Situata paradoksale e mediave në gjuhën shqipe në Malin e Zi

November 6, 2010   | Opinione

Sasia dhe cilësia e mediave në gjuhën shqipe në Malin e Zi që në fillim duhet thënë se është e kufizuar. Kjo nuk nënkupton detyrimisht edhe mungesën e gazetarëve cilësorë, apo të profesionalizimit në këto medie, aq sa ekzistojnë. Mediet elektronike në shqip në Malin e Zi kanë fillin në formimin e Redaksisë në kuadër të Radio Titogradit të atëhershëm (sot Radio e Malit të Zi), pastaj në hapjen e Radio Ulqinit, Redaksisë shqipe në Televizionit të Titogradit (aktualisht Televizionit të Malit të Zi). Më pastaj në fillim të viteve të nëntëdhjeta hapet fillmisht RadioMir dhe më vonë Televizioni Teuta, fillimisht me seli në Tuz e më vonë në Ulqin, TV Boin me qendër në Tuz dhe Radio Elita në Ulqin. Redaksitë në shqip që ekzistojnë në kuadër të Radios dhe Televizionin e Malit të Zi kanë kohëzgjatje shumë të kufizuar: me një emision ditor lajmesh deri në 10 min dhe me një emision javor që zgjat 45 min. në televizion, kurse në Radio pak me shumë. Me ndonjë përjashtim, siç është TV Boin që ka program vetëm në gjuhën shqipe, të gjitha mediet e tjera elektronike në Malin e Zi të cilat japin programe në gjuhën shqipe transmetojnë, përkatësisht shfaqin emisione dygjuhësore: në shqip dhe gjuhën malazeze.

