Adelina Tahiri: Futbollistët i dëshirojnë vajzat e skenës, por sa i kanë ato?

July 22, 2011   | Lajmet / Vijesti

Pas thashethemeve se futbollisti Lorik Cana e braktisi se nuk ishte e virgjër, këngëtarja 19-vjeçare, jep versionin e saj për ngjarjen. “Një mashkull i bukur duhet të ketë pranë vetes një femër të bukur, madje jo një, por më tepër!” Këngëtarja seksi, Adelina Tahiri, e cila është vetëm 19- vjeçare (edhe pse ndonjëherë na duket më e madhe, duke qenë se ka një kohë të gjatë në tregun muzikor), e ftuar në emisionin “Pasdite në Top-Channel”, ka folur gjerë e gjatë për jetën e saj, për pasionin për muzikën, studimet e larta për Ekonomi, marrëdhënien me të ëmën, dhe padyshim pa lënë më pas (edhe pse pa dëshirën e saj), historinë me Lorik Canën, që ka bërë të ziejë shtypi rozë këto kohët e fundit. Por, le ta njohim më mirë dhe më nga afër bukuroshen me sy të kaltër.

Vera, stina e koncerteve

Më pëlqen çdo stinë, pa marrë parasysh se është verë, dimër, vjeshtë apo pranverë. Më pëlqen shumë vera, por edhe dimri, dëbora. Natyrisht, duke qenë se kam lindur në prill, më pëlqen shumë edhe pranvera. Dimrit këndoj zakonisht në diasporë, në Gjermani, Zvicër etj., ndërsa gjatë verës më së shumti në zonat bregdetare, Ulqin, Durrës etj. Por, veçanërisht në stinën e verës ndjehem mirë, sepse kam shumë koncerte, kudo ka shumë persona, shqiptarët vijnë në bregdet nga të gjitha anët. Jam e lumtur kur këndoj pranë publikut tim, edhe kur këndoj në Maqedoni, pranë popullit tim. Ndjehem mirë kudo edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Më pëlqen që flitet shqip së pari, së dyti, sepse takoj fansat të cilët më duan për punën time. Takoj, gjithashtu bashkëpunëtorë të rinj, njerëz me vlera.

Fillimet me muzikën

Kënga e parë me të cilën spikata është “Narcizoid”, me të cilën jam shfaqur në moshën 14-vjeçare në ekran. Më vjen shumë mirë që me atë këngë nisën të më njohin dhe rrugëve njerëzit pyesin “A është kjo, ajo Adelina e këngës?”, sepse isha shumë e vogël, por në kamera dukesha pak më e madhe. Por kënga më e njohur për mua, që më bëri pak më të famshme, është “Nuk jam penduar”, këngë që edhe sot nëpër koncerte këndohet shumë nga fansat e mi. Jam përpjekur gjithmonë të jem sa më origjinale dhe kam dashur të jem vetvetja dhe të dallohem nga të tjerët, si përmes veshjes, këngës, vallëzimit etj. Flas për performancën, jo për tekstet, sepse është ajo puna e tekstshkruesve, nuk ka të bëjë me mua. Këngët ritmike kanë qenë pjesë e karakterit tim shpërthyes, ndërsa sot që jam rritur kam kuptuar se jam shumë emotive dhe nëse shoh një fëmijë të varfër prekem shumë. Kam realizuar edhe një baladë, ku shfaqem një Adelinë krejt tjetër, shfaq ndjenjat e mia, ndërsa nëpër këngët e tjera, ato ritmike, unë shfaq temperamentin tim.

Shkollimi? Jo për muzikë, për Ekonomi

Unë kam mbaruar shkollën e mesme të Muzikës, kam ndjekur orë private muzike, kam mësuar teknikën e solo-këndimit etj. Nuk është e lehtë të arrish suksesin, për më tepër ta mbash atë, gjë që është shumë e vështirë. Më vjen mirë që ëndrra ime ka nisur të realizohet e tani po zhvillohet, hap pas hapi. Tanimë, unë studioj për Shkenca Ekonomike, jam në vitin e parë në fakultet në Maqedoni. E kam pak të vështirë t’ia dal mirë edhe me muzikën, edhe me shkollimin, edhe pse universiteti për mua është primar. Këto kohë në fakt i jam kushtuar më tepër muzikës, të cilën të them të drejtën, e dua më shumë!

Paraqitja skenike? Konsultohem me mamin

Unë e di çfarë dua dhe çfarë kërkoj, edhe në muzikë, edhe sa i takon veshjes. Kur jam në dilemë, kam mamin që më ndihmon për të vendosur dhe që të ndjehem më e sigurt. Çfarëdo që të vesh, ndjehem e sigurt dhe komode.

Thashethemet për Lorik Canën

Në fillim, kur kam nisur të merrem me këtë punë, unë kam vendosur që nuk duhet të cenohem apo prekem nga shtypi, sepse përkundrazi demoralizohesh. Kam lexuar edhe shumë gjëra pozitive për veten, por ka edhe negative, natyrisht. Por fakti që shkruajnë për mua tregon që po më kushtojnë vëmendje, që ka njerëz që ndjekin atë që unë bëj. Lidhja me Lorikun u fol më shumë sesa duhet. Për mua është shkruar, sikurse për shumë këngëtarë të tjerë që përfliten, për gjërat më të vogla që bëjmë. Nuk më vjen mirë që shkruhet për këto thashetheme, sepse kam gjëra shumë më të rëndësishme në jetë të cilave mund t’u kushtohet rëndësi, siç është muzika, shkollimi im etj. Nuk më pëlqen që përflitem për të tilla gjëra. Lorikun e njoh, më vjen shumë mirë që është një shqiptar i suksesshëm, por me të nuk kam asgjë më tepër sesa një miqësi familjare. Lorikun e kam takuar rastësisht në Prishtinë, në lokalin e djalit të dajës, i cili njihet me të. Kam takuar Lorikun, babanë e tij, krejt rastësisht dhe kaq. Më pas nuk e di nga dolën thashethemet që kanë 6 muaj që ziejnë. Futbollistët i dëshirojnë vajzat e skenës, por sa i kanë ama… Një mashkull i bukur duhet të ketë pranë vetes një femër të bukur, madje jo një, por më tepër!

BOTA SOT

YouTube Preview Image
1