Marreveshje bashkepunimi Ulqin-Durres 2010 – Video

August 26, 2010   | Ngjarjet - Events

Vangjush Dako _ Gezim HajdinagaKryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga
Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim kryetarin e komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga që shoqërohej nga ish kryetari i kësaj komune Fuat Nimani i cili ka mbajtur edhe pozicionin e ministrit të të drejtave të njeriut dhe pakica në qeverinë e Malit të Zi nga viti 2008 deri në 2010. Në këtë takim merrnin pjesë edhe drejtuesit e shoqatës Ulqini në Durrës. Kryebashkiaku Dako i ka njohur të pranishmit me vlerat sidomos ato turistike që ka qyteti i Durrësit ku zhvillohen disa lloje turizmi. Dako ka përmendur gjithashtu edhe lidhjet e forta midis dy qyteteve madje edhe faktin që në Durrës shumë prej ulqinakëve të vendosur në qytet janë të njohur në sajë të kontributit që kanë dhënë në fusha të ndryshme. Nga ana tjetër kryebashkiaku Dako e ka vënë theksin në bashkëpunimin e ngushtë në disa fusha mes këtyre dy qyteteve Durrësit dhe Ulqinit të cilat kanë si prioritet kryesor zhvillimin e turizmit.
Vangjush Dako _ Gezim Hajdinaga.1
Kreu i komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga foli për lidhjet e forta që ekzistojnë mes dy qyteteve ku turizmi është fusha që i bashkon më ngushtë por edhe bashkëpunimet në fusha të tjera sui ajo kulturore apo administrative do ti bashkojnë më shumë këto dy qytete. Gjatë takimit kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe kreu i komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga kanë nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim vendosjen dhe forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit të ndërsjelltë si dhe të shkëmbimit të përvojave të përbashkëta në dobi të dy qyteteve Durrës dhe Ulqin bazuar në Konventat Ndërkombëtare dhe Kartën e Autonomisë Lokale. Kjo marrëveshje do të shtrihet në fushën e administrimit publik, shkëmbimeve tregtare dhe biznesit, turizmit, arsimit, kulturës dhe trashëgimisë historike, sportit dhe rekreacionit. Më pas të dy palët kanë shkëmbyer dhuratat simbolike të rastit ku kreu i komunës së Ulqinit Hajdinaga i ka dhuruar kryebashkiakut Dako një pikturë ku duket një nga simbolet e atij qyteti sic është kalaja e Ulqinit. Nga ana e tij kryebashkiaku Dako i ka dhuruar homologut ulqinak pllakën simbolike ku është gdhendur torra veneciane dhe disa simbole të qytetit të Durrësit. Më tej kryebashkiaku Vangjush Dako dhe kreu i komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga kanë marrë në një shfaqje të organizuar nga shoqata Ulqini e cila përfaqëson komunitetin e ulqinakëve të vendosur në Durrës dhe ku u nderuan disa nga figurat më të spikatura të ulqinakëve në Durrës që ka në dhënë kontribut të shquar në disa fusha.

Copyright © 2010. Bashkia Durres


Ulqinakët, ‘Kapedanët’ E Detit Në Durres

DURRËS, 11 Korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/. – Pasardhësit e familjeve ulqinake, që u zhvendosën në fillim të shekullit të kaluar në Durrës, kanë qenë në një takim të organizuar këtë fund-javë nga shoqata “Ulqini” në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” të qytetit bregdetar.

Kryetari i kësaj shoqate, Zihni Beqiraj, thotë për ATSH-në, se në këtë aktivitet janë vetëm një pjesë e vogël e pasardhësve të afro 100 familjeve ulqinake që u vendosën në Durrës, mjaft prej të cilave i bashkon tradita e detarisë.

Shoqata ka rikrijuar frymën e bashkëpunimit me Ulqinin dhe ne ndjehemi të gëzuar që sot edhe kryetarët e bashkive kanë nënshkruar një marrëveshje binjakëzimi mes dy qyteteve tona bregdetare, thotë Beqiraj.

Në sallë dëgjohen tingujt e këngëve për Durrësin dhe Ulqinin dhe aktorja veterane e estradës, Aishe Stari, një nga përfaqësueset e familjeve ulqinake, i fton të gjithë të këndojnë së bashku.

Mikrofoni kalon dorë më dorë, ndërsa pjesëmarrësit kujtojnë plot episode familjare që lidhen me detarinë dhe mikpritjen që i ka rezervuar Durrësi një shekull më parë.

