Ulqini dëshmi e shekujve: Mbas pushtimit turk ( 2)

June 12, 2010   | Kulturë / Kultura

Kalaja e UlqinitMe një tjetër pamje e fizionomi zhvillimi paraqitet Ulqini, gjatë kohës së sundit të Perandorisë Otomane, qysh prej vitit 1517, kur ky qytet bie në dorë të pushtuesve mizorë turq.
Ajo që bie në sy, është se Ulqini pushtohet më vonë se disa qytete të tjera të trojeve etnike shqiptare, kjo me sa duket më së shumti lidhet më pozitën e saj strategjike, si dhe rëndësia që kishte për Venedikun vetë Ulqini.

Qyteti sulmohet barbarisht dhe me të gjithë fuqitë ushtarake turke nga komandanti i ekspeditave Ahmet Pasha, i cili, më në fund mundi të mposhtë qëndresën e hekurt antijeniçere të vendasve, që drejtoheshin me meritë nga kryekomandanti Serra Martinegro. Trimëria e vendasve tregohet edhe tek dhe dhjetë motra të një kuvendi françeskan (murgesha), të cilat, për të mos rënë në duart e barbarëve turq hidhen nga Kalaja e Ulqinit në det. Kjo të kujton historinë e grave suliote që hidhen nga shkëmbi për të mos rënë në duar të haremxhive otomanë. Dhe historia e vendasve, gjithnjë e më shumë është e mbushur me shembuj trimërie e luftrash të vendosura, kundër ekspeditave ndeshkuese turke.

Qetësia dhe zhvillimi i gjithanshëm i qytetit shkatërrohen dhe qengji, që ishte simbol i paqes për ulqinasit zëvendësohet minare islame me yll e hënën turke të pushtuesve. Nga ana e tjetër, në Ulqin, filloi të rigjasllërohet kultura e piratërisë ose e grabitjes, që gjatë sundimit turk mori përpjestime alarmante. Nga kjo kohë, ulqinakët, fillojnë të dallohen si kusarë të famshëm, që sulmonin anije të ndryshme nëpër detin Adriatik dhe detin Mesdhe dhe luftonin kundër anijeve të krishtera të Republikës së Venedikut, të Bokës së Kotorrit dhe të vendeve të tjera të Dalmacisë.

Kusaria e Ulqinit me anije piraterie, ka ekzistuar që nga koha ilire dhe gjatë kohës së ndërrimit të sunduesve të ndryshëm dhe sipas interesit për pasurim të shpejt të tyre herë është zvogëluar e herë është zgjeruar, duke qenë një problem serioz për të gjithë bregdetin dalmat dhe at adriatik e jonian.
Vijimësia e jetës detare dhe lulëzimi i piraterisë (vjedhjeve dhe grabitjeve në det), tashmë u bë një pengesë serioze edhe për vetë turqit, që filluan të merren seriozisht me luftën kundër piraterisë detare. Kjo për faktin, se shumë nga anijet e tyre bëhen pre e grabitjeve të kusarëve ulqinakë. Piratët e detit, mendohet se deri në shekullin XVII kishin arritur të zotëronin një flotë detare deri në 170 anije, dhe që të gjitha ishin të ankoruar në brigjet e Ulqinit.

Hovi i madh që mori dejtaria dhe lulëzimi i piraterisë, krijoi kushte që qyteti të zgjerohet dhe të largohet ngadalë nga dyert e muret e Kalasë së Ulqnit,. Fillojnë kështu të krijohen lagje dhe qendra të reja banimi, sheshe, hamame, kroje, xhamia, teqe, që dallohen për karakterin oriental turk të tyre. Gjurmët e botës islame fillojnë të shihen më shpesh. Ata ishin ngritur mbi themelet e botës kristiane, që lulëzoi shumë shekuj më parë në këtë trevë. Islamizimi dhe kultura e saj e shpatës, filloi “lulëzimin” dhe të japë frytet e veta shkatërruese të vlerave autoktone iliro – abrërore dhe kristiane.

Por shumë nga vlerat e kulturës së lashtë kristiane mbijetojnë, falë qëndreses së hekurt të vendasve, të cilët gjithsesi rezistojnë me të gjitha mënyrat. Një pjesë e vendasve që kishin pasuri, për të mos i humbur ato i nënshtrohen islamizimit, duke vijuar të ruajnë sundimin e tyre, tashmë si shërbetor të Perandorisë Otomane të kohës. Të lëkundurit, me natyrën e tyre servile dhe telit të përdredhur u bënë vasal të pushtuesve, duke i shërbyer atyre në administratë, për nënshtrimin e pjesës tjetër ulqinake jo islame.

