Forca e Re Demokratike mbi buxhetin e Komunës së Ulqinit

February 7, 2011   | Shoqëria / Društvo

Ulqin – Forca e Re Demokratike vlerëson se Llogaria përfundimtare e buxhetit për vitin 2009 dhe Ribalanci i buxhetit për vitin 2010 janë miratuar në mënyrë joligjore nga Kuvendi i Komunës së Ulqinit. Këto vlerësime i ka bërë në konferencën për shtyp të së martës, kryetari i kësaj partie, Nazif Cungu. Sipas Cungut, “këtu nuk bëhet fjalë për mosdijeninë e pushtetit ekzekutiv, por për tentativë që punët e paligjshme të mbulohen me vendimet e Kuvendit të Komunës dhe në atë mënyrë të mbrohen disa individë”.
Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka miratuar të mërkurën e kaluar Llogarinë përfundimtare të buxhetit për vitin 2009 dhe Ribalancin e buxhetit për vitin 2010. Kryetari i Forcës ka thënë se dokumentet e miratuara japin pasqyrën e vërtetë të gjendjes së pushtetit vendor në Ulqin. Ai ka theksuar se gjendja në komunën e Ulqinit është alarmante, ndërsa në të ardhmen ajo do të përkeqësohet. “Ne mund të paramendojmë se gjendja është edhe më e vështirë në ndërmarrjet publike, themeluese e të cilave është vetë Komuna e Ulqinit”, ka thënë Cungu.
“Katër vitet e fundit, Kuvendi i Komunës së Ulqinit nuk ka shqyrtar as aprovuar asnjë raport për punën e ndërmarrjeve publike, kështu që Kuvendi si themelues, nuk është njoftuar për gjendjen dhe punën e këtyre ndërmarrjeve. Ne mund vetëm të supozojmë se janë në gjendje të keqe në bazë të të dhënave që kemi nga të punësuarit, të cilët tash disa muaj nuk marrin rroga”, ka shtuar ai.
Kryetari i Forcës së Re Demokratike ka nënvizuar se “pa raporte për gjendjen në ndërmarrjet publike nuk mund të mirato   Llogaria përfundimtare e buxhetit”.
Ai ka theksuar se gjatë miratimit të Llogarisë përfundimtare për vitin 2009, kjo parti “nuk ka fituar arsyetimet për devijimet që kanë ndodhur gjatë realizmit”. “Në raportin e revizorit për vitin 2009 konstatohen dallime të mëdha prej disa miliona euro dhe askush nuk ka dhënë përgjigje. Shpenzimet e mjeteve të buxhetit për vitet 2009 dhe 2010 janë realizuar në mënyre të paligjshme”, ka thënë Cungu.
Duke arsyetuar konstatimin e tij se edhe miratimi i Ribalancit të buxhetit për vitin 2010 është i paligjshëm, ai ka thënë se “në vend që këshilltarëve t’u ofrohet raporti për realizimin e buxhetit për vitin 2010, Sekretariati përkatës ka bërë ndryshimet për vitin e kaluar në vitin 2011”. Cungu ka përmendur edhe, siç ka thënë ai, disa anomali të tjera.
“Buxheti per vitin 2009 ishte projektuar në 16 220 000 euro, kurse është realizuar në vlerën 4 600 000 euro. Buxheti për vitin 2010 ishte projektuar në vlerën 12 900 000 euro, kurse me ribalanc joligjor është ndryshuar në 4 800 000 euro. Me programet për rregullim hapësinor të Komunës së Ulqinit për vitin 2009 dhe 2010 kanë qenë të parapara investimet në vlerë prej 17 milionë euro, kurse realizimi për këto dy vite ka qenë më pak se 800 mijë euro.
Të ardhurat nga taksat për komunalijet gjithashtu janë shpenzuar në mënyrë të paligjshme. Disa shpenzime janë rritur edhe mbi 25 herë, për çka edhe ka ardhur deri te këto devijime dhe shpenzime të paligjshme, për të cilat askush nuk dha arsyetim”, ka thënë ai.
Kryetari i Forcës ka pranuar se duke qenë parti opozitare, ata “nuk kanë mundësi të ndikojnë në pasojat që janë tashmë të dukshme në tërë komunën e Ulqinit”.
(Kohapress)

2