Shëngjinit atraktiv nuk i ngjason aspak turizmi

August 29, 2011   | Rajoni / Region

Prishtinë, 29 gusht – Megjithëse natyra ia ka falë Shëngjinit të Shqipërisë një pasuri të pakrahasueshme, që shtetasve të saj do t’u shërbente për mirëqenie ekonomike e sociale, neglizhenca, sa e shtetit po aq edhe e vetë qytetarëve për ta shfrytëzuar atë, e shndërrojnë atë në një imazh që s’e meriton. Për dallim nga qytetet e tjera bregdetare të Shqipërisë, të cilat kanë ecur nëse jo krejt me kohën, i janë përshtatur deri diku asaj, turizimi veror në disa pjesë  të Shëngjinit edhe pas 21 vjetësh të fillimit të demokracisë në vend, ka mbetur i egër. Nga situata në këtë vend, duket sheshit se nuk vërehen as tendenca të përafërta të përmirësimit.  Përgjatë, pothuajse pjesës më të gjallë të buzës së detit për më shumë se turizëm ka improvizime turizmi, sa për t’i vënë në lojë turistët. Në këtë plazh gjatë verës verojnë mijëra turistë, shumica prej të cilëve ose janë veriorë të Shqipërisë ose qytetarë kosovarë, të Kosovës Lindore dhe shqiptarë të Maqedonisë.

Shëngjini, që bukurinë ia ka dhënë Zoti e s’e shfrytëzon njeriu

Shëngjini është një qytezë e vogël shqiptare në pjesën veriore të saj, ndërsa ka një natyrë shumë të bukur dhe karakteristike. Ka tri karakteristika që rrallë mund të gjenden. Në njërën anë janë brigjet shkëmbore me shkëmbinj të thepisur dhe mbase të paarritshëm lehtë në majë të tyre. Poshtë tyre është një hapësirë rrafshinore shumë e pëlleshme në kuptimin e pasjes së ujit, edhe të pijshëm, kurse më vonë është uji i detit, plazhi harkor përgjatë të të cilit ekzistojnë pisha të mbjella decenie më parë dhe të cilat e bëjnë këtë plazh të jetë më se i pranueshëm. Kontrastet e mëdha që ia ka krijuar natyra këtij vendi pra e zbukurojnë shumë këtë qytezë, derisa dora e njeriut dhe sjellja

jobashkëkohore e përkujdesësve të saj e shëmtojnë atë deri në atë pikë sa do t’i shtynte dashamirët e këtij vendi dhe qyteze të heqin dorë nga aty, deri atëherë kur shteti dhe banorët vendës të mësohen ta ruajnë së pari natyrën e vendit e pastaj edhe turizmin aty.

“Ne shqiptarëve këtë bukuri na e ka falur Zoti. Por, jemi pikërisht ne ata që nuk po dimë ta shfrytëzojmë atë dhe ta kthejmë në thesar, në radhë të parë për veten tonë që jetojmë këtu e pastaj për turistët”, i ka thënë gazetës, Skënderi, një elektricist i vyeshëm i Shëngjinit, të cilit pak kohë i dilte të pushonte, pasi që prishjet e energjisë elektrike, për shkak të rrjetit të dobët, e angazhonin gjithnjë atë.

Rëra në sipërfaqe të gjata dhe të gjera përgjatë bregdetit si edhe brigjet shkëmbore që janë, pra, komplet vertikale e bëjnë Shëngjinin tepër atraktiv.

Mungesa e shtetit ligjor dhe kaosi turistik

Për fatin e keq të kësaj natyre kaq të bukur, imazhet e saj prishen posa të nisë qëndrimi aty. E para, sepse banorët vendës nuk kanë asnjë haber në lidhje me turizimin dhe krejt çka u intereson është përfitimit material. E dyta, është mosfunksionimi i shteti ligjor, që i bën ata të jenë edhe më të fuqishëm karshi turistëve që e duan këtë vend për shkak të tipareve që u përmendën dhe e zgjedhin atë për t’i kaluar pushimet verore.

