Ftjani – Kisha në Mustafaj

September 14, 2010   | Rajoni / Region

Në lagjen muslimane të Mustafajve gjendet kisha e Ftjanit, një kishë e vogël e njohur me emrin “Kisha e Shën Aleksandrit”. Për këtë kishë ekziston një legjendë sipas të cilës dy motra të pavëllezër, e kanë pru dhenin aty prej “nënkshtenjave” të Pepgjonajve, duke formuar kështu një kodrinë të vogël artificiale mbi të cilën është ngritur kisha, diku rreth vitit 1603. Mu pranë temelit të kësaj kishe, më vonë u varrosen edhe këto dy motra. Sigurisht, kjo është vetëm një legjendë, por sikur qëndron shumë afër një të vërtete, sepse edhe sot, në dukje, vendi i kësaj kishe duket si të ketë qenë një kodrinë artificiale. Në dokumentet e vjetra flitet edhe për një kishë tjetër në këtë fshat, por nuk dihet ku ka qenë ajo. Kur Gjergj Bardhi kishte vizituar Ftjanin ai kishte predikuar në kishën e “Shën Pjetrit”. Sipas Andrija Zmajeviqit, në Ftjan kishin kishën e ‘Shënkollit’ dhe kishën e ‘Shën Aleksandrit’, të dyja të shëmbura nga tërmeti. Ndërsa, më pas, Vinçent Zmajeviqi thotë se: “Tesiqi (Ftjani) kishte kishën e Shën Aleksandrit (Shën Llezhdrit) në gjendje të mirë materiale…’ Nga këtu kuptohet se në Ftjan kishte më shum se një kishë, përkatësisht tri kisha: të Shën Aleksandrit, të Sën Pjetrit dhe të Shën Kollit. Por se ku ishin kishat tjera, nuk mund të përcaktohet. Sigurishtë që njëra prej këtyre kishave ishte ortodokse, pasi relatorët përmendin këtu edhe familje të tilla.

Ftjani – Facebook