Cafo Boga: Rrugëdalja nga kjo dramë e stërzgjatur politike në Shqipëri

February 1, 2011   | Intervista / Intervju

Dhuna e 21 janarit duhet të shërbejë për të zgjuar nga gjumi politikën dhe shoqërinë shqiptare – këshilla se çfarë duhet bërë e si duhet vepruar

Nga Cafo Boga

NEW YORK, 24 janar, 2011 – “Lonely Planet” (Planeti i vetmuar), një udhëzues turistik me famë, kohët e fundit e numëronte Shqipërinë si një nga dhjetë vendet e para në botë që ia vlente të vizitoje në vitin 2011. Edicioni i fundit i “Best in Travel” thoshte, jo shumë kohë më parë, se ndërsa Ballkani konsiderohej një destinacion udhëtimi “vetëm për guximtarët”, vetëm ata më trimat mes trimave do të guxonin të rrëshqisnin brenda në Shqipëri. Që kur udhëtarët më çanta në kurriz filluan të vinin në këtë vend të pashkelur në vitet 1990, shumë histori janë treguar për plazhet e kaltra shqiptare, kuzhinën e shkëlqyer, vendet historike, jetën e natës, aventurat e pakushtueshme dhe mundësinë për udhëtimet sipas stilit të vjetër, pa planifikim, të plotësuara me pritjen krahëhapur të vendasve, për të cilët, udhëtarët janë ende diçka e re. Tani akulli u thye dhe Shqipëria nuk do të jetë më edhe për shumë kohë, një tokë e virgjër për turistët, thotë ky raport. Ndoshta disa shqiptarë mund të habiten që vendi i tyre është rekomanduar si nga më të mirët për t’u vizituar, po të gjithë e dinë që janë bekuar me një vend të bukur dhe që njerëzit punëtorë të tij kanë bërë shumë gjatë 20 vjetëve të fundit që ta çojnë përpara.

Lajmet për arritjet e shqiptarëve tashmë nuk janë më të rralla; vetëm dy ditë më pare, në Washington, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndёrmarrjeve (AAEF), ndryshe nga fonde të tjera të vendeve të pazhvilluara, u ktheu 15 milionë dollarë taksapaguesve amerikanë. Ky nuk është gabim shtypi, të mërkurën, në 19 janar, Bordi i Drejtorëve të Fondit, i paraqiti një çek ceremonial prej 15 milionë dollarësh amerikanë Agjensisë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) që t’ia kthente mbrapsh Thesarit të shtetit amerikan. Në derën ku zakonisht trokitet për të kërkuar ndihma, ky Fond shkoi për të bërë të kundërtën. Përveç ndikimit të pakrahasueshëm në zhvillimin e Shqipërisë, AAEF ka realizuar gjithashtu edhe fitime të mëdha financiare në investimet e bëra në këtë vend dhe tashmë është në gjendje që me shumë mirënjohje t’i kthejë mbrapsh 50% të huasë Shteteve të Bashkuara të Amërikës. Pjesa e mbetur bashkë me fitimet do të transferohen në Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillimin (AADF), një organizëm trashëgimor i sapothemeluar. I lumtë Shqipërisë që u tregua një partnere kaq e mirë e Fondit, si dhe USAID-it e popullit amerikan që e krijuan këtë mundësi.

Lajmet, si shembulli i lartpërmendur, e bëjnë çdo shqiptar të ndihet krenar dhe shërbejnë si frymëzim për ta që të punojnë shumë për ta bërë Shqipërinë kopshtin e trëndafilave të Ballkanit. Mirëpo, shpirtrat e shqiptarëve u tronditën dhe miqtë e tyre nëpër botë u dëshpëruan javën e kaluar, kur mësuan lajmet e demonstratave të dhunshme përpara zyrave të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha.

Ditën e premte, më 21 janar, demonstrues antiqeveritarë u përleshën me policinë dhe gardën kombëtare përpara selisë së kryeministrisë. Përleshja u shndërrua në dhunë; tre protestues u vranë dhe disa dhjetra vetë u plagosën, shumica policë. Komuniteti ndërkombëtar dhe diaspora shqiptare dënuan me forcë dhunën e përdorur dhe i ofruan ngushëllimet e tyre familjeve të viktimave për humbjen e panevojshme të jetëve të tyre.

Demonstrata u organizua nga opozita kryesore e qeverisë, Partia Socialiste (PS) dhe kryetari i saj, Edi Rama. Mitingjet dhe protestat e PS-së nuk janë ndonjë gjë e re; PS i organizon ato që prej humbjes në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, kur humbi mundësinë që të formonte qeveri koalicioni. Një parti e vogël, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), u tregua më e shkathët dhe ndonëse e majtë vendosi që votat e saj kyçe në parlament t’ia bashkonte atyre të Partisë Demokratike (PD) duke formuar me të një qeveri koalicioni. I mbetur jashtë loje dhe përballë detyrimit sipas statutit për të dhënë dorëheqjen nga kreu i partisë, Edi Rama, që është edhe kryetar bashkie i Tiranës, refuzoi të pranonte rezultatet e votimeve ndonëse ato ishin çertifikuar nga komisioni zgjedhor dhe vëzhguesit ndërkombëtarë. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) dhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) i përshkruan këto zgjedhje si një progres në krahasim me zgjedhjet e mëparshme dhe përfunduan se zgjedhjet ishin në përputhje me shumicën e standardeve të OSBE-së. Pasi nuk mundi të arrinte synimin e tij – kryesisht sepse këmbënguli që të vepronte sipas mendjes së tij e jo të ndiqte kanalet e duhura dhe institucionet përgjegjëse – Rama braktisi thirrjen për hapjen e kutive dhe tani kërkon zgjedhjeve të reja e të parakohshme me akuzën se ato të fundit u manipuluan dhe për shkak të korrupsionit të gjerë në qeveri.

Kjo mesa duket ishte edhe tema e tubimit të 21 janarit, mirëpo tani ekziston gjerësisht dyshimi se synimi i vërtetë i demonstratave të të premtes së kaluar ishte rrëzimi i qeverisë. Tubimi precipitoi në dhunë kur qindra protestues filluan të sulmonin policinë me gurë, shkopinj dhe bomba Molotov. Një numër makinash, private dhe të policisë, ishin në tym e flakë. Policia u përgjigj me gazlotsjellës, pushkë uji dhe granata joshpërthyese por zhurmëbërëse; u dëgjuan edhe të shtëna kur disa protestues u përpoqën të hyjnë në ndërtesat qeveritare.

