Mërgimi kjo plagë e shqiptarëve të Malësisë së madhe nga Cafo Boga

October 9, 2011   | Opinione

Quo vadis shqiptarët e Malit të Zi (12 )
Shqiptarët e Malit të Zi janë përpjekur që të ruajnë identitetin e tyre që nga dita e parë kur trojet e tyre u bënë pjesë e Malit të Zi në vitin 1878. Menjëherë pas aneksimit, një numër i madh shqiptarësh u zhvendosën drejt qyteteve fqinje në Shqipëri si Shkodra, Durrësi dhe Lezha. Sipas dëshmisë së dhënë nga Dr. Nail Draga në Kaukusin e të Drejtave të Njeriut në Kongresin Amerikan më 20 tetor 2003, ky çpopullim ishte masiv. Për shembull, 413 familje me mbi 3,000 anëtarë u zhvendosën në Shkodër nga Ulqini, ndërmjet viteve 1878 dhe 1880. Ulqini humbi kështu në dy vjet 35% të popullsisë së tij, gjë që shndërroi përbërjen demografike të zonës dhe dëmtoi ekonominë e qytetit. Qeveria malazeze e mirëpriti këtë ikje të shqiptarëve, sepse planifikonte që t’i zëvendësonte ata duke sjellë mijëra familje sllave në Ulqin si kolonë për të ndryshuar në mënyrë mekanike strukturën etnike të qytetit dhe rrethinave të tij.
Mërgimi në vitet ’70-ta, 80-ta e 90-ta
Presionet politike të ushtruara mbi shqiptarët gjatë kohë së Jugosllavisë të gërshetuara me rrënimin ekonomik shkaktuan një mërgim masiv menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjithashtu në vitet 70, 80 dhe 90. Nuk ka statistika për numrin e shqiptarëve nga Mali i Zi që jetojnë jashtë vendit, por dihet që numri është padyshim shumë më i madh se i atyre që jetojnë në Malin e Zi. Shumica e shqiptarëve nga Mali i Zi jetojnë në Shtetet e Bashkuara, kryesisht në Detroit, Chicago dhe në zonën treshtetëshe (New York, New Jersey dhe Connecticut). Këto valë masive mërgimi kanë ndryshuar strukturën etnike në shumicën e zonave të banuara nga shqiptarët. Për shembull, në Plavë dhe Guci, përqindja e shqiptarëve në popullsinë totale ka rënë nga 83 përqind (1908) në vetëm 21 përqind (1991); ndoshta është akoma edhe më e ulët sot. Dukuri të ngjashme kanë ndodhur edhe në zona të tjera si Malësia, Kraja, Shestani dhe Ana e Malit. Shumë qyteza rurale janë braktisur për shkak të mungesës së burimeve të jetesës dhe mundësive ekonomike.
A ka zgjidhje?
Shqiptarëve në Malin e Zi po u duket gjithnjë e më shumë se janë vendosur në një situatë pa rrugëdalje. Fillimisht, duke ndjekur procesin e demokratizimit, shqiptarët shpresuan se një sistem pluralist, partitë e tyre politike do të sillnin ndryshimet e nevojshme për të të përmirësuar statusin e tyre si dhe perspektivat për të ardhmen. Është për të ardhur keq që qeveria malazeze e shfrytëzoi këtë sistem për interesa të saj duke u mundësuar kujtdo që të krijonte një parti politike me vetëm pak anëtarë, duke margjinalizuar kështu votuesit shqiptarë. Partitë politike shqiptare në koalicion me partinë politike malazezë në qeveri kanë qenë qartësisht pala fituese në zgjedhjet lokale prej kohësh tashmë dhe kontrollojnë postet kyçe në komunat ku jetojnë shqiptarët. Procesi zgjedhor është kaq i korruptuar saqë zgjedhjet kanë përfunduar në asgjë më shumë sesa një lloj tregu për shitje e blerje votash. Për zgjedhësit shqiptarë ky është shansi i vetëm për të siguruar zhvillime të vogla të infrastrukturës dhe në këtë mënyrë detyrohen të korruptohen vetëm sa për të marrë pjesë në proces. Si rezultat, shqiptarët në Malin e Zi e kanë humbur shpresën te udhëheqja e tyre politike; është e qartë se këta udhëheqës janë të korruptuar, inkompetentë apo të paaftë për të sjellë ndonjë ndryshim domethënës.
Në mënyrë të ngjashme, reformat demokratike nuk u sollën begati shqiptarëve të Malit të Zi. Përkundrazi, ato shkatërruan edhe atë ekonomi ekzistuese. Për më tepër, privatizimi i zhveshi shqiptarët nga disa prej zotërimeve të tyre më të vlefshme. Pavarësisht nga të gjitha të këqiat e regjimit të kaluar komunist, asgjë e këtyre përmasave nuk ka ndodhur në atë kohë.
