Ruzhdi Ushaku.1

August 3, 2011   | 

Gjuha “barbare” e Tribalit, ilirishte standarde e kohës
Për kriter transkriptimi bazë kemi pasur parasysh faktin e mirënjohur se grafia nuk mund të pasqyrojë me besnikëri të plotë shqiptimin burimor –gojor, veçanërisht në rastet kur nisemi nga burimi i shkruar andaj edhe parimisht kemi theksuar transkriptimin “e dyfishtë” në vija të trasha.

Fraza e parë, siç u pa, dëshmohet si tërësisht e përngjitur dhe vështirëson zbërthimin në gjymtyrët përbërëse që mund të dalin në variante të shumta, ndërsa e dyta, edhe pse e ndarë në katër, përkatësisht dy gjymtyrë, në thelb ngërthen, sipas ndarjes së propozuar këtu, më shumë se katër gjymtyrë përbërëse: dëshmi kjo për dukurinë e vjetër të përngjitjes së gjymtyrëve që ndeshet jo vetëm në shqipen e folur, por edhe në atë të shkruar.

Në të mirë të diakronisë, rikujtojmë kompozitën antike të emërlumit të njohur si Barbanna {Bar+Banna} për Bunën e sotme dhe kompozita të shumta të shqipes, të shënuara nga shekulli XII e këtej si flokart, lulmal, burrëmadh, kambalesh (Për disa kompozita të këtij lloji, prej antikës e deri në shek. XII e këtej, shih e krahaso te R. Ushaku, Ndihmesa onomatologjike nga hapësira iliro-arbërore, Fakulteti i Filologjisë – UP Prishtinë, 2006), pastaj shprehjen ndeshtrasha nga Fjalori i Harfit (Për këtë dhe gjurmë të tjera të shqipes në diakroni, shih e krahaso R. Ushaku: Mbi disa trajta të dëshirores nga Meshari i Buzukut, në: Dija, Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, Ulqin, 2005, ff. 211-224) zemërmermuruomitë {për “zemërftohtët si mermeri”} te Budi, ato mitiko-legjendare shtojzovallet {eufemizëm}, syqenhanjeri {për “qiklopin kanibal”}, si dhe ato që gjallërojnë edhe sot të pranuara në shqipen standarde si lamtumirë, tungjatjeta, faleminderit, shpirtpangopur, sypatrembur me shumë të tjera në të folme e dia kte të shqipes.

Sipas kësaj analize, gjymtyrët përbërëse të frazava në vështrim, dalin formalisht mjaft të konservuara, jo aq të ndryshueshme në nivelin morfofonetik apo gramatikor-semantik. Përveç disa arkaizmave të hetueshme, siç janë renditjet e gjymtyrëve, semantizmi dhe gramatikaliteti i tyre arkaik, gjurmët e të cilit shpien në i.e. apo më herët, ato në thelb, edhe nga aspekti historiko-shoqëror, dalin si fond leksikor themelor ku edhe si të izoluara pasqyrojnë jetën materiale dhe shpirtërore me një gramatikalitet konservativ. Rrafshi gramatikor i një gjuhe të vjetër, përgjithësisht ilire, në thelb nuk duhet ta dëmtojë mesazhin leksikor apo semantik, pavarësisht valencave homonimike të formës fleksionale dhe funksioneve ekuivoke sintaksore. Gjuha e frazave në vështrim shihet dhe ndjehet sadopak “standard” nga goja e “ambasadorit Tribal”, të dërguar nga zotat e barbarëve jogrekë që zinin vend në Olimp, krahas zotave helenë.

Sipas disa të dhënave të shënuara më lart dhe të tjerave që ndeshen për ilirët dhe Ilirinë tek autorët antikë grekë e romakë që u cekën në fillim, tribalët ishin fis barbar trak që përmenden në kontekstin historik dhe etnogjeografik të popullatave më të lashta të Ballkanit, përkatësisht Ilirëve në kuptimin më të gjerë të fjalës. (Shih e krahaso veprën e cituar më lart, Ilirët dhe Iliria… fq.7, 118, 195-196, 238, 274 passim). Gjuha e tyre në komunikimin më të mirë të gjerë ishte e afërt me ilirishten apo trakishten, kurse vetë Tribali, sipas të gjitha gjasave, i zgjedhur nga Aristofani, si personazh arketip i ilirëve kontinentalë autoktonë, kryesisht të përbuzur, si “të paqytetëruar”, “të paarsimuar sa duhet”, në krahasim me grekët.

Tribali si “barbar” fliste një gjuhë apo dialekt “barbar” dhe shërbehej me një greqishte të dobët e të çoroditur. Vetë greqishtja e tij e dobët, dhe frazat e ndërfutura, të panjohura dhe të pakuptueshme për greqishten, shpien drejt supozimit të kenë qenë të transkriptuara në mënyrë sa më besnike, sa më të përafërt, në alfabetin grek nga gojae një “barbari”, pra iliri, për hir të autenticitetit burimor, por edhe të efekteve komike si fraza të pakuptueshme për lexuesin apo publikun grek.

Së këndejmi gjuha “barbare” jogreke e Tribalit – prototip ilir, në komedinë në vështrim do të ketë qenë një ilirishte sadopak standarde për kohën, eventualisht ndonjë e folme trako-ilire, nga fakti se deri më sot nuk e kemi të njohur që dikush t’i ketë zbërthyer apo interpretuar këto fraza me mjete gjuhësore, apo relikte gjuhësore të ndonjë gjuhe a dialekti tjetër të Ballkanit të asaj kohe. Në këtë përpjekje për analizën dhe zbërthimin e dy frazave është mbajtur parasysh, në rend të parë, domosdoshmëria e qasjesgjuhësore-filologjike interdisiplinare, pa lënë anash faktorët jashtëgjuhësorë – multidisiplinarë, siç janë ato historikë, entogjeografikë, sociologjikë, psikologjikë të kohës. Le të mbetet kjo një sprovë dhe ndihmesë për shpjegimin sa më bindës, sa më të argumentuar të frazave në vështrim, shteg i hapur për verifikim a konfirmim, por edhe për ndonjë variant shpjegimi të pjesshëm apo të përgjithshëm, të argumentueshëm gjithnjë me mjetet e shqipes, të ndonjë gjuhe tjetër të asaj kohe e hapësire, apo të likteve gjuhësore të popujve a etnoseve të vjetra të Ballkanit, përkatësisht të ilirëve a të trakasve.

Tash e tutje, deri të argumentohet e kundërta, të na lejohet që frazat në fjalë t’i konsiderojmë si dëshmitë më të vjetra të gjuhës ilire apo protoshqipe në formë të shkruar, me të cilat do të plotësohej një zbrazëti rreth 19 shekujsh para Formulës së Pagëzimit nga shekulli XV. (Fund)
Koha Javore