Jeta Faqolli: “Familja, ëndrra e çdo femre”

September 7, 2010   | Lajmet / Vijesti

Për shumicën e publikut, këngëtarja e re Jeta Faqolli, i përket këngëtareve që vijnë nga diaspora dhe kanë konsoliduar suksesin e tyre atje. Pak e dinë që vajza ka lindur dhe është rritur në Shqipëri, ndërsa Maqedonia është vendi që i dha suksesin e parë të madh.

Atje, me sa duket, këngëtarja ka mësuar sekretet për t’u bërë e famshme, sigurisht duke pasur një talent të mirë, dëshirë për të investuar te muzika dhe instiktet që ngjallin “Provokimet”, sikundër titullohet albumi më i suksesshëm i saj. Të pathënat e jetës së Jeta Faqollit, në një intervistë, pak ditë pasi këngëtarja ka festuar ditëlindjen e saj.

Jeta Faqolli, ka lindur në qytetin e Librazhdit. Ka qenë vetëm 5 vjeçe kur nisi karrierën si këngëtare, falë pjesëmarrjes në koncerte dhe festivale për fëmijë. Në moshën 10 deri 14 vjeç, studion për mandolinë. Pikërisht gjatë kësaj kohe, familja e saj transferohet në Tiranë. Përshtatja me ambientin dhe jetën në një metropol, ishte tepër e vështirë për Jetën, e cila për herë të parë u ndesh me ftohtësinë dhe indiferencën e një qyteti kaq të madh.

Në vitin 2001, merr pjesë në festivalin e pranverës dhe pas disa muajsh, nis përgatitjet për albumin e saj të parë, realizuar në studion “FAF” dhe punuar nga Fabian Asllani. Në 2002-shin albumi i titulluar “Mashkull i hutuar” del në treg, shoqëruar nga klipi promocional me po të njëjtin titull. Kënga “Mashkull i hutuar” e bën atë të njohur për publikun dhe i hap dyert për koncerte. E fillojnë kështu performancat në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë. Merr pjesë gjithashtu në disa festivale, si “Top Fest”-i, “Nota Fest”-i apo “Poli Fest”-i, e në festivalin e fundit merr edhe një çmim për Interpretimin më të mirë.

Në vitin 2005 nxjerr videoklipin e ri, me titull “Vetëm me ty”, një kompozim i Gramoz Kozelit, me tekst të Gjergj Jorgaqit. Albumi i saj i dytë titullohet “Provokimet” e shoqërohet nga klipi me të njëjtin titull. Kënga me tekst të Avni Qahilit dhe kompozim të maqedonasit Darko Dimitrov bëhet tepër popullore dhe Jeta bën sërish bujë në tregun muzikor. Kurse prezantimi i saj më i ri përpara publikut është ai me klipin “Aman derman”, i cili transmetohet në Supersonic.

“Aman derman” titullohet një nga klipet e tu… Çfarë mund të na thuash në lidhje me të?

Mund të them se ka ardhur në momentin e duhur… Unë e kam parim që për çdo fillim vere, të hedh në treg një klip të ri. Edhe “Aman derman” e publikova në fillimin e verës që lamë pas. Një vit më parë, kisha sjellë këngën “Konkurrenca”, po në fillim të verës.

Mendon se këto dy klipe kanë ardhur afër apo larg nga njëri-tjetri?

Mendoj se mes të dyve ka mjaftueshëm distancë. Dhe t’i kesh klipet afër e afër, nuk ia vlen, po nga ana tjetër, duhet të jesh e pranishme te publiku me punë të reja, sepse ai kërkon vazhdimisht nga ty

Klipi është goxha i realizuar… Ku e ke punuar atë?

Në Maqedoni.

Në fakt, shumë njerëz mendojnë se ti je nga Maqedonia… Pse është krijuar kjo përshtypje?

