Forca merr pushtetin lokal në Ulqin?

August 17, 2011   | Shtypi / Mediji

Ulqin, 16 gusht –  Nga burimet e saj të informuara mirë, KosovaLive ka marrë vesh se pas shkëputjes së degës së Unionit Demokratik të Shqiptarëve /UDSH/ në Anë të Malit, mund të lind një koalicion i ri që do të bënte shumicën e ardhshme në Komunën e Ulqinit.

Gjatë mbrëmjes së kaluar, përfaqësuesit e Forcës së Re Demokratike, të ish-degës së UDSH në Anë të Malit, të Partisë Socialdemokratike, të Perspektivës, kanë zhvilluar negociata për të krijuar shumicën e re. Ky grupim politik do të kishte 18 këshilltarë që do të bënte shumicën e 33 mandateve, sa ka parlamenti lokal i Ulqinit.

Burimet tona nga Forca e Re Demokratike e bëjnë të ditur, se gjoja është arritur marrëveshja, të cilën përfaqësuesit e këtyre subjekteve do ta bëjnë publike para gazetarëve ditën e mërkurë.

Ditën e martë, disa herë jemi përpjekur të kontaktojmë në telefon nënkryetarin e UDSH-së, kryetar i Klubit të këshilltarëve të kësaj partie në Parlamentin vendor, Mehmet Zenka, por pa sukses pasi telefoni nuk është hapur.

Qytetarët këto lëvizje politike i quajnë si pjesë e jetës demokratike dhe konsiderojnë se “është mirë të bëhen ndryshime, që për Ulqinin të vendoset në Parlamentin e kësaj komune e jo në Podgoricë”.

Nga viti 1990, kur fillon pluralizmi, janë shfaqur disa përplasje politike. Në vitin 1994, UDSH del nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi, /LD MZ/ kështu veproi edhe më vitin 2006, kur nga LDMZ del edhe Partia e Prosperitetit Demokratik /PPD/, më vonë edhe Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë.

Forca e Re Demokratike doli në skenën politike të Ulqinit në vitin 2006, kur së bashku me katër parti tjera shqiptare formoi shumicën parlamentare, por nuk zgjati shumë kjo kreaturë, më vitin 2007 PPD bashkohet me UDSH dhe Partinë Demokratike të Socialistëve /PDS/ për të qenë sot e kësaj dite pjesë e pushtetit vendor.

Në krye të Forcës së Re Demokratike është Nazif Cungu dhe po qe se lind një koalicion i ri që do të bënte shumicën e ardhshme në Komunën e Ulqinit, Forca e Re Demokratike do të merrte udhëheqjen e pushtetit lokal në Ulqin, ndërsa Nazif Cungu do të ishte kreu i ri i Komunës së Ulqinit?!

Nga burimet e saj të informuara mirë, KosovaLive ka marrë vesh se pas shkëputjes së degës së Unionit Demokratik të Shqiptarëve /UDSH/ në Anë të Malit,mund të lind një koalicion i ri që do të bënte shumicën e ardhshme në Komunën e Ulqinit.

Dy partitë më të mëdha nuk kanë dhënë asnjë prononcim për gjendjen e krijuar, presin çfarë do të deklaron grupimi politik që pretendon të marrë pushtetin.

KOHA NET

2