Jehona Sopi: Këtë verë do të vesh fustanin e bardhë

February 19, 2011   | Lajmet / Vijesti

“I dashuri më përkrah shumë në muzikë, por unë nuk e vë në rrezik familjen për karrierën”
Dy vjet më parë, ajo fitoi çmimin “Best vocal”, me këngën “Fustani i bardhë” në Festivalin “Kënga Magjike”. Kënga hit, e preferuara edhe e vetë këngëtares, nuk ka pasur të bënte me jetën personale të saj. Por ama, këtë vit, këngëtarja e mrekullueshme Jehona Sopi ka vendosur ta personalizojë “Fustanin e Bardhë”. Pikërisht duke e veshur atë. Po, po, Jehona Sopi do të martohet. Ajo ka vendosur të celebrojë lidhjen e saj të dashurisë në martesë. Për herë të parë, Sopi rrëfen për jetën e saj personale, ngazëllimi i së cilës tashmë i lexohet në sy dhe në fjalë. E pranishme në “Miss Univers” në Zvicër, fundjavën që lamë pas, pas emocioneve që i fali publiku, Jehona ka ndarë me ne këtë intervistë ekskluzive. Le ta shijojmë së bashku…

Jehona, si ka nisur ky vit për ju?

Ky vit ka nisur me shumë plane, që besoj të realizoj një pjesë të madhe të tyre. Jam shumë e relaksuar nga viti që lamë pas, kështu që besoj dhe shpresoj që me punë dhe dëshirë do t’ia arrij.

Do të jeni pjesë e festivaleve këtë vit?

Ende nuk e kam vendosur, pasi e kam menduar si alternativë, por nuk i dihet. Megjithatë, unë asnjë herë nuk them kurrë.

Shumë nga këngët tuaja, përveçse kanë marrë çmime, janë bërë hite. Ju vetë, kë pëlqeni prej tyre?

Normalisht do përsëris dhe unë refrenin që të gjitha këngët më pëlqejnë. Unë nuk jam pjesë e atyre që bëjnë kompromis që ta këndojnë, edhe pse nuk janë 100 për qind dakord për të. Fillimisht, një këngë duhet të më pëlqejë mua, pastaj gjithmonë e them, që ajo këngë që i pëlqen edhe publikut, për mua është mrekulli. Por nuk mund të them se edhe nuk i veçoj këngët e mia. Unë këngën “Fustani i bardhë” gjithmonë e quaj një kapitull tepër të veçantë në karrierën time, e dua shumë si këngë. Jo sepse gjithmonë kam pasur edhe pyetje nga njerëzit, që a ka ndonjë gjë personale në të, po e saktësoj, se asnjë nga këngët e mia nuk ka përshkruar jetën time, por si këngë e si tekst e pëlqej.

Por ama, mos ka ardhur koha që Jehona të veshë “Fustanin e bardhë”?

Shpresoj që po.

Këtë vit?

Po, me kismet. Nuk do të zbuloj asnjë gjë më shumë, kështu që mendoj se është një ekskluzivitet ky lajm, pasi unë nuk jam tip që flas për jetën time personale, kështu që mendoj se me kaq lexuesit e gazetës “Mapo” duhet të kënaqen.

Gjithsesi, ne nuk të lëmë të na ikësh lehtë. I dashuri juaj është një fans i juaji në muzikë?

Ai as nuk më ka njohur si të tillë (qesh). Në fakt kishte pak vite që ishte kthyer nga Anglia, dhe nuk ishte shumë i informuar për këngëtarët, sidomos këngëtarët e rinj. Ai kishte pak kohë që më kishte njohur si këngëtare, por jo personalisht. Ne kemi 10 vite diferencë dhe jam shumë e lumtur për këtë. Por unë vetë, t’u them të drejtën nuk e di që ai ishte fans i imi, apo jo… (hahah)

Të kthehemi sërish te muzika, do të pranonit kompromis në zgjedhjet tuaja muzikore?

