liqeni shkodres

October 27, 2011   | 

Flet drejtori i Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri, Zamir Dedej
Në Shkodër u mbajt një trajnim me specialistë të ambientit në kuadër të projektit i cili shpallë Liqenin e Shkodrës “Rezervë e Biosferës”. Ky trajnim u organizua nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri dhe Organizata “Green Home” nga Podgorica në partneritet me Forumin Ndërkufitar “Liqeni i Shkodrës”.
Zamir Dedej, drejtori i Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri, shprehet se miratimi i propozimit “Rezervë e Biosferës” dhe marrja nën mbrojte nga UNESCO e liqenit të Shkodrës në kuadër të këtij projekti, i jep një zhvillim tjetër këtij baseni ujëmbledhës i cili do shfrytëzohet pastaj për të krijuar të ardhura ekonomike.
ABC News
Kombinati malazez po helmon liqenin e Shkodrës”
Kronike e Enjte, Tetor 27th, 2011

Liqeni i Shkodrës

Kombinati i Aluminit në Podgoricë është një nga ndotësit më të mëdhenj kimikë të liqenit të Shkodrës. Këtë fakt e bëri të ditur Jelena Marojeviç, drejtoreshë e programit “Green Home” me qendër në Podgoricë në Malin e Zi. Megjithëse deri tani ia kemi hedhur “fajin” e ndotjes së liqenit shkarkimeve të ndryshme të zonave urbane përreth tij, Marojeviç theksoi se një ndër ndotësit më të rëndë është kombinati i aluminit të Podgoricës. Deklarata u bë në një tryezë të rrumbullakët të organizuar në kuadër të projektit “Të mbështesim propozimin e Rezervës së Biosferës Ndërkufitare të zonës së liqenit të Shkodrës, nëpërmjet metodave të pjesëmarrjes”. Projekti ishte pjesë e programit ndërkufitar Shqipëri-Mal i Zi (2007-2013), i financuar nga BE, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri dhe shoqata “Green Home” në Malin e Zi, në partneritet me Forumin Ndërkufitar të liqenit të Shkodrës. “Shpeshherë është theksuar mbi dëmin që i shkaktohet liqenit të Shkodrës nga kombinati i aluminit në Podgoricë nga depozitimi i metaleve të rënda nëpërmjet mbetjeve të aluminit, por deri tani nuk kemi një zgjidhje afatgjatë. Megjithatë, ndotja vjen nga të dyja anët, ndaj duhet një zgjidhje afatgjatë në mbrojtje të liqenit të Shkodrës. Kombinati i aluminit, edhe pse me kapacitet të ulët, vazhdon të punojë akoma edhe sot, ku kimikatet dhe mbetjet e ngurta të metaleve të rënda të këtij kombinati fillimisht derdhen në lumin Moraça, nga ku më pas ato vijnë në liqenin e Shkodrës”, u shpreh Marojeviç. Sipas saj, nuk është bërë sa duhet në mbrojtjen e liqenit të Shkodrës, prandaj shpresojmë që qeveria malazeze të marrë masat e duhura. Projekti i Bankës Botërore ka parashikuar një financim me një vlerë prej 2.6 milionë dollarë për pjesën malazeze të liqenit të Shkodrës, nga ku pjesa më e madhe e kësaj shume do të shkojë për mbrojtjen e liqenit nga mbetjet kimike të këtij kombinati. Prof. dr. Mahir Hoti, në emër të shoqërisë civile, ka kërkuar më shumë ndërgjegjësim nga të gjithë aktorët në ruajtjen e vlerave të këtij liqeni.

Liqeni, pasuri e madhe ujore
Liqeni i Shkodrës është nga më të vjetrit në botë dhe përbën një pasuri të madhe ujore për biodiversitetin, burimet dhe vlerat e mëdha kulturore për mikroklimën që ofron. Por, gjatë këtyre viteve të fundit, në sipërfaqen e liqenit të Shkodrës po vihen re mjaft dukuri negative që po shkaktohen nga dora e njeriut.