Ngjarje të ngjashme nuk janë të rralla nëpër botë; ato ndodhin shpesh edhe në vendet që qeverisen në mënyrë demokratike. Ndoshta ky lajm nuk do të kishte tërhequr shumë vëmendje në vendet me institucione të forta demokratike sepse ato institucione kanë forcën dhe njohurinë sesi duhet vepruar në situata të tilla, me shpejtësi dhe efikasitet. Jo shumë kohë më pare, pati rrëmuja mes studentëve në Angli, lidhur me propozimin për rritje të pagesave për edukim në universitetet e vendit. Në Londër rreth 50.000 morën pjesë në demonstrate në të cilat pati përleshje të dhunshme rreth zyrave të Partisë Konservatore në Millbank Tower. Dëme të vlerës mbi një milionë paundë britanikë janë llogaritur pas shkatërrimeve që studentët shkaktuan në zyrat e kësaj partie. Përpara rrëmujave, media dhe brezi më i vjetër i Anglisë ishin në përgjithësi simpatizues të kërkesave të studentëve. Mirëpo, kjo sjellje e dhunshme ndryshoi gjithshka. Një mësim shumë i rëndësishëm që duhet nxjerrë nga kjo ngjarje është se kjo demonstratë – që ishte synuar të mbahej paqësisht – u mor peng nga një grup i vogël trazirabërësish. Presidenti i Unionit Kombëtar Studentor tha më vonë se ishte “neveritur që veprimet e një pakice idiotësh po sabotonin 50.000 vetët që kishin dalë për të protestuar paqësisht”.

Protestat paqësore kanë fuqinë të sjellin ndryshime. Por dhuna mund të sjellë zhvendosje në qendrimet e njerëzve, duke kaluar nga simpatia e dhëmbshuria në dënimin e mbarë grupit demonstrues. Jam i sigurtë se shumica e qytetarëve shqiptarë që i përkasin PS-së nuk morën pjesë në protestën e të premtes për të rrëzuar qeverinë e tyre me dhunë. Ishte vetëm një grup huliganësh që me mendjen e tyre, apo në marrëveshje me faktorë të brendshëm e të jashtëm, u përpoqën që të minojnë qeverinë shqiptare dhe të sjellin shkatërrim. Qytetarët e Shqipërisë, pavarësisht nga animi i tyre politik, duhet që ta dënojnë në mënyrë unanime dhunën që ndodhi dhe të ndjejnë neveri për veprimet e paligjshme të kryera nga një grup i vogël karakteri i të cilit nuk përputhet me karakterin e këtij kombi të madh.

Një ngjarje e ngjashme ndodhi edhe këtu në Shtetet e Bashkuara në shtator 2008, gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit presidenciale. Rreth 250 vetë u arrestuan jashtë Konventës Kombëtare Republikane (RNC) ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që sulmuan pronën publike dhe bllokuan rrugët për të protestuar kundër luftës në Irak. Protestuesit ishin me mijëra vetë, që përfshinin gjyshe të moshuara, veteranë, familje të reja madje edhe republikanë të pakënaqur që mbanin parrulla dhe flamuj për paqen për të kërkuar dhënien fund të konfliktit 5-vjeçar. Shumica e tyre ishin paqësorë, mirëpo kur marshimi i protestës kishte mbaruar, grupe të shkëputura filluan një sulm të dhunshëm duke thyer xhama, duke çarë rrota makinash, duke hedhur shishe e madje duke sulmuar fizikisht delegatë republikanë që merrnin pjesë në konventë në Qendrën Xcel Center aty pranë.

Shumica e atyre që u përfshinë në këtë dhunë iu prezantuan gazetarëve si anarkistë. Këta protestues, shumë prej të cilëve, me të zeza dhe fytyrë të mbuluar, bënë shkatërrime të pronës dhe ndezën të paktën një zjarr. Garda Kombëtare e Minnesota-s dërgoi 150 ushtarë të saj për të ndihmuar policinë në shtypjen e dhunës, që shpërtheu ndërsa delegatët po mblidhëshin në qytetin St. Paul për takimin katërditor. Shumë u arrestuan dhe të paktën 119 rrezikonin paditje gjyqësore. Të paktën katër gazetarë ishin mes të arrestuarve, përfshi edhe një fotograf i Associated Press. Parakalimi kundër luftës ishte organizuar nga grup i quajtur “Coalition to March on the RNC and Stop the War” (Koaliconi për të parakaluar pranë RNC-së dhe për të Ndalur Luftën). Udhëheqësit e tij thanë se kishin shpresuar për një veprimtari paqësore për familjarë. Mirëpo, policia ishte në gatishmëri për shkak të përgatitjes disamujore nga një grup i vetshpallur anarchist me emrin “RNC Welcoming Committee” (Komiteti për Mirëpritjen e RNC-së), i cili nuk ishte pjesë e organizatorëve të marshimit. Siguria ishte e lartë në St. Paul në mënyrë që të shmangeshin skenat kaotike që ishin vënë re 4 vite më parë, gjatë konventës republikane në NewYork City, ku më shumë se 1.800 vetë qenë arrestuar. Kësaj here snajperat vëzhgonin nga ndërtesat fqinje dhe një helikopter u vërtitej mbi kokë, ndërsa 10.000 vetë vërshuan në rrugët e qytetit si pjesë e parakalimit kryesor. Vendet me institucione të forta demokratike si Shtetet e Bashkuara kanë mjetet dhe përvojën se si të veprojnë me rrëmujëbërësit.

Ndodhi të ngjashme janë përjetuar edhe tjetërkund në SHBA dhe nëpër botë; megjithatë dy shembujt e lartpërmendur duhet të mjaftojnë për të nënvizuar disa mësime të rëndësishme mbi demonstratat paqësore. Së pari dhe më e rëndësishmja, organizatorët duhet të jenë shumë të kujdesshëm që të mos e kapërcejnë kufirin e të bëhen të dhunshëm; përndryshe demonstrata e tyre nuk do të konsiderohet më si ushtrim i lirisë së shprehjes, por si një dhunim i ligjeve civile që mund të dënohen menjëherë nga drejtësia. Së dyti, organizatorët nuk duhet të kenë plane të fshehta apo që të ndërmarrin veprime që janë në kundërshtim me shoqëritë e organizuara në mënyrë demokratike. Qeveria nëpërmjet institucioneve të saj të krijuara posaçërisht për zbatimin e ligjeve dhe ruajtjen e rendit ka përgjegjësi që të mbrojë qytetarët e saj, duke përfshirë edhe protestuesit. Nga ana tjetër, qeveria e ka për detyrë të ruajë edhe pronën shtetërore, e cila nuk i takon asnjë partie politike por mbarë qytetarëve të vendit. Earnest Gellner, filozofi i famshëm dhe antropologjisti social thotë: “Shteti ekziston aty ku agjensitë e specializuara për vendosjen e rendit, si forcat policore dhe gjykatat, janë të ndara nga pjesa tjetër e jetës shoqërore.”

