Aurela Gaçe: Fëmija është “mrekulli e mrekullive”

November 27, 2011   | Lajmet / Vijesti

E bija, Grace (Grejs) ka vetëm pak ditë që ka ardhur në jetë, por sakaq e ka zbukuruar kaq shumë jetën e këngëtares së shumë hiteve, aq sa ajo me zor arrin ta artikulojë me fjalë. Të gjitha ndjesitë e ëmbla, ato përqafimet e ngrohta dhe emocionin e shikimit në sy me foshnjën e saj, Aurela i rrëfen më poshtë, ama pa dëshirën për ta ekspozuar të bijën në media…

Edhe kur i themi se “Grace nëse i ngjan së ëmës, s’ka nga të shkojë, do të bëhet këngëtare se s’bën”, mamaja moderne shprehet me rezerva: “Grejsi do ta zgjedhë vetë dhe duke qenë se janë bashkuar dy gene, të miat dhe të Skerdit, ndoshta ajo do dojë të qëndrojë e qetë në jetën e saj, si i ati…” Në fakt, teksa zhvillojmë intervistën, Grace po qëndron aq qetë sa nuk dimë të themi nëse nga e qara melodioze e ka trashëguar talentin e së ëmës… Vetë Aurela e ka thënë edhe më herët se lajmi i ëmbël i mëmësisë, që e mësoi ndërsa përgatitej për “Eurosong 2011” e ka çuar në qiellin e shtatë! “Gjatë gjithë kohës kam dëshiruar të jem nënë. Por, sikurse e thashë edhe më sipër, nuk do të doja të tregohesha egoiste dhe të mendoja vetëm për vete duke sjellë në jetë një fëmijë, nëse nuk do të ishte babai i duhur”, – tregon ajo, duke këshilluar të gjitha femrat të bëhen nëna, sepse është një ndjesi e mrekullueshme!

Aurela, ke fare pak ditë që ke lindur, si ndjehesh kur mban vajzën tënde në krahë?

E kisha pritur kaq shumë këtë moment, të kisha engjëllin tim në duar, saqë tani nuk di si ta shpreh lumturinë. E doja shumë, vetëm se nuk e kisha gjetur ende personin e duhur për ta realizuar këtë gjë (Qesh). Pikërisht për këtë arsye prita kaq gjatë dhe bashkë me partnerin tim, Skerdin, jemi më shumë se të lumtur, nuk dimë si ta shprehim gëzimin. Të kesh fëmijën tënd paska qenë mrekullia më e bukur në botë, mrekulli e mrekullive, nuk e imagjinoni dot. S’kam provuar kurrë më parë një ndjesi të tillë, nga të gjitha gjërat që kam bërë!

Instinkti i nënës u shfaq krejt natyrshëm apo jo, sepse shohim që e mban vogëlushen sikur të ishit përkujdesur prej shumë kohësh për të (natyrisht jo në bark)…

Në fakt, gjatë gjithë kohës instinkti i nënës ka qenë me mua. Gjatë gjithë kohës kam dëshiruar të jem nënë. Por, sikurse e thashë edhe më sipër, nuk do të  doja të tregohesha egoiste dhe të mendoja vetëm për vete duke sjellë në jetë një fëmijë, nëse nuk do të ishte babai i duhur.

Si shkoi procesi i lindjes, sepse e solle në jetë vajzën përmes një ndërhyrjeje cezariane. A kishe frikë?

Mendoj se çdo gjë ndodhi bukur, erdhi krejt bukur dhe pavarësisht frikës sime të madhe, sepse unë, edhe pse dukem e fortë, jam shumë frikacake. Ky proces shkoi mrekullisht mirë. Natyrisht, kjo edhe falë mbështetjes dhe inkurajimit të stafit dhe profesor Nikitës, i cili gjithashtu ka ndjekur hap pas hapi shtatzëninë time. Vetëm profesor Nikita më ka parë dhe është dëshmitar sesa jam dridhur (hahaha). Fatmirësisht, qetësuesit bënë të vetën…

Kush të ka qëndruar pranë gjatë këtyre ditëve?

