Eliza Hoxha luan për dashurinë

January 26, 2011   | Lajmet / Vijesti

Ndryshe nga kënga e kaluar që bënte thirrje ‘ta duam Kosovën’ dhe jepte pamje prej saj, kësaj rradhe Eliza Hoxha i këndon dashurisë më të ngushtë, asaj që mund të jetë personale, e jo kombëtare. Ajo për këtë baladë të re, bashkë me njerëzit e produksionit realizues të klipit, edhe ambientin e ka zgjedhur më të përmbledhur dhe të mbyllur. Kështu edhe duhet të vizualizohen baladat, diku rreth një zjarri në ndonjë dhomë, ose jashtë në ndonjë ambient të mbushur me gjethe vjeshte.
Por kënga e Elizës “Të dua veç ty” nuk është nga baladat e mërzitshme që ndjellin lot, ndarje mes të dashuruarish e mallkim. Është e kundërta e tyre. Një përkushtim për dashurinë ndaj personit të dashur. Eliza këtë këngë e ka realizuar mbi dërrasat e teatrit, aty ku luhen tragjeditë dhe komeditë e jetës. Me drita të skenës dhe veshje skenike, herë e ngritur në këmbë pranë një mikrofoni, e herë e ulur në një karrige, në të cilën mund të jenë ulur të gjithë aktorët që ndonjëherë kanë luajtur role mbretërish, Eliza Hoxha ngjan me ndonjë Ofeli a Desdemonë. Edhe pse i këndon bindshëm dashurisë ndaj dikujt, “e shfaqur” në teatër, kjo duket si lojë. Megjithatë, shumë njerëz i thonë kështu dashurisë dhe jetës së kësaj bote.

KOHA E RE
YouTube Preview Image

2