Haxhi Shabani dhe libri- Jam ai që nuk jam – Video

September 19, 2010   | Opinione

Tipologjia e poezisë së Haxhi Shabanit

Poezia, si art i evokimit, gjuhën e ka esencë, nëpërmjet së cilës konstrukton imazhe, ndjenja, mendime, emocione, tablo jetësore, perceptime për jetën e metafizikën. Është ligjërimi poetik i pazakontë, ajo gjuhë e figurshme e konotuese, si tipar qenësor i qenies së letërsisë, veçmas i poezisë, që e bën këtë art të veçantë. Pra, gjuha duke qenë esencë e komunikimit poetik, kuptohet si njëri nga tiparet më të çmueshme, më thelbore i artit të poezisë. Duke qenë e tillë, ajo shprehjen poetike e përpunon mjeshtërisht dhe e ngjesh me figura stilistike të ndryshme dhe i jep kështu tekstit poetik karakter polisemantik. Pra, poezia si art i evokimit lidhet pafundësisht me figurat, me gjuhën që krijohet nga modeli poetik i asociacionit të shenjave dhe simboleve, që në gjuhën poetike, krijojnë situata e imazhe emocionale të posaçme, duke sublimuar të bukurën dhe të këndshmen (Horaci), brenda një qerthulli poetik origjinal.

1.Diskursi poetik
Poet me shije të hollë artistike, me një leksik të veçantë që vjen nga freskia e aromës së detit dhe evokimeve për të bukurën, Haxhi Shabani del para lexuesit shqiptar tanimë me përmbledhjen e re poetike Jam ai që nuk jam, përmbledhje kjo që të ngashnjen me tiparet stilistike e gjuhësore, që kanë burimin nga deti dhe janë të përpunuara në laboratorin krijues, të një poeti të frymëzuar. Filozofia poetike e autorit Haxhi Shabani është e ndërtuar përmes një strukturimi poetik që e dyzon tokësoren me metafizikën, duke e shpërqendruar tekstin nga ligjërimi i drejtpërdrejtë, në atë implicit, ku goditëse janë metaforat e krahasimet e zgjedhura, sikur që del te poezia Ndjenja , në të cilën shpërfaqen fuqishëm klithmat poetike autoriale, karshi furtunave të jetës e sfidave të poezisë: Si një rrebesh shiu/ Si një furtunë ere/ Hyre në mua/ Duke vënë peshën tënde të lehtë mbi mua/ Më thoshe/ S’ka gjë më të bukur/ Dhe ike. Ky tip i diskursit lirik përshkon poezinë fuqishëm, ndërkaq del në një instancë poetike, te poezia Magji , në vargjet e së cilës, transfigurohet në lirikë, një gjendje poetike e tendosur, që kërkon shpërthimin, atë katharsisn shpirtëror aristotelian, që prehjen e gjen më së miri te poezia, te amshueshmëria e fjalëve: O sa kam nevojë të braktis/ Burgun e njëtrajtshmërisë/ Burgun e përditshmërisë/ Të pushtohem nga liria e magjisë. Dhe kjo liri e magjisë, si kërkim lirik, është sublimim i përceptimit për dashurinë (femrën) dhe lirinë universale, si frymëmarrje për jetë, si inspirim për poezi e çka jo tjetër. Së këndejmi, autori bukur do t’ i këndojë gruas te vjersha Floçkë deti, grua toke: S’i lidh flokët/ i lë të jetojnë/ në gjatësinë e dendurinë e tyre/ Ti Floçkë Deti, sydet moj. Një modus të tillë lirikë, të fuqishëm dhe thellësisht inspirues, e gjejmë edhe te poezia tjetër, Veç me sy, në të cilën poeti përmes një tablo dashurie, shkrin ndjenjat e tij poetike për aktin erotik, duke lartësuar atë me përjetshmërinë e fjalës së brumosur me figura të gjetura stilistike. Perceptimet poetike të autorit për dashurinë janë të zjarrta. Ai Edhe symbyllur e sheh objektin e tij letrar, qenien femër, e përfytyrimi për atë, është i zjarrtë, shpërthyes. Ai e sheh edhe kur nuk e ka pranë, brenda një hapësire gjeografike që shkëlqen me pamjen e detit dhe figurat e mrekullueshme poetike që dalin nga gjiri i tij herë i qetë e herë i tendosur. Prandaj, atëherë kur janë të portokalltë dielli e hëna, në muzgun e detit, ai përjeton dashurinë deri në amshueshmëri, për të lindur një djalë e një vajzë, të krahasuar me diell e hënë, te poezia me të njëjtin titull. Me një trajtshmëri tjetër topike, ky model ligjërimi shpërfaqet te poezia Ha trurin tim, ku objekti zhvendoset në dimensionet metafizike të kërkimeve letrare, për gjetjen e identitetit, si shenjë dhe shënjues të kësaj poezie, si kërkime autoriale karshi tekstit e kontekstit. Për të sforcuar këtë tip të diskursit lirik, autori kërkon gjurmët që e mbështesin drejtpeshimin e tij në kohë e hapësirë, si domosdo: Unë hyj në trurin tim/ në atë masë të zorrtë e të pistë/ me dëshirë që të vë në vend/ dërrasën që e kam mangut/kërkoj gozhdat për gozhdim/ ato janë shtrembëruar/ janë ndryshkur. Një poezi interesante, ku del në pah dufi dhe shpirti i pasionuar i Haxhi Shabanit pas të bukurës dhe fjalës poetike, është vjersha që poeti i kushton Lasgush Poradecit, me titull I padukshëm për të padukshmit. Si çdo poezi kushtimi, edhe kjo, bart në vete emocionin e adhurimit, mirëpo jo duke rënë teksti lirik në retorikë fjalësh, përkundrazi adhurimi dhe dashuria për poetin, bëhen shtytëse për të ndërtuar trupin e një poezie, e cila sintetizon shumë dimensione semantike dhe njëherësh shpreh intencionalitetin tekstor të autorit, si projeksion kulturor e letrar. Në këtë vjershë, ndjehet një fuqi stigmatizuese për përbuzësit e poetit, për ata që indiferencën e kthejnë në normë, e kështu përmbysin poetin e madhërishëm, të dashurin e autorit: Duhet të jesh mërzitur/Tmerrësisht duhet të jesh mërzitur/ Në qetësinë e liqenit/ Në plotëninë dhe zbrazëtinë e tij/ Nuk kam parë liqe me faqe aq të qeta/ Unë në qytetin tënd të lindjes/ Të kërkoj/ Por ata që i pyes/ ty shtëpinë saktësisht nuk ta dinë/ Thonë atje dikund/ Duhet të jetë/ Duke u rindërtuar është/ Duhet të jesh shastisur. Ndërkaq, ligjërimi poetik, duke stigmatizuar indiferencën, thur lavdinë për poetin, ngase ai mbetet I padukshëm, por jo për të dukshmit, por për të padukshmit, kështu teksti lirik konstituon një gjendje ideore poetike të triumfit, i vetëdijshëm se poeti është në lartësi dhe thellësi, aty ku të padukshmit nuk mund të nuhasin e shohin. Thellësitë janë të thella/ Nuk gjenden në cektinë/ Prandaj mos u mërzit .