Atëhere si duhet dalë nga kjo gjendje? Shqiptarët në Malin e Zi vuajtën nën sundimin e Mbretit Nikolla, nën sundimin e Jugosllavisë dhe vazhdojnë të vuajnë edhe nën qeverinë e sotme demokratike. E vetmja mënyrë për të përmirësuar këtë situatë është që të bëhen disa ndryshime themelore strukturale, që do të thotë që shqiptarët dhe malazezët duhet të pranojnë ekzistencën e një konflikti etnik e territorial që ka mbetur i pazgjidhur. Është gati e pamundur që qeveria e Malit të Zi të trajtojë seriozisht këtë çështje dhe shqiptarët nuk kanë mundësitë për ta zgjidhur vetë atë. Normalisht, mosmarrëveshjet etnike kërkojnë kontekst, ndërgjegjësim dhe angazhim ndërkombëtar, nëpërmjet strukturave ndërkombëtare si për shembull Bashkimi Europian dhe organizata të tjera që kanë fuqi për të zgjidhur konflikte. Shqiptarët dhe malazezët duhet të hartojnë një zgjidhje afatgjatë me anë të mjeteve paqësore dhe me ndihmën e këtyre faktorëve ndërkombëtarë, duke e transformuar Malin e Zi në një vend më të fortë e më të mirë, që ia vlen të pranohet në Bashkimin Europian.
Më poshtë vijon një analizë e kushteve që duhet të ekzistojnë në mënyrë që të bëhet e mundur arritja e një larmie marrëveshjesh të mundshme paqëtimi afatgjatë. Kjo analizë mbështetet në studimin e katër konflikteve të mëdha etnike në Europë (Alzasa, Saarlandi, Tiroli i Jugut dhe Irlanda e Veriut), të përfshirë në librin e Stefan Wolff: “Disputed Territories” (Territore të diskutuara). Analiza krahason kushte dhe faktorë të ndryshëm që çojnë në zgjidhjen vis-a-vis të këtyre konflikteve si ai që përfshin edhe shqiptarët që jetojnë në Malin e Zi. Më tej, këto lloj kushtesh shqyrtohen në mënyrë të veçuar në të tre palët e prekura nga konflikti: territori i diskutuar (trojet e banuara nga shqiptarët në Malin e Zi); shtetit zotërues (Mali i Zi) dhe shtetit-amë (Shqipëria). Analiza nuk synon të nxjerrë konkluzione përfundimtare apo të sugjerojë ndonjë model specifik për zgjidhjen e këtij konflikti, ajo shpreson që zgjojë interesin e të gjitha palëve, duke përfshirë edhe aktorët ndërkombëtarë, për të marrë nismën e për të negociuar një zgjidhje të qendrueshme që do të kënaqte mjaftueshëm të drejtat dhe nevojat e shqiptarëve të Malit të Zi dhe të parandalonte trazira të mëtejshme në Ballkan.
Kushte që prijnë drejt zgjidhjes së konfliktit dhe marrëveshjes
Evolucioni i historisë europiane ka prodhuar dy harta të papërputhshme të kontinentit – njëra politike dhe tjetra etnike, kufijtë e të cilave rrallë rastisin mbi të njëjtën vijë. Ndoshta, asnjë popull tjetër në Europë nuk ka vuajtur pasoja më të mëdha për shkak të këtij realiteti sesa kombi shqiptar. Konflikti mes shqiptarëve dhe malazezëve në Malin e Zi është fryt i ndryshimeve të kufinjve që ndanë kombin shqiptar dhe shkëputën një pjesë të territorit të banuar nga shqiptarët prej mëmëdheut duke ia bashkangjitur atë Malit të Zi. Ky integrim i dhunshëm nuk ka prodhuar rezultatet e dëshiruara dhe nuk ka përmirësuar perspektivat e paqes dhe sigurisë. Nëprëmjet qëndresës paqësore, shqiptarët e Malit të Zi kanë përballuar politikat kolonizuese dhe përpjekjet asimiluese. Sot, shqiptarët janë duke luftuar për të mbrojtur identitetin e tyre dhe duan të dinë nëse ekziston ndonjë formulë apo mekanizëm më i mirë që mund të sigurojë një jetë në kushte më të barabarta për ta dhe kombësitë e tjera në Malin e Zi. Paragrafet që vijojnë analizojnë kushtet që nevojiten për një zgjidhje të qendrueshme dhe për modelet që janë përdorur në katër konflikte të tjera etnike në Europë. Shtojca në fund të kësaj eseje ofron një analizë më të thellë të këtyre konflikteve dhe duhet lexuar paralelisht me këtë tekst.