Konferenca shkencore “Kraja me veçantitë shestanase në rrjedhën e shekujve”- Video

October 29, 2011   | Kulturë / Kultura

Një tubim i suksesshëm gjithëkombëtar Konferenca shkencore “Kraja me veçantitë shestanase në rrjedhën e shekujve”, e cila u mbajt ditë më parë në Ulqin, ka qenë një organizim i suksesshëm dhe ia ka arritur qëllimit të saj, vlerëson anëtari i këshillit organizues të kësaj konference, prof. dr. Simë Dobreci. Sipas tij, qëllimi i konferencës ishte që të vërtetojë me dokumente dhe me fakte se së pari, kranjanët dhe shestanasit janë shqiptarë dhe, së dyti, që ata janë popull autokton në Mal të Zi. Konferenca është organizuar nga Shoqata “Don Gjon Buzuku” në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike nga Tirana dhe Komunën e Ulqinit. Në të janë lexuar gjithësej 28 kumtesa nga studiues të fushave të ndryshme. Në kumtesat e tyre studiuesit kanë trajtuar probleme të ndryshme që lidhen me të kaluarën dhe të sotmen e Krajës dhe Shestanit.
Ndërkaq në hapjen zyrtare të konferencës është shfaqur filmi dokumentar “Shestani në vështrim etnokulturor”, i realizuar nga studiuesit e Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, është hapur ekspozita e fotografive si dhe është shfaqur një program artistik. Dobreci thotë se konferenca ka një rëndësi të veçantë sepse ajo ka qenë një konferencë gjithëkombëtare shqiptare ku kanë marrë pjesë studiues nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Përveç tyre në konferencë ka marrë pjesë edhe një studiues malazez dhe ilirologu i shquar arbëresh nga Kroacia, Aleksandar Stipçeviq, i cili e ka dërguar punimin e tij. “Secili studiues ka dhënë kontributin e vet në fushën me të cilën ai merret”, thekson Dobreci. Konferencës shkencore i ka paraprirë ekspedita kërkimore njëjavore e studiuesve të Qendrës së Studimeve Albanologjike nga Tirana në muajin qershor me qëllim hulumtimin e veçorive të zonës së Shestanit dhe Krajës, ku ata u njohën me trashëgiminë kulturore të kësaj treve. Punimet e prezantuara në konferencën shkencore së bashku me përfundimet pritet që në të ardhmen të publikohen në një botim të veçantë.

i.k.
Koha Javore
MË TEPER FOTO NE  KRONIKEN  GËZIM URICIT FACEBOOK


YouTube Preview Image