Klubi i karatesë Ulqini vazhdon traditën e vet me rezultate të shkëlqyera

October 11, 2010   | Sporti / Sport

Curoviqi vazhdon të jetë më i miri

Të dielën, më 10 tetor 2010 në Kollashin u mbajt Turneu ndërkombëtar i karatesë “Kollashinski pobednik 2010”, në të cilin 6 (gjashtë) garues seniorë të klubit të karatesë “Ulqini” arritën një sukses të shkëlqyeshëm, duke mbrojtur përsëri renomenë e tyre dhe të klubit, duke përsëritur rezultatin e garës së kaluar dhe me këtë dëshmuan edhe njëherë se jemi në formën më të mirë. Në këtë turne u kurorëzuam me 16 medalje: 9 medalje të arta, 7 të argjendta dhe një kupë për garuesin më të mirë të këtij turneu.

Përsëri karateisti i këtij klubi Viktor Curoviq, i cili u kurorëzua me dy medalje të arta dhe një të argjendtë, u shpall garuesi më i mirë i Turneut. Curoviqi edhe këtë herë dëshmoi që është më i miri dhe me këtë mbrojti dhe titullin e vet si garuesi më i mirë. Ai nga ky vit është student në Fakultetin e edukatës fizike në Universitetin e Prishtinës dhe atje ka filluar që stërvitjet t’i bëjë me karateistin e njohur, të madhin Afrim Latifin.

Me nga dy medalje të arta u kurorëzuan edhe garuesit Liridon Elezi dhe Dardan Ceka, ndërsa garueset Gentiana Korpuzi, Fiona Beqiri dhe Gresa Hyseni u kurorëzuan me nga një medalje të artë dhe dy të argjendta. Këto tri garuese janë karateiste nga Kosova, të cilat tashmë u bënë pjesë e Klubit tonë dhe do të vazhdojnë të garojnë për ne edhe në të ardhmen. Atyre edhe kjo garë i shërbeu si provë para Kampionatit Botëror për seniorë i cili do të mbahet në Beograd në fund të këtij muaji.

-Në këto dy garat e fundit morëm pjesë me pak garues, jo për shkak të mungesës së garuesve në klub, por për shkak të anës financiare. Do të mundohemi që me shumë sakrifica në disa gara të marrim pjesë edhe të kompletuar që të mos zhgënjejmë garuesit tanë dhe shpresojmë që nga ato gara do të sjellim trofe në Qytetin tonë ashtu siç dhe kemi bërë deri tash vite me radhë, – shprehet trajneri Naim Duraku i cili është njëkohësisht edhe refer dhe ka referuarë në këtë garë.

Garuesit tonë ishin të shoqëruar nga ish kampioni evropian në kategorinë absolute në luftëra për seniorë dhe mbajtës i shumë titujve ballkanikë, evropianë e botërorë, i madhi Afrim Latifi. Latifi përndryshe është mik i vjetër i klubit të karatesë “Ulqini” dhe këshilltar i mirë i yni, këshillat e të cilit janë të mirëserdhura me qëllim të avansimit më të lartë të karatesë në përgjithësi, e posaçërisht të klubit tonë.

Në Turneun “Kollashinski pobednik 2010” morën pjesë 23 klube me mbi 420 garues.

SHËRBIMI INFORMATIV I KLUBIT TË KARATESË “ULQINI”