Pirro Çako dhe Alban Skënderaj me duet dhe videoklip

September 5, 2010   | Lajmet / Vijesti

E kanë provuar të këndojnë të dy në një koncert që u organizua pak kohë më parë në Toronto (Kanada), dhe ndaj do të rikthehen sërish bashkë. Kantautori Pirro Çako dhe Alban Skënderaj, kanë realizuar një duet interesant, që pritet ta bëjnë shumë shpejt klip. Shkak për këtë bashkëpunim në fakt është bërë një projekt i “Top Channel”, ku dy artistët kanë kënduar së bashku në një nga puntatat e spektaklit që do transmetohet në “Top Channel” në sezonin e ri televiziv. Me këtë rast ata kanë menduar që të realizojnë këtë këngë të re, që do ta lançojnë në kanalet muzikore si klip tani në vjeshtë. Ky do të jetë një tjetër bashkëpunim i Pirros, pas atij në klipin “Nje tjetër jetë” me Eliza Hoxhën dhe Rosela Gjylbegun. Ndërsa për Albanin, ky bashkëpunim vjen pas atij me të dashurën e tij, Miriam Cani. Pirro Çako tashmë po i kushtohet vetëm muzikës, ndërkohë që ka bashkëpunuar me shumë këngëtarë të rinj edhe si autor tekstesh. Këtë periudhë ai është duke punuar edhe për përfundimin e albumit të tij të ri. Në lidhje me jetën private kantautori gjatë gjithë procesit të divorcit nga Inva Mula është treguar i rezervuar, dhe nuk ka pranuar të flasë askund për këtë çështje, ndërkohë që mediat shkruajnë edhe për ndarjen nga e dashura, Anja. Ndërsa Alban Skënderaj vazhdon bashkëjetesën me Miriamin në Gjermani, dhe po ashtu udhëton shpesh drejt Tiranës i ftuar në koncertet apo evenimente artistike. Në fillim të verës ai promovoi klipin e tij më të ri në “Fari Club” në Tiranë. Në ceremoninë promovuese të klipit “Si më parë” ishte dhe Miriami, e cila e shoqëron shpesh në udhëtimet e tij. Kënga është realizuar dhe në variantin italisht, posaçërisht për atë treg dhe do të lançohet në Itali këtë vjeshtë. Ky ishte një klip që si gjithmonë Albani e ka realizuar vetë muzikën dhe tekstin. Pas pushimeve ai do të punojë për nxjerrjen në treg të albumit të tij të tretë.

Shqipmedia
YouTube Preview Image