Saubih Mehmeti: Ulqini sheh perspektivë në decentralizimin e pushtetit

May 14, 2010   | Politika

Saubih MehmetiUlqin, 14 maj – Në Ulqin nuk mund të imagjinohet ndonjë zhvillim ekonomik, sepse ekonomia e tij është shkatërruar në tërësi, gjoja në emër të privatizimit dhe perspektiva e zhvillimit këtu shihet në decentralizimin e pushtetit.
Saubih Mehmeti, bartës i listës zgjedhore të Koalicionit “Lidhja Demokratike – Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve” për zgjedhjet lokale të 23 majit, thotë për KosovaLive se janë rrënuar objektet më të njohura të turizmit, si hoteli “Galeb”, që ishte simbol i turizmit të këtij qyteti edhe në përmasat ndërkombëtare, i cili u bë rrafsh me tokë pikërisht në këtë mandat që po e lëmë pas të qeverisjes së koalicionit “Për Ulqinin evropian”.
Ai thotë se pas rrënimit të plotë të objekteve të njohura të turizmit, ekspertët e mirënjohur të turizmit të Ulqinit, të përgatitur me dekada të tëra, sot ose shesin nëpër kiosqe cigare dhe gazeta, ose kanë ikur nëpër botë për të siguruar ekzistencën e tyre.
Sipas tij, Koalicioni “Për Ulqinin evropian”, i përbërë nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Demokratike e Socialistëve, nuk mund të vendos për perspektivën dhe zhvillimin e Ulqinit, sepse qendrën e ka në Podgoricë.
“Nga ajo distancë arrijnë urdhrat për të qeverisur dhe menaxhuar këtë qytet”, shprehet Mehmeti dhe thekson se ai sheh të vetmin shans të zhvillimit të Ulqinit në decentralizimin e pushtetit.
“Komuna e Ulqinit nuk ka asnjë kompetencë për të zotëruar me resurset e bregdetit, si potencial i vetëm dhe real që mund ta nxjerrë këtë zonë nga kolapsi ekonomik”, thekson ai.
Bartësi i listët zgjedhore të Partisë Socialdemokratike, arkitekti Selim Resulbegu, pjesë e Koalicionit “Për Ulqinin evropian”, mendon se për këtë gjendje të Ulqinit, fajet i kanë vetë ulqinakët. Sipas tij, që nga fillimi i pluralizmit, garniturat që kanë ushtruar pushtetin vendor janë shquar për mosmarrëveshje mes veti, por jo edhe për ndonjë strategji zhvillimore.
“Ulqini sot nuk ka plane urbanistike zhvillimore dhe i mungojnë institucionet e mirëfillta që do të hapnin perspektivën e këtij qyteti. Ne nuk kemi një komunikim normal me qytetin e Shkodrës. Në vend që banorët e këtyre dy qyteteve fqinje të qarkullojnë me letërnjoftim, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite pengesat e paarsyeshme burokratike për kalimin e kufirit”, nënvizon Resulbegu.
Koha Net

2