Administrata e re turke për të bërë konvertimin e popullsisë së krishterë në islame, aplikon ligje të dhunshme shtypëse. Një ndër këta është edhe taksa e gjizes për të krishterët, gjë që e shpejtoi procesin e konvertimit në fenë islame. Në disa raste u shfaq edhe dukuria e përhapur askohe, që njihet me emrin laramanizimit, ku të krishterët ditën në rrugë dalin me emra muslimanë, kurse në shtëpi ushtrojnë ritet e besimit të ritit katolik. Por jo të pakët ishin edhe besimtarët katolikë, që me sakrifica e mbijetesë shembullore ruajtën gjuhën shqipe, kulturën, traditat e lashta shqiptare dhe sot janë shembull i shkëlqyer i vijimsisë së traditës së hershme kristiane e iliro – arbërore në trojet stërgjyshore shqiptare.

Gjatë kësaj periudhe Ulqini, kishte një kantier detar, ku ndërtoheshin me material druri anije të tonazheve të ndryshme, që dallohen për shpejtësinë e tyre, në përshtatje me kohën. Anijet më të njohura ishin ato që njihen me emrin galeota.

Për të mbijetuar dhe ruajtur tregtinë me produkte të ndryshme ushqimore dhe blegtorale, tregtarët ulqinakë shpesh nën maskën e flamurit të piraterisë bënin tregti me vendet e ndryshme, duke iu fshehur piratëve shumë të rrezikshëm, që jo vetëm u merrnin shpesh mallin por edhe krejt anijen ose e digjnin ne mes të detit.
Në vitin 1718 u vendos paqja nga sulmet e furishme të anijeve pirate, që në histori ka hyrë me emrin Paqja e Pozharevcit. Më vonë shqiptarët e ulqinakë nuk zbatuan më vonë as Paqen e Beogradit (1739). Këtu u trajtua çështja delikate e piraterisë, që ndalohej sipas ligjeve të kohës dhe çështja e dytë ajo e Kalasë së Ulqinit. Ata që vijonin të grabisnin në det të hapur, ishte parashikuar që t’u merreshin galeotat (anijet) dhe nuk kishin liçencë (të drejtën e lejës), për të ndërtuar anije të tjera. Jo gjithçka që thuhet e shkruhet zbatohet. Marrëveshjen e Paqes së Pozharevcit, nuk e zbatuan as piratët shqiptarë ulqinakë, të cilët, vijuan zanatin e tyre të vjetër. Nga këto grabitje si gjithnjë vazhdonin ta pësonin anijet tregtare të Republikës së Venedikut, bregdetit dalmat dhe vetë ato të Perandorisë Otomane.

Në shekullin XVII, pirateria aq e përhapur në detin Adriatik fillon të shuhet dhe gradualisht filloi të vendoset jeta tregtare normale në limane dhe shkëmbimi i mallrave me anije tregtare në detet e hapura. Në Ulqin vijon tregtaria, zejtaria, peshkimi, kultivimi i ullishteve, bujqësia, blegtoria etj. Por sërisht kishte raste piraterie, por ato ishin të shkëputura dhe të rralla. Nga ana e tjetër, u bënë shumë përpjekje për të ndaluar tregtinë e skllevërve zezakë dhe se në Ulqin, mendohet se kanë jetuar 100 familje zezake.

Nëse do të shohim gjithë këtë udhë të sukseshme dhe peripecish, që i është dashur të kalojë Ulqini, rezulton se qyteti, prej kohërave të lashta deri në ditët tona mbeti si simbol i qëndresës së orekseve grabiqare të pushtuesve të ndryshëm që kaluan në këtë trevë, duke mbijetuar dhe ruajtur kulturën e vet autoktone iliro – arbërore – shqiptare me origjinalitet, ndonëse shihen edhe gjurmë të ndikimit të kulturave të huaja në shumë lëme. Me gjithë tramvajet e jetës, qyteti nuk u kthyer në gërmadhë ose në një qytet të vdekur, sikurse rëndomë kanë ndodhur me shumë qytet bregdetare lindore të bregdetit Adriatik e Jon apo më tej në Mesdhe.

Ulqini, mbeti simbol i vijimsisë së jetës ose i lulëzimit të detarisë, peshkimit, tregtisë, piraterisë për disa shekuj me radhë e zejeve të tjera etj., duke ruajtur veçantësinë e jetës autoktone. Nëse do të flasim për kohën e sotme, shohim se qyteti, i përshtatet shumë shpejt kushteve të ekonomisë së tregut. Këtu nis dhe lulëzon me përpjestime të shpejta turizmi bregdetar, kondrinor, arkeologjik, sendeve artistike antike etj., e favorizuar edhe nga kushtet e favorshme klimatike dhe ekonomike në të cilën gjendet asokohe ish – Jugosllavia. Në mesin e shekullit të kaluar (XX), shumë turistë nga Europa Perëndimore, bëhen frekuentues të rregullt sezonal, të ujërave të kaltra dhe të pastra, të klimës së shëndetshme bregdetare ulqinake dhe vizitor të kalasë së Ulqinit e vlerave të tjera historike të qytetit, duke u bërë shumë shpejt ndër më të njohurat në Europë.
(Fund)

Nga Gjon Frani Ivezaj, historian


YouTube Preview Image

1