Gjithçka që shteti ka bërë për zhvillimin e turizmit në këtë vend është një rrugë kryesore që çon nga “Rruga e Kombit” deri në Shëngjin, kurse posa të kthehesh në drejtim të plazhit fillon rruga me pluhur e kur ka shi edhe me baltë dhe pa asnjë menaxhim. Dikush mban lopë e dhi, dikush kuaj e pula, dikush tjetër ndonjë qen, kurse plehrat që bëhen nga këto, të parët i “gostitin” me kundërmim turistët. E gostitin atë sapo t’ia mësyjë plazhit.  Pos kundërmimit nga shtëpitë aty lëshohen edhe ujëra të zeza drejt e në rrugë.

“Shkon tërë vera dhe kjo rrugë nuk po thahej”, ka thënë një kosovar, i cili ka blerë një banesë përgjatë plazhit, por që nuk ka dashur t’i përmendej emri, për shkak se vendi është i vogël dhe të gjithë e njohin njëri-tjetrin, dhe nuk dëshironte të përplasej me vendësit.

Nga të gjitha këto, turisti në mbrëmje, edhe pse është verë, duhet të mbështillet mirë. Në të kundërtën, mushkonjat e shumta do ta shëmtojnë atë.

Përtej këtyre plehrave, frymë turizmit i kanë dhënë disa ndërtime të larta përgjatë plazhit, ku ka mundësi më të mira, por jo për të gjithë turistët. Ato janë përqendruar kryesisht në anën nga shkon qyteza e vjetër, duke filluar nga rruga kryesore që çon për në plazhin e Shëngjinit e deri tek porti që Sali Berisha ua pati falur kosovarëve, por që këta të fundit ende nuk e kanë pranuar. Këto investime, kryekëput private, janë mbase të vetmet që u afrojnë rehati turistëve.

“Plazhi është i veçantë. Po të ishte një dorë e mirë dhe e ‘kulturuar’ që do ta mbante atë, do të vërshohej, jo vetëm nga turistët shqiptarë nga trojet e tyre etnike, por edhe nga shtetet më të zhvilluara perëndimore”, ka theksuar turisti nga Lugina e Preshevës, Sefer Miftari.

Për dallim nga plazhi i Durrësit, ku ndërtesat e larta e kanë mbytur plazhin, pasi që largësia e tyre nga uji nuk kalojnë më shumë se 50 metra, në plazhin e Shëngjinit, nëse nuk prishet tashti e tutje dhe nëse e vë dorën shteti që deri tashti nga ç’duket pak është përkujdesur, atëherë do të mbetet një nga plazhet më atraktive të pjesës veriore të Shqipërisë. Aty ku janë ndërtuar objekte të larta dhe hoteliere kanë distancë të mjaftueshme nga uji, kurse përgjatë plazhit ka plot pisha, por që aktualisht përdoren për parkim veturash të turistëve. Brenda tyre janë vendosur disa tualete mobile, shumica prej të cilave me pronar restorantet, por pa ndonjë mirëmbajtje. Disa të tjera, lëshohen me pagesë, derisa përreth tyre nuk ka ç’ka s’ka nga papastërtia.

Një rrugë tjetër përgjatë plazhit me pisha, në drejtim të Lezhës, po ashtu gjendet e paasfaltuar, kurse përgjatë saj ka plot lokale hoteliere dhe shitore, të cilat nuk paraqesin as më të voglën pjesë të turizmit të mirëfilltë. Shumica prej tyre janë improvizime verore, ndërsa rrallë nga to i plotësojnë kushtet higjienike e sanitare. Këtyre lokaleve hiç nuk u iknin në kuptimin e mirë as ato shitore që gjendeshin përgjatë tërë qytezës. Është befasi, nëse në ndonjë shitore ushqimore të bie ndonjë shitës që punon me arkë fiskale. Krejt në të egër. Shitore të tilla, në Kosovë, pas viteve të 80-ta janë mbajtur nëpër fshatra të thella, e mbase mund të ketë edhe tashti aty-këtu ndonjë. Edhe nëse ka, janë jashtë zonave turistike.

