Intervistë me Nikollë Camaj, Kryetar i Kuvendit të KU të Tuzit – Video

January 8, 2010   | Intervista / Intervju

Nikollë CamajKoha javore:Z. Camaj, redaksia jonë ka hapur temën, në lidhje me pjesëmarrjen e pakicave në jetën publike në Mal të Zi. Na tregoni i cili është qëndrimi i juaj në lidhje me këtë çështje?
Camaj: Qëndrimi im është po ai që ka subjekti politik të cilit i takoj. Ai ka të bëjë me një pakënaqësi totale, së pari nga vet fakti se pjesëmarrja jonë në jetën publike është e pakët, jo nga mosdashja jonë por nga fakti se ligjet janë diskriminuese, e së dyti se ajo, edhe si e pakët, kushtëzohet me lojalitet ndaj partisë-partive në pushtet! Për fat të keq, ky kushtëzim haset në çdo pore të jetës dhe i jepet përparësi në raport me përmbushjen e standardeve dhe kërkesave që vijnë nga faktori ndërkombëtar.

Koha Javore: Pasi që e drejta për vetëqeverisje lokale është e drejtë e garantuar me dokumente nderkombëtare, sa ka arritur Mali i Zi të ralizojë konceptin e decentralizimit të pushteti lokal, si standart që duhet arritur çdo shoqëri, e cila synon të integrohet ne Europë?
Camaj:Jo vetëm aq. E drejta në vetqeverisje lokale është pjesë e korpusit të të drejtave elementare që nuk mund të cenohen, kurse me akte të ndryshme ato vetëm sigurohen. Pushteti i Malit të Zi, plotësimin e standardeve nuk e kupton, as si të drejtë themelore, as si obligim që del nga aktet e ratifikuara, por si “lëshim pëni” ndaj atyre që do të duhej t’i gëzonin ato të drejta. Këtë qëndrim ka edhe në raport me decentralizimin. Edhe kur flitet për komunën e Malësisë, flitet si për një dhuratë të pushtetit (po të nodhëte), e jo për relizimin e një të drejte themelore që e siguron edhe Kushtetuta dhe Karta europian mbi vetqeverisjen lokale. Nga ky lloj i të logjikuarit, lindin kushtëzimet dhe mbajtja peng e atyre që do të duhej të përfitonin nga këto të drejta, por të cilët “ndëshkohen” për shkak se nuk janë mjaft lojal!? Standardet do të duhej plotësuar, pa marrë parsyshe lojalitetin partiak, gjë që Mali i Zi pretendon t’a arrij vetem në aspektin formal, me adaptim të ligjeve proeuropiane, por jo edhe me zbatimin e tyre.

Koha javore: Cilat janë vërejtjet tuaja në “Propozim Ligjin për organizimin teritorial të Malit të Zi” dhe “Propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale”?
Camaj: Këto janë dy projekt-ligje të cilët, fatkeqësisht Qeveria i bëri propozim-ligje dhe i vuri në rend të ditës, me procedurë të shpejtuar, me të cilat vazhdohet me centralizimin e pushtetit dhe ato, as nga aspekti formal, nuk aspirojnë të përmbushin standardet që sigurojnë vetqeverisje të plotë lokale, edhe pse thirren në to. Andaj, posa jemi njoftuar me to, kemi angazhuar të gjithë potencialin ekzistues në KU, për të demaskuar qëllimin e propozuesit të këtyre ligjeve. Se për çfarë hilesh të pushtetit është fjala dëshmon edhe fakti se nuk organizuan shqyrtime publike nëpër komuna, andaj as në Tuz, por ne megjithatë nuk ndejëm duarkryq. Debatuam dhe folëm, shkruam dhe reaguam, kontaktuam përfaqësi të huaja dhe të shtetit amë e të Kosovës, organizuam tribuna, konferenca e takime, muarëm pjesë aktive në debatin qendror në Cetinë… Më në fund, vërejtjet konkrete ia përcollëm propozuesit, por ato, fatkeqësisht, nuk po hasin në mirëkuptim. Përndryshe, vërejtjet kryesore kanë të bëjnë me faktin se me to nuk parashihet vetqeverisje e plotë lokale për banorët e Malësisë dhe se kushtet që i parashohin, për themelimin e komunave të reja, për ne, janë të paparanueshme, madje të paarritshme.

