Ulqini me 17 tetor në zgjedhje lokale

October 4, 2010   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Nga i dërguari special Besim TOSKA
Ulqin, 1 tetor 2010 –
Rreth tetëmbëdhjetë mijë qytetarë të Komunës së Ulqinit, thuajse qind për qind shqiptarë me 17 tetor do të zgjedhin të preferuarit e tyre komunal. Edhe pse zgjedhjet lokale u mbajtën me 23 maj të këtij viti, asnjëra nga partitë nuk arriti që të fitoi shumicën për formimin e pushtetit të Komunës së Ulqinit. Qytetarët do të zgjedhin 33 deputetë të Kuvendit Komunal të Ulqinit, ku edhe shumica do të marr në udhëheqje pushtetin komunal. Qytetarët e kësaj komune kanë mundësi që të zgjedhin njërën nga nëntë partitë që do të mbrojnë interesat e tyre: Koalicioni UDSH-PPD, Forca e Re Demokratike, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Lëvizja qytetare Perspektiva, Grupi i qytetarëve Integrimi, Koalicion për Malin e Zi dhe Ulqin më të mirë, Partia Demokratike e Socialistëve, Partia Social Demokrate dhe Partia Boshnjake. Por edhe në këto zgjedhje beteja më e madhe pritet të jetë ndërmjet dy partive kryesore shqiptare: Forca e Re Demokratike dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve në koalicion me Partinë e Prosperitetit Demokratik.
Gëzim Hajdinaga, kryetar i Komunës së Ulqinit dhe bartës i listës së koalicionit UDSH-PPD, tha për agjencinë e lajmeve “Kosova Info” se interesimi i kosovarëve është edhe për situatën politike të shqiptarëve në Malin e Zi, konkretisht në Komunën e Ulqinit. “Ne kemi pasur zgjedhjet me 23 maj dhe koalicioni ynë për Ulqinin Evropian – Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Demokratike Socialiste, kanë arritur numrin më të madh të mandateve”, tha Gëzim Hajdinaga. Ai shtoi se së bashku ma partnerët e vjetër të shumicës me partnerët lokal me PSD dhe Partinë Shqiptare për Prosperitet Demokratik, kanë fituar shumicën 18 mandate. “Për hir të asaj që një nga partnerët minor me numrin e këshilltarëve kanë dashur të na vendosin këmbën dhe kanë kërkuar të pamundurën dhe kemi vendosur që edhe një herë të shkojmë në zgjedhjet e reja për herë të parë të përsëritura në Komunën e Ulqinit”, tha Hajdinaga. Zgjedhjet i ka shpallur kryetari i Malit të Zi. Bartësi i listës së koalicionit UDSH-PPD, tha se këtu kanë një risi, sepse nuk do të jenë në koalicion me Partin Demokratike Socialiste (parti malazeze). Kreu i Komunës, tha se si UDSH, jo pse kanë prishur marrëdhëniet, por janë dakorduar në një partneritet tepër korrekt si në Ulqin ashtu edhe në piramidën qendrore që është më mirë që të shkohet veç e veç. Kjo bëhet me qëllim që të shihet kapaciteti dhe potenciali i partive dhe të akumulohen sa më shumë vota te dy palët. “Me 17 tetor në orët e vona do të nënshkruhet marrëveshja pas zgjedhore parti këto që për katër vjet kanë udhëhequr me Komunën e Ulqinit. Ne do të jemi në koalicion me Partinë Shqiptare të Prosperitetit Demokratik të Ali Rexhës  me Unionin Demokratik të Shqiptarëve  me një listë të përbashkët”, tha Gëzim Hajdinaga. Ai më tej shtoi se pret që lista PDS-së në orët vona të 17 tetorit do të tregon se këto parti do të fitojnë shumicën në Asamblenë Komunale të Ulqinit. “E rëndësishme