Improvizimet

Shitoreve, infrastrukturës dhe kushteve të tjera që shëmbëllejnë keq për turizmin nuk ua shkojnë as shtëpitë private ku banojnë turistët. Nikoqirët, i presin turistët në rrugë, kurse derisa t’i përvetësojnë ata i gënjejnë për kushtet e brendshme të banimit, se ka ujë të ngrohtë, kuzhinë, energji pa ndërprerje dhe të tjera, kurse në fakt gjithçka del të jetë kurrgjë më tepër se improvizim, me ndonjë bombol gazi, ndonjë tavolinë të shtrembër të drurit të gdhendur me mjete primitive, dhoma me qoshe të mbuluara nga merimangat dhe rrjetat e tyre, që kanë mbetur të thata gjatë stinës së dimrit, ndërsa më vonë nuk janë pastruar fare, etj. Merimangat në këto dhoma u janë lënë t’i pastrojnë turistët, që në asnjë vend turistik s’është punë e tyre. Rëndom, turistët më masivë që ia mësyjnë kësaj pjese të bregdetit shqiptar janë shqiptarët e të gjitha trojeve. Kjo nënkupton se janë pikërisht këta që të mirat e të këqijat i ndajnë me këtë bregdet. Shumë nga këta pajtohen me kushtet që afrohen për momentin, por thonë se në asnjë mënyrë nuk mund të pajtohen me sjelljen superiore të nikoqirëve karshi tyre.

“Vendësit, që kanë qenë të hequr keq dhe kanë qenë të përvuajtur për shkak të regjimit komunist të Enver Hoxhës, kaq kanë mundur të krijojnë kushte, për vete e turistët, por ajo që po më brengos është sjellja e tyre tepër me krenari dhe superiore ndaj nesh”, ka thënë Alisahit Asllani nga Gostivari, i cili kishte banuar në një shtëpi private përgjatë rrugës kryesore që çonte në qytezë.

Sipas tij, pronarët e disa shtëpive, ndonëse pak ofrojnë kushte, sillen me turistët sikur t’u ishin uzurpuar shtëpitë dhe jo që janë qiraxhinj të përkohshëm të cilët paguajnë shtrenjtë për mallin që e marrin. Natyrisht në këtë plan ka edhe përjashtime, sepse janë edhe shumë familje që pranojnë turistë, i japin shtëpitë me çmime më të shtrenjta, porse turistëve ua plotësojnë të gjitha kushtet.

“Është për t’u befasuar se si nuk ndërhyn shteti, që me inspektorët e vet të fushave të caktuara të konstatojë se cilat shtëpi e dhoma i plotësojnë kushtet për banim e cilat jo”, ka thënë Nysret Danushi, banor i Prishtinës, derisa të njëjtën vërejtje e ka bërë edhe për  shitoret dhe fushat e tjera që i përkasin turizmit. Ai është i befasuar se si ndodh që shteti të lejojë të shkojnë e kthehen turistët e të mos i sjellin dobi shtetit.

“Turistët vendosen, rrinë deri në dhjetë ditë e më shumë, e nuk i regjistron askush për asgjë. Ata kthehen në shtëpi, kurse në këtë rast kanë përfituar vetëm pronarët e shtëpive-dhomave, kurse shteti asgjë”, ka theksuar Emine Ramadani nga Gjilani, teksa ka kritikuar mungesën e funksionimit të shtetit në këtë vend tepër të bukur dhe atraktiv, që “Zoti ia ka falë Shqipnisë”.

Një anarki e këtillë dhe pa tendenca përmirësimi për më tepër se shtetit të Shqipërisë u kushton xhepave të cekët të shumicës së shqiptarëve. Këta janë të vetmit që ia mësyjnë këtij plazhi dhe janë të vetmit që i vuajnë pasojat e injorancës, sa të shtetit shqiptar, po aq edhe të një pjese të mirë të banorëve vendës, që synim parësor të tyre i kanë përfitimet e majme materiale, duke mos ua lënë sytë hapur me asgjë turistëve. Strategjia e këtillë është afatshkurtër, derisa ndryshimi i saj, Shëngjinin e bukur do ta bënte t’i ngjasonte bukurisë së vet.

KOHA NET
YouTube Preview Image