(Qesh) S`e di, por e kam dëgjuar këtë dhe më bën çudi. Njerëzit ndoshta mendojnë kështu ngaqë unë emrin e kam krijuar fillimisht në Diasporë, e më pas këtu në vendin tim. Pastaj, kam jetuar një kohë të gjatë në Maqedoni e ndoshta kjo është një tjetër aryse.

Sa kohë ke jetuar në Maqedoni?

Plot pesë vite

Dhe çfarë të shtyu të ktheheshe sërish këtu?

S`ka asnjë arsye madhore… Thjesht pata dëshirë të vija në Tiranë dhe erdha.

Pse e more vendimin për të jetuar për një kohë kaq të gjatë në Maqedoni?

Në fillimet e karrierës sime, unë menaxhohesha nga studio “FAF”, e cila na organizonte vazhdimisht koncerte dhe mbrëmje muzikore në Maqedoni. Mua më pëlqeu atje, madje ndodhi që një herë gjeta punë për një muaj dhe kështu, mora një shtëpi me qera. Edhe punën e kisha të garantuar, pastaj fillova dhe shkollën e kështu pata disa arsye të rrija në Maqedoni.

E pate të lehtë të përshtateshe me jetën që gjete atje?

Më pëlqeu shumë Maqedonia, që në fillim. Krijova miqësi dhe e pata mjaft të lehtë të përshtatesha.

Kurse tani je rikthyer në Tiranë… Po të përshtateshe sërish me jetën këtu, e pate të lehtë?

Ndonëse jetoja në Maqedoni, unë vija shpesh të vizitoja të mitë, që jetonin në Tiranë, kështu që nuk mund të them se kisha nevojë për t`u ambientuar nga e para, meqenëse raportet nuk i kisha shkëputur për asnjë moment me Tiranën.

Po të pëlqen këtu?

Shumë, sepse Tirana ka ndryshuar goxha dhe për mirë.

Mund të themi se ju artistët jeni milionerë?

Jo, nisur nga përvoja ime personale, nuk mund ta themi. Artistët siç i fitojnë lekët, ashtu dhe i investojnë nga e para në profesion

Për çfarë i shpenzojnë konkretisht paratë në profesion?

Po veçanërisht për të bërë këngë dhe klipe të reja. Pastaj, për ne artistët imazhi është i rëndësishëm dhe harxhojmë shumë para edhe përsa u përket veshjeve apo pamjes së jashtme.

Meqë jemi këtu… Ti ke linja perfekte. Krejtësisht natyrale?

Krejtësisht!

Po të paktën, tregon kujdes me ushqimin!

Nuk është as kjo, përkundrazi, ha aq shumë sa ti do habiteshe me mua… (Qesh) Puna është se kam organizmin dhe metabolizmin e mirë dhe nuk shtoj në peshë. Jemi tre vajza në familje dhe që të treja kështu e kemi trupin, fill. E kemi në gen elegancën!

Jeni tre motra bukuroshe në familje dhe vetëm ti merresh me muzikën. Pse?

Në fakt, kam dhe motrën e cila ka kënduar me mua kur ishim të vogla, po pastaj e la muzikën, nuk di pse. Mund të them se unë jam këtu ngaqë e vazhdova këtë rrugë dhe jo sepse jam më e talentuar se motra.

Me çfarë merret ajo tani?

Ajo në fakt, ka pasur po aq fat sa unë, po në tjetër drejtim… Është martuar dhe ka një familje të mrekullueshme.

Mendon se hoqi dorë nga muzika pikërisht se ndërtoi një familje?

Absolutisht jo! Nuk mendoj se duhet të zgjedhësh midis familjes dhe karrierës, mendoj se mund t`i kesh të dyja, nëse i dëshiron vërtet.

Ty të pëlqen të krijosh familje?

Shumë, kjo është dëshira e çdo femre.

Po deri tani, çfarë të ka penguar ta bësh këtë?