është që unë si kryetar komune jam edhe bartës i listës dhe anëtarë i UDSH-së dhe për këtë ka vendosur partia që të jem bartës i listës”, tha Hadinaga. Sipas tij Ligji Zgjedhor ka bërë një kthim prapa në standardet demokratike dhe tashmë kryetarin e komunës do ta zgjedh shumica parlamentare, jo më direkt populli. Gëzim Hajdinaga, tregoi se mandatin e ka deri në vitin 2011 dhe këtë mandat do ta vazhdoi dhe me të kryer këtë mandat Hajdinaga pritet të ri zgjidhet nga shumica për mandatin tjetër. I pyetur se nëse do të humbin shumicën e zgjedhjeve, Gëzim Hajdinaga, u përgjigj se: “Nuk do të humbim, por nëse ndodh nuk jemi shumicë parlamentare. Edhe në vitin 2006 nëntë muaj kam qenë pa shumicë parlamentare dhe kam funksionuar me ekzekutivin tim dhe unë vazhdoi  punën me drejtorët e mi deri në fund të mandatit dhe do të shohim atëherë kur më skadon afati si kryetar”. Ai është i sigurt se lista e tyre së bashku me PDS-në do të fitoi shumicën e nevojshme prej 17 mandateve për të pasur edhe shumicën në Asamblenë Komunale.
Ilir Llazorja, sekretar i partisë Forcës së Re Demokratike, tha për agjencinë e lajmeve “Kosova Info” se zgjedhjet që do të mbahen me 17 tetor po përsëriten. Kjo po ndodh  sepse dy muaj më parë zgjedhjet dështuan, sepse asnjëra parti nuk arriti të fitoi shumicën për Asamblenë Komunale. “Presim rezultate të reja, përmirësim dhe përforcim të rezultateve. Ku në rezultatet e kaluara, ne kemi shënuar një rritje të madhe dhe për mbi tre vjet që kur jemi themeluar kemi arritur që të jemi partia më e madhe jo vetëm në Ulqin, por në tërë Malin e Zi”, tha sekretari i Forcës së Re Demokratike. Ilir Llazorja, i cili më tej shtoi se nga këto zgjedhje presin që të marrin rezultate dhe përkrahje më të madhe nga qytetarët, të cilët e kanë kuptuar se qeverisja aktuale, nuk ka qenë në gjendje ta menaxhoj Komunën e Ulqinit për katër vite. Siç tha ai ata nuk arritën as të bëjnë koalicionin e ri dy muaj më parë kur u zhvilluan zgjedhjet. “Pasi  nuk arritën të bëjnë koalicionin qeverisës, shihet se koalicioni për Ulqinin Evropian kanë dështuar”, tha Ilir Llazorja. Sipas tij Forca nga këto zgjedhje presin rezultat të ri, synojnë përkrahje shumë më të madhe nga qytetarët që rezultojnë me fitoren  e Forcës së Re Demokratike. Edhe pse ligji ka ndryshuar mandati i kryetarit aktual vazhdon dhe me ardhjen e kuvendit të ri, do të shqyrtohet edhe mandati i kryetarit se a do të mbetet apo jo edhe një vit. “Unë besoj se nuk do të rri kryetari më tepër, sepse ai ka dështuar në të gjitha premtimet që ka  dhënë, po ashtu edhe menaxhimi i tij. Kryetari nuk ka realizuar asnjërin nga premtimet që ka dhënë katër vjet më parë dhe kjo tregon dështimet e tij”, tha sekretari Llazorja.  Ai shtoi se Kuvendi  i Ulqinit me 33 vota, ka kërkuar kthimin e Valdanosit, por kryetari shkeli vendimin dhe vetë u bë pjesë e komisionit për shitjen e saj. Sekretari i Forcës, shtoi më tej se kryetari nuk mund të mbrohet nga keq menaxhimi i tij. “Jemi e vetmja parti në Ulqin që kemi program, partitë tjera nuk kanë”, tha Ilir Llazorja. Ai tregoi se në planin  e Forcës kanë të gjitha pikat e problemeve që ka Komuna e Ulqinit.

Besim TOSKA
Kosova.info

5