Max Weber, një arkitekt themelor i shkencave sociale moderne dhe ndoshta teoristi social më i shquar i shekullit XX, e përkufizon shtetin si: “ajo agjensi brenda shoqërisë, e cila zotëron monopolin e dhunës legjitime”. Ideja mbrapa këtij përkufizimi është e thjeshtë: në shoqëritë e organizuara mirë, në të cilat jetojnë shumica prej nesh, apo ku aspirojmë të jetojmë, dhuna private apo seksionale është e paligjshme. Konflikti në vetëvete është legjitim por nuk mund të zgjidhet drejtësisht nga dhuna private apo seksionale. Dhuna mund të përdoret vetëm nga autoriteti qendror politik dhe agjensitë e tij të krijuara për të ruajtur ligjin dhe rendin. Ajo agjensi (apo grup agjensish) është qeveria ose shteti. Shumica e shoqërive moderne bien dakord me teorinë e përmbledhur këtu: se vetëm qeveritë mund të përdorin forcën.

Synimi i nënvizimit të këtij dallimi të rëndësishëm ndërmjet forcës së autorizuar dhe të paautorizuar është që të dallohet mes veprimeve të ndërmarra nga policia shqiptare dhe Garda Kombëtare përballë dhunës së ushtruar nga demonstruesit që solli vdekjen e tre vetëve dhe plagosjen e shumë vetëve, kryesisht policë. Gjithësesi shumica e deklaratave të lëshuara nga ambasadat e huaja në Tiranë nuk arritën ta bënin këtë qartësim lidhur me dhunën.

Në thelb, shumica e agjensive dhe ambasadave të huaja thanë diçka të ngjashme me: “Dhuna dhe përdorimi i tepërt i forcës nuk mund të justifikohen dhe duhet të shmangen”. Në sipërfaqe kjo deklaratë duket e pranueshme, mirëpo, kur merr në shqyrtim evoluimin e këtij konflikti dhe dhunën e përdorur nga demonstruesit, deklarata të tilla janë më së paku të paqarta dhe në thelb shqetësuese. Ka një dallim të qartë ndërmjet veprimeve të lejuara të policisë dhe atyre të paligjshme të dhe kërcënuese të demonstruesve. Ndërsa policia po përpiqej të mbronte të gjithë qyetarët dhe qeverinë, huliganët po përpiqeshin ta rrëzonin qeverinë. Çfarë lloj qeverie demokratike do të kishte Shqipëria nëse ajo mund të merret me forcë? Historia e botës është plot me shembuj të tillë dhe asnjë nuk ia vlen të lavdërohet. Vras mendjen se sa prej këtyre diplomatëve do t’u kishin dhënë të njëjtën këshillë qeverive të tyre përkatëse. Ndoshta është kjo lloj paqartësie që ka kontribuar në përshkallëzimin e këtij problemi që prej dy vjetësh tashmë nga zgjedhjet e fundit politike në Shqipëri.

Nuk ka asgjë të keqe të kundërshtosh rezultatet e zgjedhjeve, sidomos nëse ka shkelje të dallueshme. Të paraqesësh një ankesë është një veprim i natyrshëm ligjor, por pastaj duhet të lejosh sistemin ligjor që ta zgjidhë çështjen njëherë e përgjithmonë. Kush mund ta harrojë zgjedhjen presidenciale të vitit 2000 në SHBA? Në çështjen “Bush kundër Gore”, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara vendosi që sistemi i hartuar nga Gjykata Supreme e Floridës për rinumërimin e fletëvotimeve të votuara në këtë shtet gjatë zgjedhjeve shkelte klauzolën për mbrojtje të barabartë të sanksionuar nga Amendamenti i Katërmbëdhjetë i Kushtetutës. Duke qenë se nuk kishte kohë që të krijohej një sistem që të ishte i drejtë për të dy kandidatët, Gjykata Supreme praktikisht ndaloi në mes rinumërimin, duke lejuar George W. Bush-in (Xhorxh Dabëllju) nga Texas (Teksasi) që të bëhej Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Bush kundër Gore” ishte një dramë 36-ditëshe e klasit të parë, që rrëmbeu vëmendjen e mbarë botës ndërsa sistemi juridik amerikan ishte u kapur në mes të një stuhie të politikës pushtetare. Nga një anë kandidati presidencial republikan që mbahej pas një avantazhi të lehtë që po zvogëlohej dita-ditës, në mos ora-orës, ndërkohë që kandidati demokrat shtynte përpara duke shpresuar të merrte vrull mjaftueshëm për të eklipsuar rivalin e tij. Në të njëjtën kohë, kombi ndiqte dy ekipet ligjore që bënin çdo gjë që ishte e mundur për të siguruar që kandidati i tyre të fitonte atë që besonte se i takonte me meritë. Ndonëse humbi votën popullore me gati 500.000 vota, Bushi gjithësesi ia doli të mposhtë Al Gorin (Gore) në Florida me vetëm 537 vota duke siguruar sipas rregullit të gjitha 25 “kolegjet elektorale” të këtij shteti, aq sa i duheshin për të fituar presidencën. Sapo u mor vendimi i gjykatës, Gore e pranoi humbjen dhe ndoqi interesa të tjera në jetë, duke pranuar Bushin si presidentin e vendit dhe si presidentin e tij. Rezultati i këtyre zgjedhjeve, duke përfshirë edhe vendimin nga Gjykata Supreme Amerikane mund të mos kishin qenë të drejta ndaj Gorit, mirëpo është Gjykata Supreme ajo që ka fjalën e fundit në këtë vend dhe në momentin që vendimi është marrë, çështja quhet e mbyllur.

