Durrësi dhe Ulqini, marrëveshje për turizmin

July 15, 2010   | Ekonomia / Ekonomija

Vangjush Dako _ Gezim HajdinagaKryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga
Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim kryetarin e komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga që shoqërohej nga ish kryetari i kësaj komune Fuat Nimani i cili ka mbajtur edhe pozicionin e ministrit të të drejtave të njeriut dhe pakica në qeverinë e Malit të Zi nga viti 2008 deri në 2010. Në këtë takim merrnin pjesë edhe drejtuesit e shoqatës Ulqini në Durrës. Kryebashkiaku Dako i ka njohur të pranishmit me vlerat sidomos ato turistike që ka qyteti i Durrësit ku zhvillohen disa lloje turizmi. Dako ka përmendur gjithashtu edhe lidhjet e forta midis dy qyteteve madje edhe faktin që në Durrës shumë prej ulqinakëve të vendosur në qytet janë të njohur në sajë të kontributit që kanë dhënë në fusha të ndryshme. Nga ana tjetër kryebashkiaku Dako e ka vënë theksin në bashkëpunimin e ngushtë në disa fusha mes këtyre dy qyteteve Durrësit dhe Ulqinit të cilat kanë si prioritet kryesor zhvillimin e turizmit.
Vangjush Dako _ Gezim Hajdinaga.1
Kreu i komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga foli për lidhjet e forta që ekzistojnë mes dy qyteteve ku turizmi është fusha që i bashkon më ngushtë por edhe bashkëpunimet në fusha të tjera sui ajo kulturore apo administrative do ti bashkojnë më shumë këto dy qytete. Gjatë takimit kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe kreu i komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga kanë nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim vendosjen dhe forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit të ndërsjelltë si dhe të shkëmbimit të përvojave të përbashkëta në dobi të dy qyteteve Durrës dhe Ulqin bazuar në Konventat Ndërkombëtare dhe Kartën e Autonomisë Lokale. Kjo marrëveshje do të shtrihet në fushën e administrimit publik, shkëmbimeve tregtare dhe biznesit, turizmit, arsimit, kulturës dhe trashëgimisë historike, sportit dhe rekreacionit. Më pas të dy palët kanë shkëmbyer dhuratat simbolike të rastit ku kreu i komunës së Ulqinit Hajdinaga i ka dhuruar kryebashkiakut Dako një pikturë ku duket një nga simbolet e atij qyteti sic është kalaja e Ulqinit. Nga ana e tij kryebashkiaku Dako i ka dhuruar homologut ulqinak pllakën simbolike ku është gdhendur torra veneciane dhe disa simbole të qytetit të Durrësit. Më tej kryebashkiaku Vangjush Dako dhe kreu i komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga kanë marrë në një shfaqje të organizuar nga shoqata Ulqini e cila përfaqëson komunitetin e ulqinakëve të vendosur në Durrës dhe ku u nderuan disa nga figurat më të spikatura të ulqinakëve në Durrës që ka në dhënë kontribut të shquar në disa fusha.

Copyright © 2010. Bashkia Durres
YouTube Preview Image