Problemet e llojllojshme


Sasia e mediave, tashmë sipas një treguesi konkret nga përvojat e tjera të ekzistimit të mediave, përcakton edhe cilësinë. Dhe nuk ka sesi të ndodh që në një numër kaq të pakët tëmediave, të kemi pretendime për të pasur medie të zhvilluara që flasin shqip që nga niveli kadrovik dhe deri te ai teknologjik. Ndonëse në kuadër të këtyre medieve punojnë gazetarë të cilët kanë përgatitje profesionale dhe kanë dëshmuar që mund të ballafaqohen me kërkesat bashkëkohore që i ka ky profesion, shumica dërmuese e kuadrit ekzistues e ka të nevojshme që të rikualifikohet. Në këtë drejtim ekzistojnë edhe situata paradoksale. P.sh. Redaksia shqipe e Televizionit tëMalit të Zi, para dy vjetëve shpalli konkurs për pranimin e dy gazetarëve të rinj, mirëpo në konkurs u paraqit vetëm një kandidat. Ky shembull është ilustrim i mirë se sa ka interes për këtë profesion, respektivisht sa ka mbështetje financiare (pagat për gazetarët në Malin e Zi janë ndër më të ultat në rajon). Në vazhdën e këtyre shembujve, është edhe trajtimi që u bëhen kërkesave të redaksisë shqipe në kuadër të Televizionit të Malit të Zi. Kështu zakonisht kërkesat e redaksisë shqipe për të pëcjellë ngjarjet e rëndësishme në rajon, nuk mund të realizohen sepse nuk ka para, kurse për redaksistë e tjera është pjesë e punës së përditshme. Situata në mediet elektronike private dhe me karakter komercial, është disime ndryshe. Në këto medie ka hapësirë shumë më të madhe për të realizuar emisione të natyrave të ndryshme dhe ka përpjekje në raste të veçanta, kur harmonizohet respektimi i kriterit profesional me atë të interesit të publikut. Por ndërtimi i politikës së këtyre mediave mbi kriterin themelor që është ai financiar, që realisht është mbijetesa e tyre sepse nuk mund të flitet për ndonjë profit të madh nga ato, i mban peng këto medie për të bërë gazetari e cila plotëson si parimin profesional ashtu edhe interesin e gjerë të publikut.
Në shumicën e këtyre medieve, përkatësisht redaksive shqipe në Malin e Zi, në emisionet e lajmeve dominon lajmi i përkthyer nga gjuha malazeze, kurse lajmet origjinale janë të pakta dhe zakonisht përfshihen në fund të tyre. Raporti i drejtë, do të duhej të ishte i kundërt, në bazë të praktikave të mediave të përparuara. Sa i përket lajmit, apo kronikës nga jeta e shqiptarëve në Malin e Zi: në Mozaikun që e realizon Redaksia Shqipe e TV tëMalit të Zi dhe Kronikën e Ulqinit që e realizon TV Teuta ka përpjekje për të sjellë problematikën e kësaj bashkësie. Por, në këto emisione, në të cilat përfshihen dy nga palët në konfikt, dominojnë palët pozitë-opozitë, kurse pala e tretë që është interesi i gjerë i publikut, nuk jepet në masën e duhur. Sidomos, duhet vënë në dukje kronikat televizive që pasqyrojnë jetën politike. Ato “ndjekin thëniet dhe kundërthëniet e politikës spektakël, në vend që të merren me kërkime të
përthelluara mbi çështje me interes të përgjithshëm”(Françeshko Sidoti, Çfarë është gazetaria investigative, në librin, Gazetaria investigative, Tiranë, 2005, f. 24). Një nga problemetme peshë e informimit të shqiptarëve përmes mediave elektronike është fakti se nga cilat medie informohen shqiptarët e këtushëm? Fillimisht duhet pohuar një tregues se shqiptarët në Malin e Zi nuk informohen vetëm nga mediat në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhët e tjera, siç janë ato në gjuhën malazeze. Një një aneketë, realizuar në vitin 1996 në kuadër të studimit “Dygjuhësia te shqiptarët në qytetin e Ulqinit” ndër të tjera njëzet subjekteve u kam shtruar pyetjen: cilat stacione radiotelevizive shikoni-dëgjoni? Përgjigja është se 11 shikojnëdëgjojnë programet në gjuhën malazeze, 4- në malazezisht e shqip, 2- në shqip, 1 shqip e një gjuhë tjetër, 1- tjetër gjuhë dhe 1- nuk shikon, dëgjon.(Haxhi Shabani, Rrezikimi i gjuhës shqipe, Tiranë, 2007. F. 102). Edhe në përgjigjen e pytjes: cili folës (e) të pëlqen më shumë?, rezultati është i disfavorshëm për këtë çështje. Folësit që flasin gjuhën malazeze (dhe gjuhët e afërat me të: serbishten, kroatishten e bosnjakishten) pëlqehen nga
11 veta, kurse ata që flasin shqip pëlqehen vetëm nga 3 veta. (Rrezikimi i gjuhës shqipe, po aty, f. 103). Në këtë drejtim, situata mund të ketë ndryshuar edhe më shumë, pasi që hulumtime gjithpërfshirëse nuk ekzistojnë. Duhet parë se sa platformat digjitale dhe programet satelitore të shqipërisë dhe të Malit të Zi e të ish-Jugosllavisë kanë shikueshmëri nga shqiptarët në Malin e Zi. Në anën tjetër, duke pasur parasysh përhapjen e gjerë, pothuajse në çdo shtëpi të internetit te shqiptarët e këtushëm, me anë të formave të komunikimit që imundëson ai, parashikohet se sidomos të rinjtë mjet kryesor të informimit nuk kanë as radion, as televizionin, por atë përmes internetit.
Gazetaria hulumtuese nga përvoja ime: sa afër, aq larg