Duke u nisur nga kjo përvojë, çështja e debatuar e zgjedhjeve në Shqipëri duhej të ishte zgjidhur prej shumë kohësh tashmë, në një mënyrë apo në një tjetër, por gjithnjë bazuar vetëm në rrugë ligjore. Të refuzosh që të ndjekësh ligjin dhe ta zbresësh çështjen në rrugë nuk është praktikë demokratike; është trajtim i gabuar. Kjo çështje nuk mund të zgjidhet në rrugë por vetëm në parlament ose nëpërmjet sistemit të gjykatave. Shqipëria mund të jetë një vend i dobët institucionalisht, mirëpo është gjithësesi një vend sovran demokratik dhe pushteti i ligjit duhet të veprojë dhe mbizotërojë gjithmonë. Prandaj jam i zhgënjyer nga qendrimet dhe deklaratat e shtypit të paorientuara të bërë publike gjatë dy viteve të fundit nga institucionet dhe diplomatët e huaj. Kur diskutojnë këtë çështje të zgjatur zgjedhore, këto institucione e diplomatë i kanë kushtuar më shumë rëndësi të drejtës së Edi Ramës dhe të PS-së për të protestuar sesa detyrimit të shtetit për të zgjidhur çështjen në bazë të ligjit dhe rregullave. Ky konflikt i pazgjidhur i ka shkaktuar shumë dëme Shqipërisë, ka penguar zhvillimin ekonomik dhe ka vënë në dyshim besueshmërinë e demokracisë së saj.

Bashkimi Europian hodhi poshtë kërkesën e Shqipërisë që të bëhej candidate zyrtare për t’iu bashkuar bllokut, duke thënë se Shqipëria duhet së pari të krijojë një demokraci funksionale dhe të luftojë korrupsionin. Po, ka korrupsion në Shqipëri dhe shumë nevojitet për t’u bërë për ta eliminuar këtë sëmundje ngjitëse. Mirëpo, sa për atë punë, Shqipëria nuk është më e korruptuar se disa nga vendet e tjera në Ballkan, apo edhe në Europën Lindore, të cilat tashmë janë bërë anëtare të Bashkimit Europian apo që u është pranuar kërkesa me kusht.

Është përtej dyshimit që konflikti mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Partisë Socialiste Edi Rama – që është kthyer në një hakmarrje personale më shumë sesa një çështje politike – ka qenë shkak që Bashkimi Europian ka hedhur poshtë kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim. Askush nuk mund të fajësojë BE-në për këtë vendim; faji u mbetet dy heronjve kryesorë në këtë saga të shëmtuar dhe të trishtueshme. Një pjesë të fajit e ka edhe parlamenti dhe të gjitha partitë politike që nuk janë më në gjendje të qeverisin siç duhet vendin, që kanë degraduar institucionet e tij civile të cilave u shërbejnë duke lejuar një fjalor huliganësh, një gjuhë fyerëse dhe mungesë respekti për njëri-tjetrin si zyrtarë të zgjedhur, si kolegë e si qënie njerëzore. Shqiptarët janë njerëz të denjë, krenarë për të kaluarën dhe kulturën e tyre, krenarë që ishin të aftë të vetëqeveriseshin edhe atëhere kur nuk kishte ligj të shkruar apo institucione të organizuara, në sajë të kodit fisnor të pashkruar e të njohur si Kanuni. Shqiptarët janë inteligjentë dhe punëtorë, që e meritojnë të kenë një atdhe të begatë, që e meritojnë pranimin në Bashkim Europian. Për fat të keq, disa zyrtarë të zgjedhur të Shqipërisë nuk i meritojnë postet që kanë.

Liria e shprehjes së opinionit është një parim themelor brenda një sistemi demokratik. Pa të, publiku nuk do të ishte në gjendje që të bënte të ditur qendrimet e tij dhe të kërkonte përgjegjësi nga qeveria dhe zyrtarët publikë për veprimet e tyre. Megjithatë, edhe në demokracitë e zhvilluara, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara ka kufi në ushtrimin e kësaj lirie. Të veprosh në emër të një dyshimi apo besimi, një ideje apo kauze nuk do të thotë që një person mund të sulmojë liritë e të tjerëve dhe institucionet shtetërore të cilat u takojnë të gjithëve. Ngjarjet që ndodhën në Tiranë, përpara zyrës së kryeministrisë, janë kujtesë brutale e dallimit ndërmjet pjesëmarrjes në një demonstratë dhe pjesëmarrjes në një përleshje.

Liritë e shprehjes dhe të grumbullimit paqësor janë sanksionuar si të drejta themelore në Kushtetutën shqiptare, mirëpo vras mendjen se sa njerëz e kuptojnë thelbin e vërtetë të këtyre fjalëve dhe kuptimin e vërtetë të demokracisë në përgjithësi. Ndërsa demokracia mund të jetë forma më e drejtë e qeverisjes, ajo nuk garanton gjithmonë drejtësi. Të gjithë e kemi dëgjuar thënien e famshme thumbuese të Uinston Çërçillit (Winston Churchill) për demokracinë “forma më e keqe e qeverisjes, në qoftë se përjashtojmë të gjitha format e tjera që janë provuar nga koha në kohë”. Në një demokraci të vërtetë, pakica ose opozita gjithnjë do të ketë një tjetër pikëpamje dhe do të ankohet për padrejtësi, mirëpo çështja është se a është thyerja e ligjit përgjigjia e duhur ndaj asaj që duket si padrejtësi.

Në demokracitë perëndimore, me liri të shprehjes kuptohet e drejta për të komunikuar një mesazh apo ide, ndërmjet fjalës, lajmit, artit, muzikës, protestës në rrugë dhe mjeteve të tjera. Liria e grumbullimit nënkupton të drejtën e qytetarit për t’u takuar me të tjerët për një qëllim. Grumbullimet mund të përfshijnë parada publike, demonstrata dhe takime për të protestuar veprimet e qeverisë apo për të promovuar ide. Këto të drejta janë hartuar për të mbrojtur aftësinë e qytetarëve për të bërë të ditur shqetësimet e tyre nëpërmjet grumbullimeve publike pa përzierjen e qeverisë. Megjithatë, këto të drejta nuk e pengojnë qeverinë që të ndërhyjë në disa rrethana.

Qeveritë në shoqëritë demokratike mund ta kufizojnë gjithësesi ushtrimin e të drejtave të qytetarëve të tyre kur është e arsyeshme dhe e justifikueshme. Ja për shembull disa raste kur një qeveri mund të ndërhyjë: Kur fjala e shprehur është gjuhë e urrejtjes, që përfshin deklarata raciste; apo kur njerëzit janë mbledhur me qëllim që të shkatërrojnë prona apo të rrëzojnë më forcë qeverinë e tyre. Përdorimi i dhunës nga qytetarët nuk mund të justifikohet me liritë e shprehjes apo të grumbullimit. Sjellja e shëmtuar dhe e dhunshme e demonstruesve të Tiranës ishte qartësisht përtej kufijve që lejojnë liritë demokratike; është e paligjshme dhe subjekt për ndekje ligjore, duke filluar nga organizatorët e deri poshtë te individët që kryejnë aktet e dhunshme. Njerëzit që pashë në TV duke ushtruar dhunë nuk janë shqiptarët që njoh apo që kam takuar në Universitetin e Tiranës, të cilët janë të zgjuar dhe të etur për të ndërtuar Shqipërinë që të bëhet një shtet model në Ballkan dhe në mbarë Europën. Nga ajo që kemi parë, këta ofendues të dhunshëm janë huliganë që nuk ka asnjë synim tjetër përveç keqbërjes.