Sigurisht që më të dashurit e mi, ndaj me këtë rast dua të falënderoj shumë prindërit e mi, mamin e Skerdit dhe sidomos Skerdin, i cili më ka qëndruar gjatë gjithë kohës pranë. Nuk mund të lë pa përmendur fansat e mi, të cilët gjatë gjithë kohës jo vetëm më kanë përkrahur dhe më kanë dhënë dashuri, por edhe kanë qenë kuriozë për emrin e bebit, babanë e vajzës etj. Ndaj e ndiej edhe si detyrim moral që të flas për ta, sepse janë ata që më mbështesin në çdo hap timin.

Përse zgjodhe të lindje në Shqipëri?

E kam thënë edhe në një intervistë më të hershme të realizuar para lindjes se e kisha vendosur që në muajt e parë të shtatzënisë se do të lindja këtu, se do ta sillja në jetë engjëllin tim të vogël në Shqipëri. Kam ardhur ta kryej këtë shërbim këtu, sepse jam në shtëpi, edhe pse prej shumë vitesh ndaj jetën mes Amerikës dhe Shqipërisë. Por, këtu kam njerëzit e dashur, kam familjen time, të gjithë ata që më mbështesin, ndaj nuk dëshiroja të lindja në SHBA. Për më tepër që isha e sigurt që gjithçka do të shkonte kaq mirë sa edhe shkoi.

Emri i vajzës është Grace (në shqip Grejs). Përse ky emër, që në anglisht do të thotë “hiri i Zotit”?

Po, do të thotë “Hiri i Perëndisë” dhe në fakt fëmija ashtu është, hir nga Zoti, një bekim dhe lumturi për këdo.

E kishe menduar që më parë këtë emër?!

E di si ndodhi?! Në Amerikë, ngaqë kanë vështirësi në prononcimin e emrit tim, Aurela Gaçe, shpesh kur lexonin ftesat e koncerteve të mia ma prononconin “Aurela Grace (Grejs)”. Kështu që më mbeti në mendje “Hiri i Perëndisë” dhe pse jo, mendova që me këtë emër të pagëzoja vajzën time. Dhe ja ku jam tani “Aurela e Grace”-it. (Qesh)

Për fat, keni kënduar së bashku në duet që kur Grace ishte në barkun tënd…

Së pari, Grejs ka kënduar me mamin që në skenën e Eurosong-ut, që u mbajt këtë vit në Gjermani. Aty ishte performanca e parë skenike me të, pasi kam qenë rreth dymuajshe e gjysmë shtatzënë.

Mbajmë mend që nuk respektuat edhe rregulloren madje? (Qesh)

(Qesh). Po, është e vërtetë, sepse në skenën e Festivalit Evropian lejoheshin nga çdo shtet deri në 6 persona, ndërkohë që ne së bashku me Gracen ishim 7 persona. Ndërkohë, edhe një javë para lindjes unë kam marrë pjesë në spektaklin me fëmijët në Top-Channel “1000 e 1 pse”, ndërsa pak ditë më herët këndova në kuartet te “Këngët e Shekullit” së bashku me Vikena Kamenicën dhe vajzën e saj në bark… Ju them se ky është viti i çudirave! (Qesh)

Nëse princesha jote do të marrë nga genet e tua, nuk ka nga të shkojë, do të bëhet medoemos këngëtare apo jo?

Nuk di të them. Grejsi do ta zgjedhë vetë dhe duke qenë se janë bashkuar dy gene, të miat dhe të Skerdit, ndoshta ajo do dojë të qëndrojë e qetë në jetën e saj, si i ati…

Do të thuash disi në hije?

Jo në hije, por në qetësinë e saj!

 

Dhe së fundmi, një përshëndetje për fansat e tu…

Unë do të doja t’u uroja të gjitha femrave, natyrisht atyre që dëshirojnë të bëhen nëna, që ta realizojnë këtë sa më parë që është e mundur, sepse është një ndjesi e mrekullueshme.

Gazeta Standard
YouTube Preview Image