi të informuar që disa subjekte të mëdha dhe të vogla për të shëruar veten nga sëmundja e për të akuzuar të tjerët u shkruajnë këtyre dy qendrave për mundësinë e bashkëpunimit, ta zëmë ndërmjet: LD – së, UDSH – së dhe Forcës e në kuadër të kësaj mundësie si duket zhvilloi vizitë edhe ministri i Punëve të Jashtme z. Ilir Meta në Mal të Zi, por në takim nuk u fol për bashkimin e subjekteve të vogla në subjekte të mëdha. Andaj thjesht konstatimi i z. Draga është një dezavuim që më së miri e sqaron edhe ilustrimi i shkrimit që shoqëron artikullin në “Kohën javore” e i cili është një tru njeriu i futur në dorën që shtrëngon një burrë. Vërtetë fuqia e artit është shumë domethënëse! Pa marrë parasysh këtë nëse mendohet në PPD ajo ka qenë, është dhe do të mbetet për marrëveshje me çdo subjekt nacional shqiptar. Historia mësohet që të mos përsëritet e kjo vlen edhe për politikën qoftë ajo e madhe apo e vogël.

Muhamet Nika
Koha Javore

http://www.rtcg.me/images/biblioteka/audio_video_arhiva/Replika%20-%20Ljudska%20prava.flv
2