Për këto arsye, kodet penale në Shtetet e Bashkuara dhe në vendet e tjera demokratike ndalojnë grumbullimet e paligjshme, përleshjet dhe keqbërjet që lidhen me to. Përkufizimi i grumbullimit të paligjshëm e thënë thjesht është një grup njerëzish që shkaktojnë frikë dhe prishin rendin. Është kundër ligjit nëse demonstruesit sulmojnë apo pushtojnë një ndërtesë, e aq më keq nëse është ndërtesë publike. Përleshja është një formë tjetër grumbullimi që nënkupton një sjellje akoma edhe më shumë të çrregullt dhe të dhunshme. Qartësisht, ajo që precipitoi në Tiranë ishte një përleshje e dhunshme dhe keqbërje, ndaj të cilave policia veproi ashtu siç duhet për të ndalur dhunën e mbase në mënyrë shumë më civile se do të kishte vepruar policia e shumicës së vendeve perëndimore duke përfshirë edhe atë në SHBA.

Është absolutisht e drejta e të gjithë qytetarëve në një shoqëri demokratike që të thonë apo të shkruajnë atë çfarë mendojnë edhe nëse janë kritikë ndaj një zyrtari qeveritar apo vetë qeverisë. Për më tepër, ne kemi të drejtën të mblidhemi për t’i ndarë këto ide me të tjerët; që të dyja janë legjitime madje thelbësore për shëndetin dhe qendrueshmërinë e shoqërive demokratike. Mirëpo ka një dallim ndërmjet të kërkuarit të ndryshimeve dhe të shkatërruarit e pronës; ndërmjet denoncimit të njerëzve dhe kërcënimit të jetëve të tyre; ndërmjet detyrimit të qeverisë për të futur në fuqi ligje të tjera dhe përpjekjes për ta rrëzuar me forcë.

Gjatë fundjavës, pata mundësinë që të lexoj të gjitha deklaratat dhe komentet e konferencave të ndryshme të shtypit dhe ato të dhëna për median nga zyrtarët më të lartë qeveritarë të Shqipërisë dhe nga ambasadorë të ndryshëm të huaj në Tiranë. Po e fillojmë me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi, reagimi i parë i të cilit menjëherë pas rrëmujave ishte që të bënte thirrje për qetësi dhe pjekuri. Në deklaratën e tij për shtyp, ai u bënte thirrje të gjitha partive politike që t’i përmbaheshin rendit kushtetues dhe të mbronin institucionet kombëtare të cilat, sipas tij, ishin jetike për mbijetesën e demokracisë së Shqipërisë. Përgjatë mandatit të tij, z. Topi ka dëshmuar vetëpërmbajtje dhe pjekuri. Mirëpo, në rastin e kësaj krize, ndoshta do të ishte dashur të pyeste veten: “A kam bërë gjithshka që kam në dorë që vendi të mos rrëshqasë drejt greminës?” Ndonëse fuqitë kushtetuese të z. Topi janë mjaft të kufizuara, ai mbetet President i Republikës dhe kreu i shtetit; ai përfaqëson unitetin e popullit të tij. Për shkak të detyrës së tij parësore për të bashkuar njerëzit dhe për shkak se gëzon respektin e tyre, ndoshta ai duhet të ndërmarrë një rol më të madh udhëheqës në administrimin dhe zgjidhjen e konflikteve që përfshijnë vendin e tij.

Kryeministri është posti më i rëndësishëm në Shqipëri dhe z. Sali Berisha ka shërbyer në këtë post me më fuqimisht se të gjithë paraardhësit e tij në këtë post në historinë moderne shqiptare. Ai nuk është vetëm një kryeministër, por edhe ambasadori më i mirë i vendit të tij. Besimi i tij në vetvete dhe dëshira për ta parë Shqipërinë duke përparuar, të gërshetuara me guximin dhe energjinë e tij të jashtëzakonshme, kanë prodhuar disa rezultate të dukshme të cilat as kundërshtarët e tij më në zë nuk mund t’i mohojnë. Nën udhëheqjen e tij, Shqipëria ka shënuar një rritje të paluhatshme ekonomike, një inflacion relativisht të butë dhe një sektor financiar të qendrueshëm, pavarësisht nga recesioni botëror i cili ka goditur shumë vende me kriza ekonomike e financiare. Në arenën ndërkombëtare, Shqipëria ka arritur sukses të dukshëm, si për shembull duke u bërë anëtare e NATO-s në 2008. Në 2010, Bashkimi Europian aprovoi liberalizimin e vizave duke u mundësuar atyre që kanë pasaporta të Shqipërisë që të udhëtojnë pa viza. Shqipëria është gjithashtu qartësisht në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, pavarësisht prej disa pengesave të kohëve të fundit. Është për të ardhur keq që z. Berisha ka rënë pre e grindjes politike me udhëheqësin e opozitës kryesore ndaj qeverisë, z. Edi Rama. Në vend që ta kishte injoruar tërësisht z. Rama dhe të linte institucionet që të bënin punën e tyre si dhe drejtësisë që të ndiqte rrugën e saj, z. Berisha është përfshirë personalisht tashmë në një betejë të pafundme me z. Rama.

Akuzat dhe gjuha acaruese që i kanë drejtuar njëri-tjetrit gjatë dy viteve të kaluara i kanë hedhur zjarr benzinës dhe kanë ushqyer tensionet në media. Toni i kësaj beteje ishte i ngjashëm në deklaratën e z. Berisha për median mbi ngjarjet që precipituan në Tiranë. Ndonëse shumëkush e kupton frustrimin që akumulohet kur ke të bësh me një person që nuk ka dëshirë të arsyetojë, kryeministri duhet që në kohë krizash të shfaqë qetësi dhe të lërë institucionet (dhe jo politikanët) që të kryejnë një hetim të besueshëm dhe administrimin e drejtësisë.