Ndoshta nuk kam gjetur njeriun e duhur. Bëj dhe një jetë dinamike dhe kjo m`i ndërlikon pak gjërat. Sa nga një koncert në tjetrin dhe kjo m`i vështirëson paksa gjërat në jetën personale.

Meqë jemi te koncertet… Ato janë burimi kryesor i fitimit për ty?

Po, koncertet. Megjithatë këtë periudhë kriza financiare na ka prekur edhe ne këngëtarëve dhe të them të drejtën, është bërë e vështirë të fitosh para me muzikën.

Unë mendoja se ju fitonit më tepër nga dasmat.

Jo të gjithë, disa prej nesh. Unë për shembull, nuk kam repertor dasmash dhe s`kam kënduar asnjëherë për para në dasma. Po në të ardhmen nuk i dihet, nuk është se e paragjykoj si repertor dhe si punë.

S`ke kënduar kurrë në një dasmë?

Për punë, jo. Por para disa muajsh martova një shoqe në Maqedoni dhe këndova nja 2-3 këngë në dasmën e saj, thjesht sa për qejf. Ama nuk mund ta mbaj një dasmë të tërë, pasi nuk kam repertor.

The se edhe muzika ka hyrë disi në krizë. Ke menduar të ushtrosh ndonjë profesion tjetër në të ardhmen, që të mos varesh krejtësisht nga muzika?

Po, pse jo? E kam menduar një profesion tjetër, sepse atë mund ta mbash krahas këngës.

Çfarë do të të pëlqente konkretisht?

Të isha menaxhere e ndonjë pabi. Të kisha një klub timin, do ishte akoma më mirë, po dhe nëse kjo s`është e mundur, të paktën të isha menaxhere. Më pëlqen ky pozicion dhe për më tepër, mendoj se mund ta bëj mirë.

Nuk është se ke paragjykime për punë më të thjeshta, apo jo?

Aspak! Çdo punë është fisnike dhe nuk duhet paragjykuar.

Po atëherë, pse të mos punoje le të themi, sanitare diku?

(Qesh) S`kam asgjë kundra kësaj, vetëm se nuk mundem… Unë tashmë kam krijuar një emër, njihem nga njerëzit dhe disa profesione do ishte e vështirë dhe e sikletshme t`i bëja. Po të kisha qenë anonim, do e kisha bërë pa problem çdo lloj profesioni.

Domethënë, të qenit e famshme të krijoka probleme?!

Jo tamam! Mua më pëlqen kur njerëzit në rrugë, më përshëndesin dhe më përgëzojnë për klipet.

Nuk ndihesh në siklet kur, për shembull në një pab, të ngulin sytë dhe përshpërisin për ty?

Jo, nuk ndihem në siklet por sillem normalisht. Kjo gjë nuk më pengon. Megjithëse, e pranoj se kur jam në festa me personazhe të tjerë publikë, ndihem më rehat. Në kësi rastesh, jemi të gjithë të një kategorie, kështu që nuk jam në qendër të vëmendjes.

Meqë ra fjala te festat… Pak ditë më parë, ti festove ditëlindjen dhe më bëri përshtypje fakti që aty ishin të pranishëm disa personazhe VIP. Ke shumë miq nga ky ambient?

Miq fare të ngushtë, jo, por jemi njohur nëpër koncerte apo aktivitete të ndryshme dhe e respektojmë njëri-tjetrin. Kastro Zizon apo Florjan Mumajesin, i njoh që përpara se të ikja për të jetuar në Maqedoni, njihemi që në fillimet e karrierës. Kurse kishte dhe personazhe të tjerë, si Anjeza Branka apo Ingrit Gjoni, të cilat i falenderoj për respektin.

Kush të bëri më tepër pis me tortë?

Të gjithë nga pak. (Qesh)

The se njihesh me Kastron përpara shumë vitesh. Jeni shumë miq?

Po, Kastro nuk është thjesht miku im… Ai ka kompozuar këngën time të parë.

Revista Shqip
YouTube Preview Image