Zyrtarët kosovarë vizitojnë Podgoricën, shmangin Ulqinin

June 14, 2011   | Politika

Ulqini, 14 qershor – I pari i Ulqinit, Gëzim Hajdinaga në konferencën me gazetarët kosovarë, të cilët katër ditë ishin të ftuarit e Komunës së Ulqinit, ka komentuar vizitën e zëvendëskryeministrit kosovar, Hajredin Kuçi, i cili kohë më parë i bëri një vizitë zyrtare Podgoricës, por nuk e ka parë të udhës që të vijë edhe në Ulqin.

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga mori shembull zyrtarët më të lartë të Shqipërisë, duke filluar nga presidenti, adresë të parë në Malin e Zi kanë Ulqinin, raporton KosovaLive.

“Qoftë në cilësinë e ministrit të pakicave, apo të kryetarit të komunës së Ulqinit, kam pasur kënaqësinë të jam urë lidhëse midis dy qeverive të kohës, asaj të Malit të Zi dhe të Kosovës, duke filluar nga viti 2000 e këndej. Në kabinetin e kryetarit të Komunës së Ulqinit kam pritur ish- kryeministrin e Kosovës, Agim Çekun, ish-zv/kryeministrin dhe ish- ministër i kulturës, Lutfi Hazirin edhe ministra e autoritete tjera të Kosovës”,- u shpreh Hajdinaga.

Ai thotë se Ulqini është qytet i hapur për bashkëpunim edhe kontribues i dëshmuar i ndërtimit të marrëshënieve të mira mes Podgoricës e Prishtinës dhe Podgoricës e Tiranës në kohë të vështira politike dhe shoqërore.

Ndërkaq, në pyetjen tjetër nga gazetarët kosovarë se çfarë ndikimi ka pasur për Ulqinin “Rruga e Kombit”, Hajdinaga nënvizoi se “Rruga e Kombit” është favor për Ulqinin.

“Ka ndodhur ajo realja, duke e rritur numrin e turistëve kosovarë në Ulqin. Sipas të dhënave që disponojmë, nga janari i këtij viti e deri më tash, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është rritur 35 për qind numri i makinave me targë të Kosovës që kanë hyrë në pikën kufitare të Sukubinës/Muriqanit, midis Ulqinit e Shkodrës.

Hajdinaga shtoi se Ulqini vazhdon të jetë adresa kryesore e kulturës mbarëkombëtare në stinën e verës. Tash, po bëhen përgatitjet përfundimtare të organizimit të edicionit të 11 të Panairit të librit, por ky qytet vazhdon të jetë simbol i jetës së natës rinore, duke shtuar se në disponim të turistëve do të jenë 25 hotele me 3–4 yje.

Disa gazetarë u ankuan se çmimet e vendosjes që ofrohen, për kosovarët janë të larta, Hajdinaga edhe drejtori i Organizatës turistike komunale, Ali Rexha u përgjigjen se në cilin vend në Adriatik mund të gjesh akomodim me 5, mbase edhe me 4 euro bujtje, me furnizim 24 orë me ujë të pijshëm e rrymë elektrike. Ata shtuan se produktet kosovare, jo vetëm lëngjet e pijet tjera freskuese, por edhe ushqimore, janë të pranishme në tregun e Ulqinit.

KOHA NET

YouTube Preview Image