Ditën e hënë, z. Berisha njoftoi se “grumbullimi kundër dhunës” pro-qeveritar që po organizohej nga shumica në fuqi dhe i planifikuar fillimisht për të mërkurën ishte shtyrë për të shtunën, në 29 janar. Sipas mendimit tim, megjithë synimet e mira të kryeministrit, mbajtja e një mitingu të tillë do të ishte e pamenduar mirë dhe e dëmshme. Sinqerisht shpresoj se kryeministri do ta rishqyrtojë këtë hap dhe do të vendosë t’i lërë të qetësohen qytetarët e tij ndërsa medias do t’i jape një pushim për një periudhë kohe derisa tensioni të jetë ulur dhe situate të jetë normalizuar. Shqipëria dhe bota nuk kanë nevojë për episode të reja nga kjo dramë fatkeqe.

Nga ana tjetër, komentet e Edi Ramës si përpara ashtu edhe pas ngjarjeve në Tiranë kanë qenë tërësisht pa vend. Deklarata nga përfaqësuesit e opozitës së bashkuar se “Shqipëria duhet të ndjekë shembullin e Tunizisë” dhe deklaratat e z. Rama se “demonstrata e 21 janarit është vënia në veprim e popullit pas ezaurimit të të gjitha mundësive për të mbrojtur Kushtetutën, ligjin, institucionet dhe liritë e të drejtat e qytetarëve përmes përpjekjes së opozitës politike”, janë jo vetëm absurde por edhe të rrezikshme dhe çojnë në anarki.

Në Shtetet e Bashkuara, përkufizimi për dikë që promovon anarki kriminale është ai person që me fjalë goje apo të shkruar, të nxit, të këshillon apo të mëson detyrën, nevojën apo drejtësinë e rrëzimit ose ndryshimit të një qeverie të organizuar nëpërmjet dhunës apo mjete të tjera force; duke vrarë kreun ekzekutiv apo zyrtarë të tjerë të ekzekutivë të qeverisë; apo duke printuar, botuar, redaktuar, transmetuar apo qarkulluar me vetëdije çdo lëndë të shkruar apo të printuar që përmban apo promovon doktrinën që qeveria e organizuar duhet të rrëzohet me forcë, dhunë apo mjete të tjera të paligjshme. Një person i tillë pra mund të jetë i dënueshëm penalisht dhe mund të dënohet me burgim, me gjobë apo me të dyja. Z. Rama dhe mbështetësit e tij duhet të mos harrojnë se në çastin që dhuna bëhet pjesë e një demonstrimi, ai nuk konsiderohet më një akt i mosbindjes qytetare si formë e protestës politike.

Është për të ardhur keq që z. Rama nuk vazhdoi punën e jashtëzakonshme që nisi kur u bë Kryetar i Bashkisë së Tiranës në 2000. Ai krijoi aleancë me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara në 2001. Së bashku, ata nisën projektin Pastrim dhe Gjelbërim në Tiranë duke u marrë me problemet e ndotjes në Lumin Lana, duke krijuar hapësira të reja të gjelbëra dhe duke mbjellur mijëra pemë të reja. Z. Rama uli gjithashtu papunësinë e qytetit, pjesërisht duke punësuar tiranasit në këto projekte. Dy vjet pasi ishte zgjedhur kryebashkiak ai shkoi në New York për të marrë Çmimin për Çrrënjosjen e Varfërisë që i ishte dhënë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan. Kjo është një arritje jo e vogël, por është edhe më e madhe se kaq, nëse sjell ndërmend se z. Rama vetëm me mjetet e tij dhe me një guxim të habitshëm, zhduku qindra ndërtesa dhe kioska të paligjshme që ia kishin marrë frymën parqeve të Tiranës dhe Lumit Lana. Në këtë mënyrë ai ia ktheu parqet popullit. Mijëra pemë të reja ndihmuan që t’i jepnin rrugëve të Tiranës një pamje të re e më të freskët. Vetëm një artisti si ai mund t’i shkonte mendja që të ndryshonte fasadën e qindra ndërtesave të rrënuara duke i pikturuar me ngjyra të ndritshme dhe natyrale, duke bërë bujë jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Siç i kam thënë dikur me shaka, ai duhej ndaluar që të kërkonte ndonjë post tjetër për ta detyruar që të bëhej kryebashkiak i të gjitha qyteteve shqiptare me radhë deri sa t’i bënte të gjitha të gjelbra e të pastra. Ndoshta po të kishte dëgjuar këshillën time, sot do të shihej si hero e jo si figura më kontradiktore në Shqipëri.

Duke vazhduar shfletimin e reagimeve dhe deklaratave të shtypit lidhur me ngjarjet, pata kënaqësinë të lexoja transkriptimin e konferencës për shtyp të mbajtur nga Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, z. Alexander Arvizu. Nuk kam pasur ende mundësinë për ta takuar Ambasadorin Arvizu dhe të krijoj një opinion për të, por komentet e tij m’u dukën shumë të drejtpeshuara, mendimplote dhe të kujdesshme. Mesazhi i tij m’u duk pa mëdyshje dhe i drejtpërdrejtë, diçka që shqiptarëve u ka munguar kohët e fundit nga ambasada amerikane në Shqipëri. Shqiptarët e konsiderojnë Amerikën si aleatin e tyre më të madh dhe me plot të drejtë e kanë mirëpritur këtë ndryshim. Në këtë frymë, një vizitë në Shqipëri nga një zyrtar i lartë i administratës së Obamas mesiguri që do të ndihmonte në qetësimin e situatës. Shqiptarët kanë një admirim të madh për Shtetet e Bashkuara dhe në këtë kohë krize, fjalët këshilluese nga Washington-i do të kishin qenë thellësisht të mirëpritura nga qeveria dhe populli i Shqipërisë.

Ja disa nga pjesë të rëndësishme nga deklaratat e Ambasadorit Arvizu:

“Dita e djeshme [January 21, 2011] ishte një ditë e tmerrshme për Shqipërinë. E di që shqiptarët anembanë vendit janë tejet të trazuar nga ngjarjet e djeshme. Të njëjtën gjë mund të them edhe për njerëzit, në Shtetet e Bashkuara dhe tjetërkund, që dëshirojnë më të mirën për Shqipërinë dhe popullin e saj shumë punëtor dhe që ka punuar aq shumë për të çuar përpara vendin gjatë 20 viteve të fundit.

Siç e kemi thënë shumë herë, e drejta për t’u tubuar lirisht vjen me përgjegjësinë për të bërë gjithçka për t’u siguruar që të jetë paqësore. Dhuna së cilës i ishim dëshmitarë dje nuk ishte e nevojshme. As nuk ishte e pashmangshme. Mund të ishte shmangur. Duhet parandaluar që të mos ndodhë përsëri, për hir të të gjithë shqiptarëve.”