Koha Javore: Ju keni fituar besimin e votuesëve malësorë duke promovuar komunën e plotë. Ku qëndron shkaku pse nuk u realizua kjo aspiratë e proklamuar dhe e premtuar nga mazhoranca qeverisëse e KU të Tuzit?
Camaj: Ne kemi premtuar se do të bëjmë çmosin që të realizojmë, sa më parë, këtë nevojë jetike, këtë të drejtë të natyrshme, të banorëve të Malësisë. Në realitet, ne e kemi lidhur fatin tonë politik me të. Duke i pasur të njohura qëndrimet tona, pushteti qendror gjithnjë injoroi strukturën udhëheqëse të KU, e përmes tyre edhe vullnetin e votuesëve të Malësisë, të shprehur në zgjedhjet e vitit 2006. Mirëpo edhe krahas kësaj, ne, jo qe nuk jemi zbrapsur, por jemi edhe më të vendosur në qëllimet tona, të bindur se faktet dhe argumentet tona, janë më të forta dhe më bindëse se disponimi dhe vullneti politik anti-komunë në Podgoricë, e për fat të keq, edhe në disa qarqe në Malësi. Duhet pasur para syshe se, përderisa ke një qeveri që nuk ka gatishmëri të njohë vullnetin e shumicës, nuk ka gatishmëri të respektojë aktet e veta, as aktet ndërkombëtare, nuk respekton atë që është parim, e në anën tjetër, ne kemi një status që nuk mundëson hapa konkret në këtë drejtim, është e qartë pse nuk u realizuan ato që ishin pikësynimet tona, do të thoja, më parë se premtime.
Në fakt, ne ishim të bindur se dikush do ta detyronte këtë qeveri që të përmbushë standardet, por qeveritë që në esencë nuk janë demokratike, nuk dinë ç’do të thotë plotësimi i kërkesave që vijnë si të detyrueshme. Qeveritë e tilla mendojnë se çdo gjë duhet të varet vetëm nga vullneti i tyre. Tash për tash, kështu është në parktikën malazeze, por deri kur?! Andaj ne edhe flasim për mungesën e vullnetit politik, si pëngesë kryesore drejt realizimit të komunës së plotë për Malësinë.

Koha Javore: Çfarë do të ndërmerrni, në këta muajtë që ju kanë mbetur në funkcionin e kryetarit të Kuvendit, që Tuzi ta fitoj statusin e komunës së barabartë me komunat e tjera në Mal të Zi?
Camaj:Brenda Malit të Zi nuk na ka mbetur gjë nga hapat institucional pa ndërmarrë, por të vetëdishëm se “çatia ndereqet nga jashtë” jemi hedhur në një mision diplomatik tek shteti amë e në Kosovë, e përmes tyre edhe tek instancat ndërkombëtare, në mënyrë që ata t’i tërheqin vërejtjen Malit të Zi për obligimet që kanë, në sferën e decentralizmit të pushtetit, shtetet që pretendojnë integrimet europiane. Sidoqoftë, Kuvendi i KU, e edhe strukturat e tjera të Komunës urban, do të vazhdojnë aktivitetet e veta në këtë drejtim, madje duke mos hezituar edhe të eksperimentojnë variante e metoda të tjera që mund të vlerësohen si të frytshme.

Koha Javore: Për ju si politikan, a është e prënueshme një zgjidhje e mesme, apo jeni të vëndosur që kërkesa të jetë vetëm komunë e plotë.
Camaj:Zgjidhje të mesme nuk ka, përderisa Mali i Zi njeh vetëm dyshkallshmërinë e psuhtetit. Andaj, jam më se i vendosur se vetëm komuna, si të gjitha të tjerat në Malin e Zi, si zgjidhje, do të kishte pëlqimin tonë. Pa pëlqimin tonë mund të sjellen zgjidhje tjera, siç u bë edhe me komunën urbane. Por, nëse nuk pajtohesh me realitetin, nuk do të thotë se duhet te injorosh atë. Të jeshë racional do të thotë të angazhohesh për më të mirën, por të vazhdosh të jetosh, të mbledhish forca për kohët që vijnë, deri në realizim.

