Nail Draga: As në Ulqin nuk respektohet shqipja

April 20, 2011   | Opinione

Ulqin- Edhe pse tash dy dekada e më shumë, faktikisht, pushtetin lokal të Ulqinit e udhëheqin subjektet politike nacionale shqiptare, ose në koalicion me partitë e tipit qytetar, ku përsëri anëtarësinë shumicë e përbëjnë shqiptarët, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe nuk është në nivelin e duhur.

Nënkryetari dhe këshilltari i Forcës së Re Demokratike, Dr. Nail Draga ka përmendur shkeljet flagrante që i bëhen gjuhës shqipe, si gjuhë e popullatës autoktone, e cila në strukturën e qytetarëve të kësaj komune përbën mbi 85 për qind, raporton KosovaLive.

Ai shtoi se Statuti aktual i kësaj komune nuk është i ngjashëm në të dy gjuhët, vërehet një çorodi e madhe, sidomos me toponimet në zonën e Anës së Malit edhe kjo mund të ndikojë në “ekskomunikimin e gjuhës shqipe.”

Draga po ashtu përmendi edhe një dukuri tjetër. Ministria e turizmit, tash para sezonit turistik, përsëri po vazhdon me avazin e vjetër, në zonat rurale, duke filluar nga Ulqini e deri në Sukubinë, pika kufitare me Shqipërinë, në tabelat orientuese dhe të vendbanimeve mungon gjuha shqipe!?

“Kushtetuta e Malit të Zi e ka definuar mirë e qartë se në mjediset ku pakica është shumicë, siç janë shqiptarët në Ulqin, Krajë, Malësi, Plavë e Guci, toponimet shënohen në dy gjuhë. Në të vërtetë, ata edhe aktualisht janë të shënuara në dy gjuhë, por në gjuhën serbomalazeze dhe atë anglishte, mungon gjuha shqipe”,- u shpreh Draga.

Ai thekson se kemi shpresuar se vërejtjet që i kemi bërë pikërisht për këtë çështje këtu në Parlament në vitin 2008, do t’i transmetohen kësaj ministrie nga sekretariati përkatës komunal, por ky anashkalimi i gjuhës shqipe në zonat etnike shqipe në rrethinën e Ulqinit po vazhdojnë edhe këto ditë. Jo vetëm te vendësit, por edhe tek turistët, sidomos, këto tabela pa gjuhën shqipe me të drejtë sjellin huti edhe përmirësimi i tyre duhet të bëhet sa më parë.

 

KOHA NET

3