Sinishtaj: Shqiptarët në Malin e Zi s’e kanë hallin e “Shqipërisë natyrale”

November 3, 2010   | Rajoni / Region

Podgoricë, 3 nëntor – Shqiptarët në Malin e Zi nuk duket se kanë treguar ndonjë interesim, dhe askush nga përfaqësuesit e tyre legjitimë nuk ka marrë pjesë në aktin e promovimit të “Listës për Shqipërinë Natyrale”.

Liderët shqiptarë, siç raporton KosovaLive, Bardhi, Dinosha kanë pohuar se nuk kanë marrë ftesë e as që janë në dijeni për këtë, kurse deputeti Amir Hollaj është shprehur se shqiptarët në Malin e Zi e kanë zgjedhur rrugën e tyre, dhe ajo është rruga drejt integrimeve evropiane.

Ndërkaq, funksionari i lartë i Iniciativës qytetare, këshilltar në Parlamentin e Komunës Urbane të Tuzit, Vasel Sinishtaj është shprehur se, “nëse pushteti vazhdon të jetë i shurdhër rreth kërkesave demokratike të shqiptarëve në Malin e Zi, mund të hapen hapësira për rryma radikale.”

Duke komentuar paralajmërimin e themelimit të shtetit të përbashkët shqiptar, Sinishtaj thotë se shqiptarët në Malin e Zi i preokupojnë probleme tjera, siç është decentralizimi, punësimi, përfaqësimi i tyre proporcional në të gjitha nivelet e pushtetit…

„Nuk besoj se platformat e Danajt aktualisht kanë ardhmëri në Malin e Zi. Në një të ardhme, kur të forcohen integrimet evropiane, këto aspirata do të shuhen sepse njerëzit do të kenë mundësi të lëvizin të lirë, nuk do të ketë kufij”, thekson Sinishtaj.

Megjithatë, nëse qeveria vazhdon që në mënyrë injoruese të sillet ndaj demokratizimit të shoqërisë dhe kërkesave të shqiptarëve, të cilat janë në frymën e standardeve ndërkombëtare, ai shpreh frikën se mund të krijohet ambient, i cili mund të çel hapësira edhe për këto rryma radikale.

Koha Net

4