Koha Javore:A mund të tërheqni një paralele midis asaj që ju konsideroni sukses dhe asaj që konsideroni dështim në administrimin e KU të Tuzit?
Camaj: Themelimi i një adminsitrate dhe dokumentacioni bazë në gjuhën shqipe, mundësia e artikulimit zyrtar të kërkesave tona, aprovimi i shumë akteve në Kuvend, disa prej të cilave, me konsenzus, që venë bazë të një pune më të mirë në të ardhmen, binjakizimi me Rochester Hills rtj., padyshim paraqesin disa nga sukseset e kësaj administrate. Si dështim do ta konsideroja, nëse lëm anash çështjen e statusit mbi të cilin nuk ka pasur mundësi ligjore që kjo administratë të vendosë, pamundësinë për të shpenzuar milionat e paraparë e të përfolur dhe problemin e punësimit. Të jam i sinqertë deri në fund, si dështim do t’i përmendsha edhe krizat brenda shumicës që, falë mungesësë së pervojës dhe pagjeturisë, i patëm.

Koha Javore:Fillimisht ishin paraparë edhe njëzet vënde pune për plotësimin e administratës së KU. Ku qëndron pëngesa që nuk u realizua kjo?
Camaj: Punësimi i sa më shumë njerëzve nga kjo trevë, ka qenë njëri prej motiveve kryesore për të pranuar dhe për të organizuar funksionimin e këtij lloj surogat pushteti. Në fillim ne kishim plan që të punësonim afro 30 persona. Fazën e parë e kryem me sukses. Në fazën e dytë patëm disa vështirësi, si pasojë e mungesës së përvojës dhe e kuptimit të kompetencave, andaj edhe mbetëm pa plotësuar vendet e parapara, madje as vendin vakant për këshilltar të kulturës. Me paraqitjen e krizës globale, fituam dekret nga Podgorica për ndalim të punësimeve, donëse jam i mendimit se një dekret i tillë nuk do të guxonte t’i efektonte institucionet në themelim pasiqë, një kufizim i tillë, do të binte në pyetje funkcionimin. Përndryshe flitet se mu në këtë kohë, Kryeqyteti punëson me dhjetëra të rinj. A thua ne duhet të rrimë e të presim?!

Koha Javore: Opozita juaj flet për më se 3 milion eura buxhet të KU, që ju nuk arritë t’i shfrytëzoni. A janë aq, dhe nëse po, pse nuk u shpenzuan?
Camaj: Llogaria përfundimtare për vitin 2008 dëshmon se me të cilat mjete ne, realisht dipsonojmë. Ne kemi pasur në disponim vetëm afro 280.000,00 dhe për ato qendron dëshmia se ku janë shpenzuar. Të tjerat i menaxhon drejtpërsëdrejti Kryeqyteti dhe ne nuk kemi qasje dhe as mundësi që t’i shpenzojmë e madje as të përcaktojmë prioritetet. Këtë mundësi e jep “ligji famoz” me të cilin u themeluan komunat urbane. Pothuaj të gjitha propozimet tona janë lanë anash, pasiqë Kryeqyteti ka pasur hallin të kënaqë të dëgjueshmit e vet, e jo nevojat e qytetarëve, të paraqitura përmes përfaqësuesve legjitim. Kështu pra, kur “përsheshat presin kosin e huaj”(unë do të thoja, “kosin tënd që e mbanë tjetri!), mbeten thatë. Pyetja është se deri kur malësorët, e sidomos ata malësorë që na përfaqësojnë në parti qytetare, do ta tolerojnë dhe promovojnë këtë zgjedhje.

Koha Javore: Z. Camaj na tregoni për versionin tuaj në lidhje me shpekulimet e shumta që kanë të bëjnë shpalljen e referendumit për Komunë të plotë?
Camaj:Për ne, referndumi për statusin e Malësisë ka ngjarë me 10 shtator 2006, kur pala pro-komunë fitoi shumicën absolute, andaj ska fare nevojë për një testim të ri, të vullnetit të qytetarëve të Malësisë. Përpos asaj, Lidhja demokratike, parimisht ka kundërshtuar ato veprime që, gjoja do të çonin deri te komuna, e që nuk ishin praktikë e fomimit të komunave të tjera në Mal të Zi, apo që do të ishin të kundërta me ato veprime që janë ndërmarrë kur është suprimuar komuna e Tuzit. Edhe zgjedhjet e 2006-tës, edhe praktika malazeze për formimin e komunave të reja, edhe suprimimi arbitrar që i është bërë komunës së Tuzit më 1957, përjashtojnë nevojën e organizmit të referedumit. Megjithatë, LD ka pasur qendrim që, nëse partnerët tonë isnistojnë në referendum, ta përkrahin vendimin për të. Por, siç dihet, deri tek ai nuk erdhi dhe, shikuar nga ky kënd, ai nuk do të ishte i vlefshëm dhe as meritor për të ndërruar statusin, e mbi të gjitha e çmoj se një refederendum që do të thedhonte edhe mëndej hëndekun midis konfesioneve, do të ishte i dëmshëm për Malësinë e rrethanave të krijuara pas 9 shtatorit. Malësia do komunë, por jo komumë relizimi i të së cilës do të arrihej me majorizim, por me dakordim e harmoni, sidomos të asaj pjese që flet e që mendon shqip. Andaj, me bashkëpunim të detyrojmë Malin e Zi të përmbushë standradet. E pastaj pakica të respektojë shumicën, si mekanizëm i njohur i demokracisë.

