Shaban Peraj: Vota e bardhë

April 20, 2010   | Opinione

Shaban PerajPo t’i referohemi thënies se çdo popull meriton qeverinë e vet, në rastin konkret qeverinë lokale, pasi tani mbahen zgjedhjet lokale këtu në Mal të Zi, atëherë duhet të jetë i pranishëm debati mbi rolin e individit dhe masave në histori. Po problemi është kush është masa, sa janë ata në numër si dhe a janë në “rrugën e Zotit” për t’na ofrur ndonjë avantazh duke iu referuar viteve të demokracisë. Në këto rrethana shqitarët në Mal të Zi nuk duhet t’i vëjnë fajin popullit për ata që do ti zgjedhin të qeverisin sepse kjo është politika jonë për të vazhduar me psikologjinë e bajraktarizmit, krahinizmit që mbizotëron te votuesi. Të njëjtit me veprime të tilla nuk shohin asnjë shpresë për ndryshim në renditjen e pushtetit lokal, jo se janë të kënaqur me punën e tyre, për sa kohë nuk kanë ndodhur ndryshime në mënyrën e qeverisjes, por pse pikërisht bajraktarizmat, krahinizmat janë bërë si një gangrenë që vështirë të eliminohen. Kjo edhe për shumë arsye të tjera si: vendi i punës të atyre që nuk e shohin vetën të zotët për t’u dalë përpara aftësive të tyre profesionale, të atyre që për interesa të llojeve të ndryshme pranojnë të jenë të nënshtruar karshi pushtetmbajtësve apo të atyre që kryejnë punë më bizare se në kohën e monizmit. Në anën tjetër ka nga ata që të frustuar nga partitë politike shqiptare në Mal të Zi të cilët argumentojnë se po të pritet derisa i fundit të emancipohet, atëherë vaj halli se si të qendrojnë, ndaj për momentin është koha të ecet me hapin e më të dobëtit. Ky më i dobëti është instaluar atje ku nuk ka qeverisje të mirëfilltë me qëllim të krijimit të distancave të atyre që i votojnë. Kështu duke hedhur parulla se gjoja vetëm ata e meritojnë qeverinë, kanë njëfarë të drejte sepse në mesin e shumë të “merituarve” gjinden sa e sa prej atyre që duan të tregojnë aftësitë dhe kjo ofron mundësi për t’u shtyrë me “brryla” anipse të njëjtit janë në valë të njëjta me ata që në veprime janë “armiq” me njëri-tjetrin nga ku e drejta ndodhet diku tjetër. Kështu me mënyrën se si kanë nisur të veprojnë duke u takuar paradite me “bashkëmendimtarët” e pasdite me “armiqtë”, të njëjtit punojnë për të hyrë nesër në zyrë e që pastaj ta përdorin ate për t’u bërë favore të afërmve e miqve të tyre dhe për të shkëmbyer favore abuzive me zyrtarë të tjerë.

Kjo metodë e të vepruarit nuk është se është hera e parë, por thjeshtë se duke vepruar kështu i bëjnë qefin njëri-tjetrit për të plotësur orekset sa të njërës palë aq edhe palës tjetër, gjë që votuesi nuk ka pse të shpresojnë për konsolidime demokratike. Jo për të bërë moralizime, por ka ardhur koha që ata të cilët mendojnë të jenë udhëheqës të mirë duhet të kenë edhe udhëndjekës të mirë në mënyrë që të vlerësojnë me një përkushtim se çfarë ofron e sotmja. Në votimet që priten të mbahen ata duhet të përdorin të njëjtin  kriter në përzgjedhjen e alternativave nëse duan të jenë të pranueshëm, po edhe të ndryshojnë mentalitetin shqiptar. Kjo e drejt i mbetet votuesit, ai dhe askush tjetër ka të drejtën të përqafojë alternativat e reja, pavarësisht kush çka premton në rrethanat e krijuara.

Ndryshe nëse votuesit vlerësojnë se kjo është e drejt e tyre, se vota është vetëm për keqpërdorim, atëherë ata e gëzofshin atë. Momenti në të cilin ndodhën shqiptarët në Mal të Zi kërkon zgjuarësi, vigjilencë në mënyrë që vota e tyre të sjellë një klasë të re politike, me tjetër mentalitet të ri. Nëse nuk veprohet kështu atëherë votuesit duhet ta kenë të qartë se vota e tyre nuk duhet të lejohet vetëm për ta pasur të majme jetën e të afërmit, të njërës apo palës tjetër sepse të njëjtit nuk u shërbejnë vetëm njerëzve të thjeshtë, u shërbejnë interesave të tyre personale dhe ata duhet larguar nga marrëveshjet Unë Kryetar, Ti Drejtor, ose pranoj unë bashkimin me ty nëse ti mbetesh në funksione të larta. Ka ardhur koha të ndëshkohen këto marrëveshje dhe kjo mund të bëhet vetëm me votën e lirë, duke deklaruar votë të bardhë në mënyrë që klika politike të kuptojë se vendi ka nevojë për reforma të reja, për alternativa që nuk dëmtojnë asnjërën palë. Ky ndryshim duhet të bëhet në memtalitet të votuesit për të sjellur ndryshime në qeverisjen lokale. Ne nuk duhet të na gënjejnë mendja se jemi popull i zhvilluar dhe i qyetëruar. Ndryshe, po të ishte e kundërta çka e dëshirojmë të gjithë, problemet tona do të shtroheshin në një kahje tjetër, por pasi që jemi këtu ku jemi atëherë kërkohet nga ne të bëjmë analiza të asaj pjese pluraliste që kaluam dhe t’i parashtrojmë pyetje vetës: po këta që na drejtuan deri sot a i përmbushën premtimt e dhëna, çfarë u bë dhe ku është arritur me premtimin për Tuzin si komunë më vete, çfarë u bë me Ligjin për përcaktmin territorial, ku mbetën kaçilet, ku mbeti asfaltimi i rrugës nga Ulqini për në pikën kufitare në Sukubinë, ku mbeti ndërtimi i urës në Port Milenë, ku është marina, ku është kompleksi sportiv, e ku …? Të gjitha këta a nuk tregojnë mungesë të seriozitetit, gjë që na bënë të pranojmë se kështu nuk shkon më. Na e kanë fajin të tjerët apo e kemi ne vetë, ky është momenti që na detyron të mendohemi, për këtë duhet të shikojmë së pari se për kë ia vlenë të votohet dhe a duhet të votohet! Pra, pa na lëshuar zemra dhe duke besuar se një ditë do të ofrohemi me të qytetëruarit duhet të besojmë se atëherë edhe nëse nuk dalim në zgjedhje nuk përbën ndonjë problem. Por tani duhet të dalim dhe të votojmë ata që bënë një hap përpara drejt përmirësimit jetik dhe qytetar tonin.

Shaban Peraj Facebook
zemrashqiptare.net
http://forca.me/images/stories/videos/shqip_1.flv