10 momentet e 2010-ës në muzikë

December 17, 2010   | Lajmet / Vijesti

Dasmat shtatzëna

Dasmat dhe shtatzënia këtë vit duket se ishin në modë. Të gjithë u martuan e të gjithë mbetën shtatzënë. Fillimisht, gjithçka duket se nisi me Tunën, e cila u martua në Kosovë, e më pas Blero lajmëroi për lindjen e vajzës së tij, Mihrije Braha foli për adoptim, Gerta Heta është shtatzënë e u martua, Dafina Zeqiri u fejua, po ashtu dhe Teuta Kurti, Elsa Lila është pesë muajsh, Arta Bajrami lindi, ndërsa Ledina Çelo pas një sesioni fotografik superhot tregoi se pret fëmijë. Urime dhe jetë sa më të gjatë e sa më të lumtur të gjithëve!

Zënkat

Përfundimisht aty ku ka VIP do të ketë dhe çmim, e po pati çmime do të ketë jo zënka, por shpërthime. Genta Ismajli ka qenë më e zhgënjyera e këtij viti. Kudo ku shkon Genta duket sikur ia bëjnë me hile. Nuk i dhanë fitoren tek “Dancing With The Stars” e as tek gara e seleksionimit të Zvicrës për Eurovison dhe Genta ia bëri të gjithëve të qartë se humbja nuk është për të, por diçka nuk shkon me juritë. Nuk dinë matematikë ata! E nëse nuk ju besohet, pyesni Lindën, pasi shpalli fituesen e “Këngës Magjike” dhe “Festivalit të Këngës në RTVSH”, ajo është padyshim predikuesja më e famshme në Shqipe, fatkeqësisht nuk e dinte se predikueset nuk lejohen të këndojnë në festivale dhe u përjashtua nga të dyja. Mblidh disa VIP-a në një dhomë e çdo kesh? Sherr ore, atë do kesh! Rezarta Shkurta, Big Mama dhe Rozana Radi si herkule të vërteta shpalosën muskujt në televizionin kombëtar, por, nëse Big Mama i dha fund me kaq, këto dy të fundit e vazhduan sherrin nga liqeni nën dritën e hënës. E imja Shota! Çiljeta nuk merret me kësi vogëlsirash, ndaj zgjodhi të ngacmohet me Edi Ramën, kurse Elsa Lila u ngacmua me pozitën në lidhje me kutitë e votimit dhe pse ne jemi të sigurtë që nuk ka votuar fare.

Genta Ismajli u fol se donte të zihej me Dafina Zeqirin, por hajde ta gjente Dafinën, e cila ka qenë më e zënë se kurrë me koncerte, në të cilat duhet të ishte Genta. Meshkujt kanë qenë disi më të rezervuar, por falë Noizit dhe ata nuk kanë mbetur prapa. Pasi në YouTube u publikua një bisedë telefonike midis tij dhe Bleros (u pajtuan dhe kënduan në koncert më pas), Noizy vazhdoi gjatë tërë vitit grindjet me Stresin, të cilat kaluan dhe në konfrontime publike me armë. Nëse deri dje të gjithë e kishin nga një kunj me Getoarin, sot duket se Noizy është ai që të gjithë duan të ngacmohen nga pak. Në përfundim, një minutë heshtje për Ingrid Gjonin, e cila këtë vit nuk është ndjerë aspak në lidhje me këtë temë. Përse Ingridi, përse?

Drejt Europës

Pasi kanë arritur suksesin në Shqipëri, artistët tanë i kanë kthyer sytë drejt Europës dhe këtë vit ndryshe nga çdo vit tjetër kanë arritur suksese të konsiderueshme. Adelina bashkëpunoi me Mr.P!nk dhe po punon në Paris. Alban Skënderaj publikoi një këngë në anglisht dhe pret të realizoj një album në Italisht. Bleona Qerreti pas disa këngëve në anglisht tregon se po realizon një këngë me Timberland dhe do të publikojë një album në këtë gjuhë. Genta e nisi vitin me “Sexy” në Turqi dhe e përfundoi me “This Is My Night” në Zvicër. Drejt Turqisë u nis dhe Big Mama, për të realizuar disa këngë, por ende nuk kemi të reja. Ledina Çelo u radhit në toplistat gjermane, Valton Krasniqi transmetohet në VIVA të Zvicrës me “Did You Know”. Flori Mumajesi fitoi çmim në festivalin ballkanik e Juliana Pasha hyri në majat e klasifikimeve belge.

Aurela Gaçe u jep leksion të rejave

Aurela mund të jetë larguar për një dekadë nga Shqipëria, por kjo s’do të thotë se e ka lënë karrigen bosh në vendlindje. Përkundrazi, kur u rikthye me “Origjinale”, iu tregoi të gjithave se (oh snap!) jo vetëm është ende në fron, por dhe sesi bëhet muzika. Kënga e saj e fundit “Origjinale” një bashkëpunim me Dr. Flori dhe Marsel, arriti rekorde në YouTube duke u bërë e para video shqiptare që brenda më pak se gjashtë muajsh arrin pothuajse katër milion vizita. E kisha thënë më parë kur publikoi këngën, që Aurela duhet t’i harrojë këto këngët “serioze”, nëse do të njohë sukses të madhe, pasi me temperamentin dhe zërin që ka i përshtaten këngët ritmike. Kam pas të drejtë, apo jo? Si gjithmonë! Hahahaa! Ndërkohë, dhe shumë artistë të tjerë kanë arritur shifrën e 1 milion vizitave, por ajo çka na surprizoi më tepër ishte suksesi i Stresit, i cili dhe pse i lënë disi nën hije nga pjesa tjetër e rreperave, me një postim në YouTube (jo video zyrtare) arriti rreth 1 milion vizita.