Unë mendoj se puna e komerçialitetit është keqkuptuar shumë. Gjithçka që shitet është komerçiale. Dhe jam shumë e gëzuar që gjatë gjithë karrierës sime, pa përsëritur veten, kam vazhduar dhe kam pasur sukses me këngët që nuk janë shumë, apo hiç, si të tjerat. Unë mendoj se shumica e tyre janë artistike dhe më gëzon shumë ky fakt, sepse kohët e fundit është përzierë shumë muzika. Ka një kaos në muzikë, tashmë ne jemi dy shtete, kemi dy problematikë, si shtet si funksionim. Pavarësisht se një shtet që kalon në tranzicion, duhet ta kalojë edhe këtë fazë, që përveç gjërave të tjera, por edhe funksionimit ndonjëherë edhe të gjërave elementare rreth një individi në mbijetesë, po kalon edhe fazën e tranzicionit në aspektin artistik.

Ju keni një look të veçantë në skenë dhe në klipe, kujdeseni vetë për të?

Kryesisht po. Më pëlqejnë disa gjëra, mirëpo vitet e fundit kam një ndihmesë jashtëzakonisht të madhe nga stilisti im, Valdrin Sahiti, kështu që e falënderoj shumë. Pasi më duket se ndonjëherë më lexon mendjen, kështu që për mua është një lehtësim mjaft i madh. Unë vetë gjithmonë jam kujdesur për secilin detaj. Kam shumë dëshirë që veshja ime të ketë personalitet, nuk dua që t’i ngjaj asnjërit. Kam dëshirë thjesht të kem origjinalitet!

Dhe komplimente për këtë, pasi ja arrini.

Faleminderit. Tendenca ka qenë për t’ia arritur, shpresoj që t’ia kem arritur vërtet.

Cili është emocioni në skenën shqiptare?

Unë nuk dua t’i bëj këto lloj dallimesh, sepse edhe në Shqipëri unë e ndjej veten si në Kosovë dhe kam ndjesinë e tillë. Jam shumë komode.

Është në planet tuaja një recital?

Është një ëndërr e kahmotshme, mirëpo ëndrra ime ka qenë gjithmonë të kem një koncert të madh, shumë të përgatitur mirë, por besoj dhe do të mundohem të bëj diçka.

Këtë vit?

Jo këtë vit besoj, por shpejt.

Kjo pasi këtë vit ja keni kushtuar jetës personale…

Po edhe dua të them që patjetër jeta ime personale është në rend të parë, primare është familja ime dhe pastaj karriera. Të dyja janë gjëra që i dua shumë, por nuk e vë në rrezik jetën personale për karrierën.

Nuk do të bënit asnjëherë kompromise?

Jo, nuk do ta rrezikoja jetën private me karrierën asnjëherë. Nuk e di si do të kisha reaguar, nëse do të gjendesha në pozitë të tillë, por sa e njoh veten, nëse do të isha vënë në një pozitë, se a dua më shumë familjen apo muzikën, apo një jetë e përkushtuar ndaj familjes, do zgjidhja familjen, sigurisht përsa e njoh veten. Jam shumë e lumtur për njerëzit që kam përreth, për të dashurin tim, që është i mrekullueshëm dhe më kupton në çfarëdo lloj vendimi, duke më përkrahur jashtëzakonisht shumë.

Por profesioni juaj nuk ndalet vetëm te muzika, por edhe te psikologjia, apo jo…

Po është e vërtetë. Për sa i përket profesionit muzikor, unë do të investoj. Por shpresoj që këtë vit, profesioni im kryesor do të jetë psikologjia. Jam entuziaste, pasi këtë vit do të jetë një vendim shumë i madh, që do të filloj masterin në shtator. Kam shumë dëshirë ta bëj në Londër, kështu që shpresoj që këtë vit të realizohet. Do të bëj master për psikologji klinike dhe kam dëshirë të njihem me njerëzit, pasi i dua shumë. Para se të filloja të studioja psikologjinë, kam pasur shumë dëshirë të lexoja librat psikologjikë edhe kam filluar të lexoja një libër, që 80 % të librit nuk e kuptova dhe mendoj se kam bërë një vendim shumë të mirë që përfundova studimet për psikologji, dhe e dua shumë si profesion, besoj që do të jem edhe e mirë.

Ilda Lumani
MAPO
YouTube Preview Image