2. Motivet e detit

Një ndër tiparet me karakteristike të poezisë së Haxhi Shabanit është prania e përhershme e detit, në variacione të ndryshme, si topikë dhe ligjërim i brendshëm poetik, pra, janë motivet e detit që sublimojnë të bukurën, harmoninë, të përhershmen, madhështinë, ato elemente që e përshkojnë poezinë si tematikë dhe ligjërim. Në të vërtetë, teksti poetik i Haxhi Shabanit, duke pasur një sistem të tillë poetik të konfigurimit, bëhet dinamik, me një shprehje të kondenzuar poetike, me drithërima vibruese e që përshkohen mjeshtërisht nga inspirimi i subjektit poetik karshi objektit. Poezia e Shabanit është e brumosur fund e krye me motive deti dhe këto motive konotojnë gjithashtu fuqishëm në dimensionet semantike dhe stilistike të kësaj poezie, e pasurojnë tekstin poetik me një sistem figurativ interesant, që thith mjeshtërisht lëndën e pasur të detit, me një leksik të përzgjedhur poetik që funksionalizon këto shenja poetike në gjithë trupin e kësaj poezie, sepse kjo frymë, e përshkon atë si Erë Maestrali dhe pa të autori predestinohet të mos frymojë, ndërkaq poezia e tij, të mbetet pa lëngun e nevojshëm, pa frymën e inspirimit: Pa këtë erë/Mendimet do t’më ishin ngrirë. Në të vërtetë, janë pra tiparet e detit, si shenjë e shënjues të kësaj poezie, që tekstit poetik i japin një konotim universal në kohë, ndërkaq shprehjen poetike e bëjnë dinamike, emocionin më shpërthyes, gjuhën më subtile, sikur ta zëmë tek variantet lirike të vargjeve Shi në bregdet, ku autori këndon bukur: Zgjohen herët në brigjet e Bunës/ Lajnë kokën me ujë të ëmbël/ Shpupurishin rërën me nxitim/ Dhe ngrihen në qiell. (Pulëbardhat e qytetit). Këtë model të diskursit lirik, e gjejmë edhe te poezia Kushtesa, në të cilën, Ulqini nuk është vetëm simbol i poezisë, por një kodeks kulturor, një kushtesë që dhemb, si një reminishencë e një kujtese të trishtë, nëpër të cilën zhbërja ishte e madhe, prandaj kërkimet identitare janë të forta. Nga ky kontekst, poeti shprehet: Në Mol të Madh/ Në Mol të Vogël/ Duke dënesur, ju thoshte/ Ky është Zoti im. Në poezinë e Shabanit ndjehet fuqishëm tendenca për të transfiguruar në vargje jetën e bukur të detit, mrekullitë e tij, të simbolizuara në Ulqinin e dashur të tij poetik, ku e bukura përjetësohet në pafundësitë e përjetshme dhe krahasimet që gjen autori në poezinë E marta e Parisit, e marta e Ulqinit, ndërkaq teksti poetik rrëshqet në dimensionet intelektuale, e poeti portretizon Parisin e poezisë, në Parisin e librit, aty ku: Poetët kishin projektuar/ më shumë se një shekull më parë/ shtëpinë e librit.

Ndue Ukaj
Koha Javore
YouTube Preview Image