Klubi i Fudbollit Prishtina po zhvillonë përgatitjet në Ulqin

February 26, 2011   | Turizmi / Turizam

Ndeshjet miqësore ndihmesë e madhe!
KF Prishtina është duke e realizuar etapën më të rëndësishme të përgatitjeve në rivieren e Ulqinit. Deri me sot janë zhvilluar tri ndeshje miqësore, kryesisht me skuadra malazeze, kurse Prishtina pos fitoreve ka treguar formë të lartë. Më i dalluari është Isuf Llumnica, ka thënë Naser Hyseni, udhëheqës i ekspeditës së klubit kryeqytetas.

Telefonatë me Ulqinin

Tash sa ditë, të gjithë futbollistët e Prishtinës, me të cilët disponon shtabi teknik dhe të cilët janë kandidatë për përbërjen e parë, gjenden në rivieren e Ulqinit, ku janë duke e zhvilluar periudhën e fundit të fazës përgatitjeve për stinorin e pranverës. Pos ushtrimeve dy herë në ditë, të cilat po realizohen në fushë dhe në palestër (fitnes) skuadra kryeqytetase ka zhvilluar tri ndeshje me ekipe të atjeshme, të cilat ose janë edhe ato në përgatitje ose janë të rrethit të Ulqinit dhe të Podgoricës, e të cilat zhvillojnë gara në elitë dhe në ligën e parë malaziase. Kështu, deri me sot Prishtina ka dalë e suksesshme ndaj ekipeve Otrant (3:0), Jezero (Plavë 2:1) dhe Ribnica e Podgoricës (5:0). Në të gjitha këto takime kontrolluese miqësore kanë luajtur pothuajse që të gjithë futbollistët me të cilët disponon aktualisht kryetrajneri Ramiz Krasniqi. Në mesin e tyre u shquan shumica, për të qenë figurë premtuese Isuf Llumnica, i cili po e arrin formën e lakmueshme, sidomos pas lëndimit që e kishte.

– Jemi të vendosur në hotelin Olimpik, i cili ofron kushte optimale për të gjithë futbollistët, të cilët kanë mundësi të shkëlqyeshme qoftë për përgatitje qoftë për relaksim dhe për pushim të rehatshëm. Këtu kemi hasur në mikpritje të jashtëzakonshme, që gjithsesi të jep të kuptosh se Prishtina edhe këtu ka namin dhe respektin si nga vendës (ulqinak v.j) ashtu edhe nga të tjerë, të cilët kanë shprehë gatishmëri që të luajnë dhe të na vizitojnë. Kjo na bën të ndjehemi mirë dhe e arsyeton në çdo mënyrë vendimin e tonë për t’u përgatitur në këtë rivierë, ku Prishtina ka pozicionimin e saj tash sa vjet. Këtu kemi në dispozicion tri fusha futbolli, janë shtigjet e vrapit në një natyrë magjepësese, është hoteli me pishinë e kthina të tjera me lojëra sportive për tu çlodhur e relaksuar në çdo kohë futbollistët, të cilët nuk ndjejnë as lodhje e as mërzi. Shoqërimi, kolegialiteti e bën këtë brez tejet kompakt dhe harmonik që reflekton me atmosferë të shkëlqyeshme. Me një fjalë, jemi shumë të kënaqur dhe nuk ka arsye të mos shpresojmë se pos përgatitjes së plotë, futbollistët do ta ruajnë këtë harmoni që kanë edhe në fushë, kur do ta mësyjnë titullin e ardhës, na tha, në telefonatë, Naser Hyseni, i cili komplementoj lojërat e Isuf Llumnicës.

Secili prej futbollistëve është duke realizuar programin e përgatitjeve. Është periudhë e vështirë, por ndeshjet miqësore janë të relaksimit për të gjithë, pa marr parasysh të jetë aktiv për gjithë ndeshjen apo edhe rezervistë.

– Në tri ndeshjet e deritashme nuk ka futbollistë, i cili nuk ka dhënë maksimumin dhe nuk ka dëshmuar gatishmëri force e teknike. Në takime u pa qartë dëshira e tyre për të arritur maksimumin. Nuk vërej ndër ta ndonjërin që nuk ka forcë të mjaftueshme për ti bërë ballë 90 minutave, madje të një loje me shumë presing. Prishtina, vazhdon stilin e saj të lojës, duke mëtuar gjithnjë që ajo të përshpejtohet në maksimum. Kemi punuar edhe me grupe – grupe, duke i ndarë repartet, me portierë, me mbrojtës, me mesfushorë dhe kuptohet me sulmues. Nëse duhet dalluar ndokënd, atëherë patjetër se bie në sy Isuf Llumnica, i cili po luan si në ditët e tia më të mira. Natyrisht janë edhe të tjerët, por Isufi sikur ka përballuar krizën kur ishte i lënduar për tu rikthyer me një imazh krejt tjetër. Deri në fund do t’i zhvillojmë edhe disa ndeshje dhe pastaj do ta kemi edhe më lehtë për ta nxjerrë përbërjen, e cila do të bart barrën kryesore në luftën e ashpër për titull kampioni. Ky është synimi ynë dhe nuk heqi dot dorë, sepse e shoh se kemi skuadrën më të mirë në Kosovë, na tha kryetrajneri Ramiz Krasniqi.

Deri në fundjavë Prishtina do të takohet edhe Vllazninë e Shkodrës dhe me Jedinstvon e Bjello Polës, natyrisht me mundësi të luajë edhe me disa klube të tjera malaziase, të cilat kanë shprehë interesimin të luajnë me Prishtinën.

Prishtina – Ribnica 5:0

Golashënues: Saliagiq 2, Fazliu, Sahiti e Zejnullahu nga 1.

Në këtë ndeshje Ramiz Krasniqi, kryetrajner, i ka sprovuar dhe u ka dhënë rast të dëshmohen të gjithë (29) futbollistët sa ka ekspedita e Prishtinës në këtë grumbullim përgatitor.

Kemajl Goca
BOTA SOT
YouTube Preview Image