Dance është ritmi i 2010-ës

Jo vetëm këngëtaret që gjithmonë kanë kënduar këtë gjini muzikore, por dhe këngëtaret e folkut, hip-hopit dhe pop-it vendosën që këtë vit t’i dorëzoheshin ritmeve dance. Tregu i muzikës shqiptare u mbizotërua nga ritmet e forta dhe tekstet e lehta duke iu bashkangjitur kështu këtij trendi që këtë vitit mbizotëroi mbarë botën. Si rrallë herë dhe në Amerikë, tingujt e muzikës euro-dance pushtuan radiot, falë hit-eve të tilla si, “Morena” të Tom Boxer dhe “We No Speak Americano” të Yolanda be Cool.

Shqiptarë dhe të suksesshëm përtej kufirit

Pasi kanë jetuar vite të tëra jashtë vendit, tashmë shqiptarët apo fëmijët e tyre jo vetëm që janë përshtatur me shoqërinë e vendit ku jetojnë, por dhe kanë filluar dhe të distancohen falë talenteve të tyre. Dorina u prezantua me sukses në “X Factor” të Italisë, Ruzhdi në “Superstar” të Gjermanisë, Shemsi Mushkolaj u prezantua me sukses në “Voice of Holland” të Holandës, ndërsa Edita Abdieski shkoi në shtëpi me trofeun e “X Factor” po të Gjermanisë. Ndërkohë, përtej oqeanit Rita Ora nënshkroi kontratën me Roc Nation (kompania e Jay Z), ndërsa Kristine Elezaj pas një turneu në mbarë Amerikën, publikoi disa video dhe albumin e saj të parë, ndërkohë që destinacionin e radhës e ka në Grammy Awards.

Rikthehet hip-hop

Hip-hopi nuk ka vdekur! Falë Fugaa, Da Ghost, 2po2, Noizy, Stresi, Capital T, Etnon, Big Basta, ky vit ka qenë një ndër vitet më produktivë të hip-hopit shqiptar në vite. Jo vetëm kaq, por dhe disa prej hiteve më të mira të vitit i përkasin kësaj rryme muzikore. Sidoqoftë, shqiptarët ende nuk kanë një femër që t’i prezantojë në këtë gjini dhe kjo ndihet në skenën e hip-hopit shqip. Ndoshta në 2011-ën?

Të gjitha modele

Çuditërisht, këtë vit të gjitha këngëtareve iu mbush mendja se ishin modele dhe këtë nuk e themi me ironi. Pothuajse secila prej tyre ka realizuar të paktën dy sesione fotografike ku falë efekteve të fotoshopit duken më të bukura se ç’janë në realitet. Marshalla se mos ia marrim në sysh kompjuterin ndonjërit. Disa gjeten vetveten në stilet e përzgjedhura, disa i shpallën konkurrencë Lady Gagës (HAHA!) e disa të tjera në bën të na duket sikur po festonin festën e Halloween tërë vitin. Në fund të fundit, kjo është një shenjë e mirë. Të paktën për ne gazetarët, që këtë vit kemi qenë rehat në lidhje me fotot, pasi vitet e shkuara, o Zot, çfarë nuk na binte në dorë. Unë e di sa sqetulla të parruara kam parë hahahaha.

Facebook

Falë Facebook-ut, fansat këtë vit kanë pasur rastin të njohin dhe një anë tjetër më të drejtpërdrejtë të artistëve tanë, e ndonjëherë më shumë seç duhej. Shumë prej tyre nëpërmjet statuseve kanë informuar rreth koncerteve, projekteve, këngëve, videoklipeve, zënkave, gëzimeve familjare apo dhe ndjenjave të momentit. Gjithashtu, nëpërmjet Facebook-ut, shumë prej artistëve kanë pasur mundësinë të shpjegohen përpara fansave në lidhje me lajme të ndryshme, të cilat publikohen në shtyp, për të mbrojtur apo dhe për të justifikuar veten. Megjithatë, duket se kanë kuptuar se Facebook është thjeshtë një rrjet shoqëror elektronik dhe jo SHTYP, pasi shpesh herë statuset e tyre janë keqkuptuar dhe më tepër se informacion kanë dhënë dezinformim, ndaj shumë artistë tashmë kanë llogari personale nën pseudonime të ndryshme, në të cilat ftojnë vetëm miqtë e tyre të vërtetë.

Video me shumicë. Bëj një, merr një falas!

Bëj shaka, se nuk ka gjë falas në Shqipe, jo më video. Përkundrazi, tani që të gjitha bëjnë konkurrencë me njëra-tjetrën, dhe numri i videove është shtuar, lart ka shkuar dhe çmimi i realizimit të tyre. Fatmirësisht, cilësia është shumë herë më e mirë se e videove të viteve të mëparshme, fatkeqësisht djemtë ngelen ende mbrapa në realizimin e tyre. Vetëm dy-tre artistë (të përhershëm) kanë sjellë videoklipe, ndërsa të tjerët vazhdojnë ua besojnë publicitetin festivaleve.

Sh2