Në një deklaratë tjetër:

“Askush nuk e vë në diskutim ndikimin gërryes të korrupsionit në Shqipëri. Duhet bërë përparim në luftën kundër korrupsionit në mënyrë që Shqipëria të realizojë potencialin e saj të plotë. Dhuna në rrugët e kryeqytetit apo tjetërkund në Shqipëri nuk do ta zgjidhë problemin e korrupsionit në Shqipëri.”

Dhe akoma në një tjetër:

Në këtë moment, Shqipëria ka nevojë të dëshpëruar për udhëheqje politike. Kemi nxitur vazhdimisht udhëheqësit politikë të Shqipërisë që të gjejnë rrugë për kompromis. Kur njëra palë – apo të dyja – këmbëngulin në pozicione maksimaliste që dihet që pala tjetër nuk mund t’i pranojë, më vjen keq, por ky nuk quhet kompromis. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve politike me anë të betejave në rrugë nuk është kompromis dhe nuk pasqyron aspiratat demokratike të Shqiptarëve”.

Ai gjithashtu tha se kishte qenë në kontakt me Kryeministrin Berisha, me Ministrin e Brendshëm Basha, me Ministrin e Punëve të Jashtme Haxhinasto dhe me kreun e PS-së Rama, të cilëve ai tha se u kishte kërkuar që të bënin maksimumin për të shmangur çdo dhunë të mëtejshme dhe që të gjenin një kompromis:

“Është me rëndësi të mbahet parasysh që Shqipëria është një vend demokratik dhe një vend anëtar i NATOs. Shqipëria ka përparuar shumë. Shqipëria i ka institucionet demokratike; mund të mos jenë të përsosura, në fakt, ka vend për përmirësime. Por, strukturat demokratike ekzistojnë dhe u duhet dhënë mundësia të kryejnë detyrën dhe të funksionojnë. Në fjalët e mia më parë, kishte më shumë hollësi se sa zakonisht lidhur me ç’nënkuptojmë me kompromis. Kompromis dhe negociatë nënkupton që duhet të heqësh dorë nga diçka, edhe kur beson se është e drejtë. Sigurisht, u përmbahesh parimeve të tua, asaj që e quajmë, kufiri që nuk kalohet, që është i vështirë të negociohet. Por, kjo nuk do të thotë marrje e pozicioneve maksimaliste dhe mostërheqje prej tyre. Këtë dua të them me gjetje të një emëruesi të përbashkët”.

Ne në diasporë, përfshi edhe mua personalisht, besojmë se populli shqiptar në përgjithësi është dakord me plot zemër me Ambasadorin Arvizu. Sfida tani është që të shohim edhe elitën politike shqiptare që të mbajë frymën dhe të dëgjojë fjalët e urta të Arvizut, diplomatëve të tjerë dhe miqve nëpër botë. Ne do të donim që zyrtarëve të zgjedhur të Shqipërisë t’u thonim thjesht këtë: Populli shqiptar e ka lënë besimin dhe atdheun e tyre në duart tuaja. Ju lutem ndaloni këtë çmenduri dhe mos e tradhëtoni besimin e tyre. Nëse vazhdoni , historia do t’ju gjykojë shumë ashpërsisht.

Ne shpresojmë se të dy partitë e përfshira në këtë konflikt e kanë mësuar ndonëse me çmim të lartë se linja e veprimit që është ndjekur në këto dy vjet nuk ka ecur dhe nuk do të ecë. Ngërçet politike nuk tregojnë apak trimëri apo fuqi intelektuale; ato thjesht pasqyrojnë kokëfortësi të pastër që nuk i shërben asnjë procesi politik dhe krijon kushte për pasoja të paparashikueshme. Ka ardhur koha që ju të reflektoni nga thellësia e shpirtit dhe të gjeni një kompromis, për hir të vetes suaj dhe për hir të popullit shqiptar.

Këtu janë disa sugjerime që mund të ndihmojnë që kjo sagë të marrë fund, duke e lejuar Shqipërinë të shërohet dhe t’ia nisë nga fillimi në emër të arsyes dhe të popullit shqiptar.

