Forca Re Demokratike: Procesi i regjistrimit është politizuar

February 14, 2011   | Reportazh / Reportaža

Forca e Re Demokratike kërkon që të bëhet regjistrimi edhe i diasporës shqiptare pasi që, sipas disa të dhënave, “çdo i treti shqiptar në Mal të Zi jeton në botën e jashtme”. Dr. Nail Draga ka thënë se “pasi një numër i konsideruar i tyre ende është në listat zgjedhore, ata duhet të kenë trajtim të barabartë si qytetarët e tjerë”.

Ulqin – Forca e Re Demokratike ka vlerësuar se procesi i regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi është politizuar ende pa filluar përgatitjet për këtë proces. Për këtë parti, një veprim i tillë nuk përbën befasi sepse në mënyrë të njëjtë është vepruar edhe në regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2003. “Në ketë politizim janë kyçur edhe subjektet politike të cilat regjistrimin e trajtojnë si çështje politike e jo statistike. Në ketë aspekt më të zëshëm janë subjektet politike serbe, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre se pushteti mund të manipulojë me numrin e serbëve duke tentuar zvogëlimin e tyre”, ka thënë të martën në konferencën për shtyp, dr. Nail Draga, anëtar i kryesisë së Forcës. Ai ka thënë se “çështja e regjistrimit të popullsisë dhe e deklarimit të përkatësisë nacionale, gjuhësore dhe fetare është çështje individuale e qytetarëve dhe nuk duhet të  kemi paragjykime si më parë në kohën e monizmit”. Sipas tij, regjistrimi i popullsisë i vitit 2003 ka dëshmuar se Mali i Zi është mjedis tipik multinacional, multigjuhësor dhe multikonfesional, si asnjë vend tjetër në Evropën Juglindore. Forca e Re Demokratike kërkon që të bëhet regjistrimi edhe i diasporës shqiptare pasi që, sipas disa të dhënave, “çdo i treti shqiptar në Mal të Zi jeton në botën e jashtme”. “Pasi një numër i konsideruar i tyre ende është në listat zgjedhore, ata duhet të kenë trajtim të barabartë si qytetarët e tjerë. Sepse nuk duhet harruar kontributin e tyre në pavarësimin e Malit të Zi në maj të vitit 2006. Andaj, ata e meritojnë të evidentohen sepse janë pjesë e pandarë e popullit tonë dhe vetëm në këtë mënyrë do të kemi të dhëna të sakta në lidhje me numrin, vitin e emigrimit, statusin dhe vendqendrimin e tyre, si kudo në botën e qytetëruar”, ka thënë Draga. Forca mendon se rezultatet e regjistrimit të popullsisë do të kenë ndikim edhe në miratimin e Ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve, sidomos për përfaqësimin autentik të popujve pakicë në Mal të Zi. “Ka gjasa që pjesëmarrja e pjesëtarëve të popujve të ndryshëm, që ka të bëjë kryesisht me popujt pakicë, të pësojë ndryshime në kuadër të strukturës së përgjithshme të popullsisë. Pikërisht këto të dhëna numerike do të jenë vendimtare për hartimin e Ligjit zgjedhor për këshilltarë dhe deputetë, e sidomos për përfaqësimin autentik të popujve pakicë në Parlamentin e Malit të Zi”, ka thënë Draga në konferencën për shtyp. Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi do të bëhet nga Monstati prej datës 1-15 prill dhe është i pari që kur Mali i Zi ka fituar pavarësinë në vitin 2006.

Kohapress
http://www.rtcg.me/images/biblioteka/audio_video_arhiva/replika_03022011.flv