Rezarta Shkurta kundër Blendi Fevziut

January 8, 2012   | Lajmet / Vijesti

Mes Rezarta Shkurtës dhe familjes së Ermal Hoxhës marrëdhëniet thuhet se janë të ngrira. Prindërit e tij, Ilir dhe Teuta Hoxha nuk e kanë mirëpritur asnjëherë si nusen e djalit, gjë që nuk e ka penguar asnjëherë këngëtaren të flasë në shtyp duke u identifikuar me familjen e bashkëshortit të saj. Rasti më i fundit, botimi i biografisë së Blendi Fevziut për Enver Hoxhën, nuk ka lënë indiferente dhe më të renë ndër nuset e familjes Hoxha.
Rezarta Shkurta muajin e fundit ka përdorur rrjetin social Facebook për të dhënë opinionet e saj mbi librin e Blendi Fevziut apo dhe promovimin që i është bërë librit. Madje ajo me mjaft krenari i ka shtuar profilit të saj një album të titulluar “Ermali im i vogël”, ku paraqiten fotografi nga fëmijëria e Ermal Hoxhës në bllok, me gjyshin dhe gjyshen, Enver dhe Nexhmije Hoxha.

Edhe pse ka qenë disa herë e ftuar në studion e “Opinion”, si këngëtare dhe vajzë spektaklesh, në komentet me miqtë në Facebook, Rezarta Shkurta shpreh rezervat e veta për emisionin më të ndjekur të ekraneve shqiptare, ndërkohë që gjatë gjithë muajit ka qenë mjaft aktive, si në postimin e bejteve të Arben Dukës kundër Blendi Fevziut, ashtu dhe në publikimin dy ditë më parë të faktit se kopertina e librit të Fevziut është një kopje e biografisë së Stalinit (në po të njëjtën faqe ajo ka të botuar dhe fotografinë e saj të bërë mot á mot si një fotografi e Lagy Gaga).

Rezarta Shkurta bëhet kështu nusja e tretë, por e para nga brezi i dytë, i nuseve të familjes Hoxha që shprehen publikisht për librin e Blendi Fevziut, i cili u kthye në një fenomen shitjesh fundvitin e shkuar. Por ndryshe nga Liliana Hoxha, qëndrimi i saj është më afër të vjehrrës, Teuta Hoxhës, e cila ka qenë ndër të parat që e kanë sulmuar këtë libër sipas saj për të pavërtetat që shkruan për jetën e diktatorit.

Ndoshta gjesti i Rezartës mund të jetë dhe një urë pajtimi me familjen e të shoqit, e cila nuk e ka pritur aspak mirë futjen e Rezartës në familje, pasi që në ditët e para të lidhjes me Ermalin, ajo nxitoi të rrëfente nëpër gazeta e revista se ishte lidhur me nipin e Enver Hoxhës. Por ndoshta kjo është thjesht Rezarta, tepër e dashuruar pas Ermalit dhe çdo gjëje që ai përfaqëson.

MAPO
YouTube Preview Image