  • 1. Duke nisur nga ky moment, hiqni dorë dhe shmangni çdo akuzim apo shprehje ulëse, apo përdorim të gjuhës acaruese.
  • 2. Deri sa të ketë një ndryshim të situatës, mos lëshoni më thirrje për grumbullime, qofshin edhe paqësore apo të natyrave të tjera. Nëse është e nevojshme, parlamenti duhet të aprovojë një ligj, ose një autoritet i posaçëm duhet të lëshojë një urdhër ndalimi. Shqipëria duhet së pari të shërohet nga plagët e të ashtuquajturave demonstrative paqësore, përpara se të jetë e sigurtë për qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të organizuar mitingje masive dhe për të praktikuar vetëshprehjen e lirë.
  • 3. Media dhe kushdo tjetër duhet të respektojnë procesin gjyqësor të bazuar në parimin demokratik që një person i akuzuar është i pafajshëm deri sa të provohet fajtor. Të shmanget ndikimi i opinionit publik për çështje të tilla dhe as media dhe askush tjetër të mos spekullojë për dëshmitë e shtetit kundër të akuzuarve për krime, deri sa prokurorët dhe institucionet e tjera kompetente të kenë pasur mundësinë për të mbledhur të gjitha provat e nevojshme dhe gjyqi të ketë filluar.
  • 4. Asnjë parti politike dhe askush tjetër duhet të dëmtojë provat apo të pengojë përpjekjet e prokurorëve dhe agjensive të tjera në mbledhjen e provave dhe kryerjen e plotë të hetimeve lidhur me rrëmujat në Tiranë. Ata që janë përgjegjës duhet të mabjnë përgjegjësi të plotë për atë çfarë ndodhi në 21 janar, ndërsa ata që shkelën ligjin duhet të përballen me drejtësinë.
  • 5. Të gjitha partitë politike duhet të bëjnë një përpjekje për të forcuar institucionet e brishta demokratike të Shqipërisë; ato nuk u përkasin vetëm partive në pushtet por të gjitha partive si dhe popullit të Shqipërisë. Më e rëndësishme është që t’u jepet mundësia që të kryejnë detyrat e tyre dhe të funksionojnë si institucione demokratike.
  • 6. Partitë politike dhe populli i Shqipërisë duhet të përqendrohet më shumë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2013, të cilat janë shumë më të rëndësishme se zgjedhjet e fundit në vend. Shumë ndryshime mund të ndodhin atë ditë, por vetëm votuesit duhet të vendosin se çfarë ndryshimesh duan të sjellin. Kjo është edhe mënyra e duhur dhe ligjore për opozitën me anë të cilës të përpiqet për të hequr qeverinë e sotme, e jo nëpërmjet dhunës së rrugës.
  • 7. Partitë politike dhe populli i Shqipërisë duhet t’i kushtojnë vëmendje të posaçme korrupsionit mbizotërues që ka infektuar mbarë vendin. Lufta kundër korrupsionit nuk fillon duke treguar me gisht njëri-tjetrin apo duke bërë akuza, pavarësisht nëse janë të vërteta apo jo; gjithashtu nuk fillon duke organizuar demonstrata në rrugë që për ironi të fatit mund të financohen nga vetë korrupsioni. Shqiptarët dhe partitë e tyre politike duhet të përqafojnë një politikë të tolerancës zero kundër korrupsionit dhe ta çlirojnë ekonominë e vendit nga pasojat e tij gërryese. Vetëm duke përforcuar pushtetin e ligjit dhe duke lejuar prokurorët dhe institucionet e tjera që të bëjnë punën e tyre, vendi do të mund të zhdukë korrupsionin.
  • 8. Tani është koha e duhur që të gjithë anëtarët e partive politike dhe ata që shërbejnë në funksione qeveritare të rivlerësojnë sjelljen e tyre dhe t’i ripërkushtohen shërbimit të vendit dhe interesave të popullit shqiptar. Cilido që nuk pranon këto synime, apo që është më i interesuar në apektet materiale të jetës, duhet të dalë nga politika dhe të ndjekë ato interesa jashtë saj. Votuesit duhet t’i kushtojnë rëndësi të posaçme punës së zyrtarëve të tyre të zgjedhur. Votuesit janë forca më e fuqishme në Shqipëri; vota e tyre është gjykatësi dhe juria dhe nëqoftëse votojnë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe objektive në zgjedhjet e ardhshme, ata mund t’i zëvendësojnë zyrtarët e padëshiruar. Votuesit duhet të fillojnë të organizohen qysh tani; ata kanë dy vjet në dispozicion për të përshkuar procesin e tyre të vlerësimit përpara se të marrin vendimet përfundimtare.
  • 9. Tani është gjithashtu koha e duhur për elitën intelektuale të Shqipërisë që të marrë më shumë nismën duke u përfshirë në çështjet shqiptare në të mirë të vendit dhe jo për solidaritet me elitën politike. Ndoshta ngjarjet që ndodhën në atë të premte të frikshme duhet të shërbejnë si një alarm për zgjim nga gjumi. Shqipëria ka shumë njerëz të mençur, por ata ose janë detyruar që të heshtin ose që të këndojnë refrenin që media dëshiron të dëgjojë prej tyre nëse duan që fytyrat e tyre të vazhdojnë të dalin në publik. Është koha që mendimtarët dhe studjuesit e pavarur shqiptarë t’i kushtojnë më shumë vëmendje çështjes shqiptare sesa marrjes së çmimeve dhe komplimenteve. Nuk ka çmim më të madh apo më fisnik sesa ndihma ndaj atdheut tënd.
  • 10. Është koha që politikanët shqiptarë, institucionet qeveritare dhe qytetaria shqiptare si e tërë të heqë dorë nga fjalori vulgar që është zhvilluar në vitet e fundit. Shqiptarët janë krenarë për trashëgiminë e tyre të strukturuar dhe vlerat e larta morale e familjare. Vulgariteti dhe gjuha e pahijshme nuk e kanë vendin në Shqipëri: as në familjet e saj, as në institucionet qeveritare të saj dhe as në shoqërinë e saj – kështu që le të mos e dëgjojmë më. Parlamenti duhet të aprovojë një ligj që t’i kërkojë çdo institucioni qeveritar që të përgatisë një Kod Sjelljeje, që do të paraqesë çfarë është sjellje e pranueshme për të dhe çfarë jo.
  • 11.       Është gjithashtu koha që shqiptarët nga të gjitha shtresat e shoqërisë të ndërgjegjësohen për çështjen e mjedisit dhe ta mbajnë Shqipërinë të pastër dhe të bukur. Zoti e ka bekuar këtë vend me shumë bukuri natyrore. Dhe siç është përmendur në fillim të këtij artikulli, Shqipëria renditet si vendi numër një për t’u vizituar në vitin 2011. Do të ishte imorale dhe e turpshme që të shkatërrohej bukuria e këtij vendi. Qoftë qytetarët, qoftë qeveria, duhet të udhëheqin me nismë për të formuluar një politikë kushtuar mjedisit dhe sistemeve ekologjike, duke hapur mundësinë për zhvillimin e qendrueshëm dhe ekoturizmin. Por, më e rëndësishmja, mbajeni mjedisin e pastër dhe të shëndetshëm për të mirën tuaj, për hir të fëmijëve tuaj dhe të brezave që do të vinë.
  • 12. Së fundi, populli shqiptar nuk duhet të lejojë që ngjarjet e fundit, apo çfarëdo ngjarje të pakëndshme të trondisë besimin e tij, respektin ndaj vetes apo te aftësitë e tij për t’u vetëqeverisur. Është thënë se shekulli i 21-të në Ballkan i përket shqiptarëve, ashtu si shekulli i 20 u takoi sllavëve. Megjithë dhimbjet në rritje dhe pengesat e vogla përgjatë rrugës, shqiptarët vërtet që do të luajnë një rol udhëheqës në zhvillimin gjeopolitik dhe ekonomik të rajonit. Shqiptarët e meritojnë këtë nder jo për shkak të ndonjë aftësie specifike apo gjenetike për të udhëhequr, por sepse përgjatë historisë së tyre, ata kurrë nuk kanë pushtuar apo kërcënuar një komb tjetër. Përkundrazi, shqiptarët janë paqedashës, të dashur, bujarë dhe të kujdesshëm, duke vënë gjithmonë interesat e të tjerëve mbi ato të tyret. Është e debatueshme nëse kjo është një karakteristikë e mirë apo e zgjuar për ta pasur, mirëpo kjo është e vërteta. Ndoshta sepse jo të gjithë fqinjët karakterizohen nga të njëjtat vlera, shqiptarët duhet të jenë vigjilentë kundrejt atyre që mund të duan që drejtpërdrejt apo tërthorazi të dëmtojnë kombin shqiptar. Pavarësisht nga fakti që shqiptarët janë të përhapur në gjashtë vende ballkanike, ka vetëm një komb shqiptar me mbi shtatë milionë vetë.
  • Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë.

(Cafo Boga është një aktivist i shquar i komunitetit shqiptar në SHBA. Artikulli është botuar fillimisht në anglisht në gazetën “Illyria” në New York. Përktheu Ruben Avxhiu.)


YouTube Preview Image