Ali Salaj: Larg gazetarisë hulumtuese

November 7, 2010   | Opinione

Kur të kemi parasysh krizën aktuale të mediave të shkruara në botë e posaçërisht gjendjen e mediave të shkruara në gjuhën shqipe në Mal të Zi atëherë është më se e kuptueshme se gazetaria hulumtuese jo që nuk ka gjasa të zhvillohet ,por ajo do të jetë në zhdukje të vazhdueshme. Kjo ndodh sepse e ardhmja e gazetarisë, sidomos e asaj hulumtuese, do të zhvillohet në internet dhe nëpër vebfaqet dhe portalet e ndryshme të tij, duke mbijetuar krizën që i ka përfshirë mediat e shkruara.

Gazetarinë hulumtuese e karakterizon gërmimi nën sipërfaqe ku zbulohen të gjitha devijimet, pisllëqet, deformimet dhe dukuritë e tjera të shëmtuara që paraqesin interes për opinionin publik.Gazetaria hulumtuese që nënkupton procesin e grumbullimit të informacionit në thellësi ,është e panjohur si zhanër në gazetarinë e shkruar në Mal të Zi. Në këto media jo që nuk gërmohet në thellësi por shpeshherë nuk gërvishtet as sipërfaqja. Kjo ndodhë ngase mediat e shkruara në gjuhën shqipe nuk kanë ndonjë traditë identifikuese, pjekuri profesionale dhe guxim intelektual. Përveç revistave të profilizuara për kulturë, art dhe shkencë “Lemba”,”Dija”,”Malësia” e ndonjë tjetër, te shqiptarët në Mal të Zi janë shfaqur, kohë pas kohe, disa gazeta periodike si “Fati”, “Kronika”, “Polis” dhe “Koha javore”, të cilat nuk arritën ose e kanë vështirë të mbijetojnë në një treg tejet negativ dhe në një komunitet që ka krizë të identitetit. Kur kësaj i shtojmë faktin se gazetaria hulumtuese si zhanër mbart me vete sfida dhe rreziqe për të gjithë ata që punojnë në këtë fushë si dhe gjendja tejet e vështirë financiare e gazetarit atëherë janë të kuptueshme pengesat e pakalueshme për tu marrë me një gazetari të mirëfilltë hulumtuese.Në mediat e shkruara në gjuhën shqipe në Mal të Zi janë bërë përpjekje ndoshta për të folur apo edhe për të zbardhur ndonjë fenomen negativ të shoqërisë qoftë përmes intervistës, kronikës , komentit, polemikës dhe analizës por që të gjitha mbeten brenda suazave të gazetarisë së rëndomtë, narrative dhe përshkruese. Në këtë kuadër gazetaria hulumtuese nuk ka ndonjë zhvillim të kënaqshëm as në hapësirën mbarëshqiptare.Në Kosovë, ku siç dihet ka vend për tema hulumtuese, nuk është i zhvilluar ky zhanër, ndërkohë që në Shqipëri janë paraqitur disa raste siç janë dosja e Remzi Hoxhës,dosja e Haklajve apo ngjarja e Gërdecit, por që janë larg asaj se çfarë duhet të ofrojë ky zhanër gazetaresk. Shpeshherë në shtypin e shkruar të Shqipërisë ka pasur keqpërdorime në emër të gazetarisë hulumtuese siç ishte rasti i “shtëpisë së verdhë” në Kukës ku pa të drejtë u akuzuan strukturat e UÇK-së për trafikim të organeve njerëzore. Kur të kemi parasysh krizën aktuale të mediave të shkruara në botë e posaçërisht gjendjen e mediave të shkruara në gjuhën shqipe në Mal të Zi atëherë është më se e kuptueshme se gazetaria hulumtuese jo që nuk ka gjasa të zhvillohet ,por ajo do të jetë në zhdukje të vazhdueshme. Kjo ndodh sepse e ardhmja e gazetarisë, sidomos e asaj hulumtuese do të zhvillohet në internet dhe nëpër vebfaqet dhe portalet e ndryshme të tij duke mbijetuar krizën që i ka përfshirë mediat e shkruara.Këtë e dëshmoi edhe fakti se për herë të parë në historinë e gazetarisë një faqe në internet ka fituar çmimin Pulicer siç ndodhi me vebsajtin amerikan Propublica org. Edhe publikimi i dhjetëra mijëra dokumenteve ushtarake për luftën në Avganistan të bëra kohë më parë në internet tregoi pamjen e ardhshme të gazetarisë hulumtuese. Unë besoj se në një të ardhme edhe gazetarët shqiptarë në Mal të Zi duhet të pozicionohen rreth një alternative të re të informimit e kjo padyshim është bota e internetit. Me ndihmën e donatorëve apo edhe të institucioneve të ndryshme nga jashtë dhe nga vendi duhet të hapet një faqe interneti ku gazetarët më të njohur shqiptarë nga të gjitha redaksitë do të kultivonin gazetarinë hulumtuese. Mendoj se mënyra digjitale e informimit do ti nxiste dhe inkurajonte gazetarët për një frymë ndryshe të informimit. Kjo do t’i lironte ata edhe nga frika dhe autocenzura që ishin dhe mbeten mjaft të pranishme në informimin në gjuhën shqipe në Mal të Zi.

Ali Salaj
Koha Javore
YouTube Preview Image