Kur në vitin e parë të punës në TV e Malit të Zi, kisha bërë një kronikë për verën kulturore në
Ulqin, duke intervistuar organizatorin, drejtorin e atëhershëm të Qendrës së Kulturës, një aktor që ishte ftuar pjesëmarrës në këtë veprimtari dhe një regjisor e një shkrimtar për nivelin e kësaj veprimtarie, manifestim i cili nga bashkëbiseduesit ishte cilësuar me mungesa të mëdha, përjashto organizatorin, mora një mesazh aspak inkuarajues për t’u marrë me këtë lloj gazetarie që quhet hulumtuese. Një nga përfaqësuesit e atëhershëm të partisë, në mbrojtje të drejtorit të tij, kishte thirrur kryeredaktorin e përgjithshëm të TV të Malit të Zi, por as mua e as redakatorin tim. Kurse mua më kishte lënë mesazhin “A e di ai se është duke bërë stazhin e praktikantit”? Kryeredaktori ishte sjellë si profesionist. Pasi ishte interesuar për kronikën, kishte konstatuar se ajo nuk përbën shkelje profesionale. Po aparatçiku i fyer, nuk ishte ndalur këtu. Kur Qendra e Kulturës, kishte mbajtur veprimtarinë e rrallës, ai kishte kërkuar që atë veprimtari mos ta përcjellë korrespondenti nga Ulqini që isha unë, prapë duke ia dërguar kryeredaktorit këtë kërkesë. Dhe përsëri, kryeredaktori ishte sjellë si profesionist. Në fund të kësaj kërkese kishte shkruar: “Ngjarja patjetër të përcillet nga korrespondenti ynë në Ulqin”. Ose temamë intriguese hulumtuese në gazetari në nivel vendor, që aktualisht mund të bëhet, është mënyra e zhvillimt të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet vendore në Ulqin, të cilat u zhvilluan më 17 tetor të këtij viti (2010). Kjo temë do të mund të fokusohej në dy elemente përkatëse: së pari nga janë siguruar burimet financiare për të zhvilluar fushatën dhe së dyti investimet e vogla që janë të dukshme, dhënia e materialit ndërtimor që po ashtu vërtetohen në terren, dhënia e peshqesheve në formë të të mirave materiale, për të cilat ka dëshmi të atyre që i kanë marrë dhe dhënia e parave në dorë, që përshpëriten, sa kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Por, në përpjekjet e bëra duke u bërë pyetje palëve pjesëmarrëse dhe duke ju shprehur qëllimin për të bërë një kronikë televizive problemore, ato janë të hapura për të fajësuar palën tjetër, por kur ju bëhet pyetja për të pohuar se sa kanë përdorur vetë ato para për fushatën, atëherë fillojnë shmangiet për t’u përgjigjur saktë. Është e lehtë të kuptohet se cila do të ishte përgjigja po t’u bëhej pyetja për burimin dhe sasinë e mjeteve financiare që kanë përdorur gjatë fushatës. Këta dy shembuj, flasin se ekzistojnë tema për të bërë gazetari hulumtuese, ato janë shumë afër nesh, por barierat nuk janë të vogla, sepse ku fillon gazataria hulumtuese, burimet heshtin, madje fillojnë të fajsojnë vetë gazetarët, redaksitë e mediet. Nuk janë raste të pakta, kur politikanët e qeveritarët në mënyrë të hapët ftojnë mediet për bashkëpunim, për të folur e shkruar për veprimtaritë e tyre, por kur mediet flasin edhe më të voglën fjalë për atë që ndodh nën rrogoz, atëherë nuk hezitojnë të fajsojnë medie e gazetarë, madje edhe duke i kërcënuar. Për të bërë gazetari hulumtuese, një gazetar shqiptar ka një sërë problemesh. Ta zëmë po të provojë të merret një gazetar shqiptar në Malin e Zi me zbulimin e shkaqeve pse Partia Demokratike e Socialistëve fiton zgjedhjet tash njëzet vjet rradhazi si askund në rajon, madje edhe më gjerë, do të ballafaqohej me shumë probleme, po kjo nuk do të thotë se detyrimisht ky është një mision i pamundur. Por, në mënyrë që gazetaria hulumtuese të bëhet mbizotëruese në mediet në gjuhën shqipe në Malin e Zi, duhet ndryshuar thelbësisht që nga përgatitja profesionale e gazetarit, rrijta sasiore dhe cilësore e medieve, së paku me hapjen e një kanali të veçantë televiziv në shqip në nivel qendror, nga mbështetja financiare e tyre e deri te ndryshimi i konceptit për rolin që duhet të kenë mediet, që mbase për nga rëndësia zë vendin e parë, pasi që kur të formohet koncepti i drejtë për medien, ndryshimet e tjera janë rrjedhojë logjike. 

HAXHI SHABANI
Koha Javore
YouTube Preview Image