Koha Javore: Shpesh është përfolur, se punët gjithëherë nuk kanë hecur në drejtim të duhur bërnda mazhorancës. Si e komentoni?
Camaj: Duhet cekur se LD, fillimisht te parterët e vet nuk ka gjetur aletë të vërtetë, por rivalë, pasiqë një pjesë e madhe e tyre, gjatë të gjitha viteve, kishin vepruar nga pozicionet anti-Lidhje, kështuqë nuk ishte e lehtë të ndërtohej një partneritet i mirëfilltë. Pastaj, duke pasur para syshë se ne nuk kishim ndonjë pervojë të gjatë në ushtrimin e pushtetit në nivele lokale, aq më pak në këtë lloj pushteti, mund të pritej edhe të kishte ngecje. Kështu, pati disa momente kur jemi gjetur në rrugë qorre. Pra, fillimisht, papajtimet kishin të bënin me disa rivalitete, jo edhe aq të rëndësishme për funkcionimin e pushtetit vendor, e që kishin burimin nga e kaluara. Në vazhdën e kësaj trashëgime, mollë sherri bëhen shkrimet lidhur me emrin e Titos në Deçiq, e pastaj (pa)punësimet dhe Plani financiar, si çështje parimore, për të cilat nuk ndanim të njëjtin mendim. Marëdhëniet do të ftohën sidomos gjatë fushatës parazgjedhore, të prillit të këtij viti, por duke pasur gjithnjë para sysh se emërues të përbashkët kishim dhe kemi angazhimin për komunë të plotë, të gjitha ato sot janë tejkaluar. Një thënie amerikane thotë: “Kur humb diçka, mos humb mësimin!”. Besoj se, të gjithë së bashku, kemi mësuar diçka nga këto situata.

Koha Javore:Meqenëse është intervista e fundit për këtë vit dhe hyjmë në vitin e zgjedhjeve për KU të Tuzit, si e shihni, apo si e dëshironi, ju përbërjen e kuvëndit të ardhshëm të Tuzit.
Camaj: Dallon ajo si e shoh prej asaj si e dëshiroj. Do të dëshiroja një kuvend me komeptenca të plota, ku shumicën do ta përbënin subjektet politike nacionale shqiptare, ku opozita nuk do të ndihej keq, por do të ishte pjesë konstruktive opozitare e fortë. Por druej se do të jet ndryshe. Një pozitë të brishtë, kushdo qoftë, me një opozitë joefektive, kështu si kjo jona, e cila për më se tri vite nuk ka propozuar asnjë akt. Do të ishte mirë që të tentohet të gjindet një gjuhë e përbashkët e forcave pro-komunë, të cilave do t’u bashkëngjitej edhe subjekti tjetër shqiptar, tashpërtash në opozitë, dhe ky bllok të kishte shumicën absolute. Dalja ndaras rrezikon frontin e përbashkët për komunë, por në anën tjetër, i ka përparësitë e veta. Sidoqoftë shresoj se në zgjedhjet e ardhshme, fushata parazgjedhore do të jetë më në nivel se ato dy të fundit, në mënyrë që pastaj të kemi një klimë më të përshtatshme bashkëpunimi. Ne, gjithësesi do të jemi në shërbim të kësaj klime.
Shfrytozoj rastin që të gjithë lexesëve të Kohës javore t’u uroj festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, si në emrin tim, ashtu edhe në emrin e Lidhjes demokratike, që po hyn në 20 vjetorin e veprimtarisë së vet, poashtu edhe në emër të Kuvendit të Komunës urbane të Tuzit.

Intervistoi Muhamed Gjokaj
Koha Javore -24. 12. 2009
YouTube Preview Image