“Familjet Bilali, Gjyli, Kapidani, Fani, Kotorri, Peku, Kalamishi, Truma, Tivari, Shapalaku, Molla, Bazi, Mujali, Veseli, Dermani, Rana, Begteshi, Uruçi, Mujushi, Gorana, e shumë të tjera, u shpërngulën në qytetet bregdetare të Shqipërisë, pasi nuk pranuan të vendosin në direkët e anijeve të tyre flamurin malazias, tregon Eqrem Lazaj, një nga nipat e detarit të njohur Ahmet Luli. Atij i pëlqen të rikujtojë se Ulqini, nga shekulli i 17-të ka qenë një qendër e njohur tregtare në detin Adriatik, ndërsa në kantieret detare të tij ishin ndërtuar më shumë se 500 anije druri dhe metalike që lundronin mjeshtërisht në Mesdhe.

Emri i Ulqinit lidhet shpesh edhe me personazhin e Dylqinjës te kryevepra “Don Kishoti”, pasi shkrimtari i famshëm spanjoll, Servantes, kishte kaluar disa javë në qytetin bregdetar, ku në atë kohë gëlonin piratët dhe bëhej tregtia e skllevërve, ndërsa ka studiues të tjerë që thonë se ai vjen nga fjala “Ulk”.

Që në fillim të shekullit të 20-të ulqinakët bëhen një faktor i rëndësishëm i jetës në Durrës. Familjet e mëdha ulqinake nuk pranuan ofertat e Turqisë dhe Malit të Zi, shtete që kishin nevojë për përvojën e tyre në fushën e detarisë, por bashkë me anijet e tyre u vendosën në Shkodër, Vlorë dhe Durrës, thotë kryetari i shoqatës kombëtare të detarëve “Adri-Jon”, Dashamir Janina. “Profesionin e detarit e kemi mësuar nga kapedanët ulqinakë”, shprehet Janina, dhe përmend me radhë një sërë detarësh që krijuan themelin e flotës sonë tregtare. Janina kujton një nga lundrimet e tij me anijet e flotës shqiptare, kur nga shtëpitë e Ulqinit i përshëndesnin sipas traditës me shami të bardha.

Edhe Galip Dedej nga Kavaja kujton mësuesin e tij të parë të detarisë, duke u shprehur se “kapidani ulqinak, Iljaz Truma, bashkë me profesionin, më ka mësuar jo vetëm mua, por qindra marinarëve të tjerë, kulturën e detarisë, respektin për shokët dhe dinjitetin e flamurit”.

“Hydaverdi”, “Posta e Durrësit”, “Sofie Muradie”, “Marshallah” apo “Skënderi” ishin disa nga motovelierët që mbërritën para 100 vitesh në Durrës, ndërsa 92-vjeçari Abdullah Uruçi, i cili ka lindur në një shtëpi në kalanë e Ulqinit, tregon për ATSH-në se “babai im kishte një sanall me të cilin kryente tregti në portet e detit “Adriatik, por më pas edhe ai si shumë bashkëqytetarë të tjerë erdhën në Durrës”.

Kanë kaluar 100 vjet dhe ndjehemi mirë në Durrës, vijon bisedën detari Hysni Elezi. Familja ime është shpërngulur nga Ulqini kur unë isha vetëm tre muajsh, ndërsa tashmë jam 75 vjeç, thotë Hysniu, duke shtuar se që nga mosha 14-vjeçare ka punuar vazhdimisht në det. Edhe bashkëshortja e tij vjen nga familja e Bilalëve, me traditë në fushën e detarisë.

Ai thotë se do të ishte shumë mirë që bashkia e Durrësit të krijojë një muze të detarisë, me të cilin nuk do të harrohen detarët e vjetër durrsakë dhe ulqinakë, por mbi të gjitha do të kujtohet një traditë e vyer, e cila duhet çuar përpara.

Kryetari i bashkisë së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, duke marrë mikrofonin, thotë me humor se ndjehet xheloz për homologun e tij të Durrësit. Në qytetin tuaj banojnë edhe shumë prej pasardhësve të familjeve me emër që kanë jetuar në kalanë mesjetare të Ulqinit, shprehet më pas ai, duke shtuar se qytetet bregdetare tashmë po bashkëpunojnë edhe më shumë. /s.s./

lajme.gen.al
YouTube Preview Image