Luigj Shkrela: Pushteti i ri deri në fillim të marsit

February 7, 2011   | Politika

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Luigj Shkrela, pret zbatimin e shpejtë të Marrëveshjes së koalicionit në komunën e Ulqinit
Ulqin – Kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Luigj Shkrela, pret që marrëveshja e Koalicionit ndërmjet PDS-së, UDSH-së dhe PPD-së për ushtrimin e pushtetit në komunën e Ulqinit të zbatohet në mënyrë të plotë deri në mbarim të këtij muaji apo fillim të muajit të ardhshëm. “Deri në mbarim të muajit shkurt, eventualisht fillim të marsit, është koha kur marrëveshja sa i përket PDS-së do të zbatohet me kapacitet të plotë”, thotë ai. Shkrela i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit Komunal të PDS-së në Ulqin dhe deputet i kësaj partie nuk e quan zvarritje mosrealizimin e deritashëm të marrëveshjes së Koalicionit. “Posti i kryetarit të Kuvendit i cili ka qenë mollë sherri që të mos kemi pushtet lokal në kapacitet të plotë, por zgjedhje të përsëritura, është realizuar dhe funksionin në kapacitet të plotë sipas marrëveshjes”, thotë ai.
Sipas tij, postet e tjera përfshirë sekretariatet funksionojnë me kapacitet dhe mandat të plotë megjithëse me marrëveshjen politike mandati i tyre mund të shkurtohet, gjë që sipas tij edhe do të bëhet. Me marrëveshjen e koalicionit ndërmjet PDS-së, UDSH-së dhe PPD-së parashikohet që PDS-ja përveç tre sekretariateve që i ka drejtuar në mandatin e kaluar, në mandatin e ri do të drejtojë edhe Sekretariatin për Buxhet dhe Financa. Në opinion deri tani janë përfolur shumë emra të cilët mund të vijnë në krye të këtij sekretariati. Por Shkrela nuk zbulon emrin e kandidatit nga radhët e kësaj partie që do të drejtojë këtë sekretariat. “Kandidatët ekzistojnë. Zgjedhja është çështje e organeve të partisë. Është çështje e kohës dhe e momentit dhe e disa veprimeve të nevojshme që duhet t’i kryejë sekretari aktual, dhe pas procedurave të nevojshme të parashikuara me ligj, nuk ka asnjë arsye që atë dikaster ta marrë PDS sipas marrëveshjes.”, thotë ai. Ditëve të fundit Komuna e Ulqinit ka qenë në qendër të vëmendjes së shtypit për shkak të kontrollit të inspektorëve të krimit ekonomik. Shkrela thotë se inspektimi në fjalë nuk do të ketë kurrfarë pasoje për zbatimin e marrëveshjes së koalicionit.

i.k.
Koha Javore

15