Vizita e Sali Berishes ne Mal të Zi dhe Ulqin – Foto – Video

January 25, 2012   | Lajmet / Vijesti, Ngjarjet - Events

Sot ne ora 9:00 ne kalimin kufitar te Sukobinës arriti Kryeministri i Shqipërisë zotëri Sali Berisha. Në kufi e pritën Kryetari i Kuvendit Milazim Mustafa dhe nenkryetari i komunës së Ulqinit Xhaudet Cakuli.

Kryeministri Berisha u nis sot për një vizitë zyrtare njëditore në Mal të Zi, me ftesë të Kryeministrit malazez z.Igor Lukšić.

Kryeministri Berisha do të pritet nga Kryeministri i Malit të Zi z. Igor Lukšić me të cilin do të zhvillojë një takim tête-a-tête që do të pasohet nga takimi i delegacioneve respektive. Pas takimit, ambasadorët e të dy vendeve do të nënshkruajnë Marrëveshjen për përcaktimin e pikës së përbashkët të kalimit të kufirit Grabon – Zatrijebacka cijevna. Më pas, dy Kryeministrat do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime të veçanta me Presidentin e Malit të Zi, z. Filip Vujanović dhe me Zëvendëskryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, z. Željko Šturanović. Gjithashtu, Kryeministri do të takohet dhe me kryetarin e PDS-së së Malit të Zi z. Milo Djukanovic.

Në vijim të vizitës në Malin e Zi, Kryeministri Berisha do të takohet edhe me përfaqësues të partive shqiptare, si z. Mehmet Bardhi kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, z. Vasil Sinishtaj i Koalicionit Shqiptar Perspektiva, z. Genci Nimanbegu i FORCA dhe z. Mehmet Zenka i Unionit Demokratik Shqiptar.

Më pas, Kryeministri Berisha do të zhvillojë një vizitë Tuz, ku do të pritet nga kryetari i Komunës z. Nikola Gegaj dhe do të takohet me përfaqësues të Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit.

Vizita e Kryeministrit Berisha do të përmbyllet me një vizitë në Ulqin ku do të pritet dhe do të zhvillojë një takim me kryetarin e Komunës së Ulqinit z. Nazif Cungu në ora 18:30.

 

FOTO: Vlada.me

Kryeministri Berisha takohet në Podgoricë me kryetarin e PDS-së, zotin Milo Djukanovic

Gjatë qëndrimit të tij në Podgoricë, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me kryetarin e Partisë Demokratike Socialiste të Malit të Zi, zotin Milo Djukanovic.

Duke i uruar perzemersisht mirëseardhjen Kryeministrit Berisha, zoti Djukanovic shprehu kënaqësinë e vecante per këtë takim dhe këtë vizitë që ai po zhvillon në Mal të Zi. Ai shprehu kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhenieve ndërmjet dy vendeve tona, si dhe theksoi se po ndjek me kujdes të gjitha projektet për bashkepunimit te gjithanshem, zgjerimin e lidhjeve infrastrukturore, hapjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, etj. Zoti Djukanovic shprehu kënaqësinë dhe vlerësimet e tij për zhvillimet e arritjet shumë të rëndësishme që janë shënuar në Shqipëri gjatë gjithë kësaj periudhe. Ai u shpreh se është një lajm shumë i mirë që bojkoti parlamentar u ndërpre dhe tashmë Parlamenti funksionon i plotë.

Kryeministri Berisha shprehu, gjithashtu, kënaqësinë për këtë takim dhe vlerësoi se zoti Djukanovic mbetet jo vetem arkitekt i pavaresisë së Malit të Zi, por edhe arkitekt i miqësise midis së dy vendeve dhe popujve. “Mbeshtetja qe Mali i Zi i dha ceshtjes se drejte te shqiptareve ne Kosove dhe pavaresise se republikes se Kosoves do te mbetet perhere i paharruar per shqiptaret,” u shpreh Berisha. “Prandaj mbetesh një mik shumë i çmuar dhe ruan vendin e veçantë dhe shumë të rëndësishëm në marredheniet midis të dy vendeve”, tha Kryeministri.

Duke folur për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, Kryeministri Berisha theksoi se po punohet për nje serë projektesh të rëndësishme të përbashkëta. Kryeministri vlerësoi se zhvillimet shumë pozitive në Mal të Zi kanë qenë një dëshmi e shkëlqyer që justifikuan luftën dhe përpjekjet e zotit Djukanovic dhe popullit te ketij vendi mik e fqinj qe konkluduan ne arritjen e pavaresise se Republikes se Malit te Zi.

Ne takim u vleresuan perpjekjet dhe angazhimi i jashtezakonshem me te cilin Shqipëria dhe Mali i Zi po punojnë për projektin e përbashkët, atë të integrimit në Bashkimin Europian. Kryeministri Berisha përsëriti mbështjen e plote nga ana e Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se Ballkani është më i lirë së kurrë tashmë që Kosova dhe Mali i Zi janë të pavarur.

Zoti Djukanovic e falenderoi perzemersisht kryeministrin dhe u shpreh se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO mbetet një projekt strategjik me rëndesi të jashtëzakonshme.

Me tej, Kryeministri Berisha vleresoi progresin dhe rolin që shqiptarët kanë arritur në Mal të Zi. “Përkushtimi ynë i madh në projektin evropian i shërben jetës mirëqënies e standardeve të jetes se qytetareve në Mal të Zi, në Shqipëri dhe në cdo vend tjetër që punon për këtë projekt”, theksoi Kryeministri.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha dhe zoti Djukanovic diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në rajon.

Kryeministri Berisha e ftoi zotin Djukanovic të vizitojë Shqipërinë, duke u shprehur se është përherë i mirëpritur ta vizitojë atë. Nga e tij, zoti Dukanovic u shpreh se me shumë kënaqësi do ta zhvillojë këtë vizitë

Keshilli i Ministrave.al


Kryeministri Berisha takohet me Presidentin e Malit të Zi, zotin Filip Vujanović

Në vijim të vizitës zyrtare në Mal të Zi, Kryeministri Berisha u takua sot në mesditë me Presidentin malazez, zotin Filip Vujanović.

Presidenti Vujanović i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha dhe i shprehu falënderime për kontributin e madh që ai ka dhënë në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Duke i cilësuar ato si një shembull i shkëlqyer, Presidenti Vujanović theksoi se kjo vizitë është një kontribut tjetër në forcimin e tyre. Më tej, ai shprehu vullnetin e Malit të Zi për çuarjen edhe më tej të këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat, në veçanti në fushën ekonomike.

Kryeministri Berisha e falënderoi Presidentin Vujanović për pritjen e ngrohtë dhe tepër miqësore, ndërsa shtoi se ndihet gjithnjë shumë i mirëpritur në Mal të Zi. Kryeministri theksoi se ndjek me shumë interes progresin e Malit të Zi dhe shprehu kënaqësinë që ky vend po ecën me shpejtësi drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kryeministri Berisha e siguroi Presidentin Vujanović se qeveria shqiptare do të vijojë ta mbështesë fuqishëm antarësimin e Malit të Zi në NATO, duke e vlerësuar këtë antarësim si plotësisht të merituar, por edhe si interesi më i mirë i NATO-s, kahu jug – lindor i të cilës do të bëhet më i plotë me anëtarësimin e Malit të Zi në këtë Aleancë. Në takim u ripohua vullneti i palëve për të vijuar bashkëpunimin në projekte të përbashkëta në shumë fusha, si infrastrukturën rrugore, nismën për autostradën Adriatiko-Joniane, projektin për lumin Buna dhe liqenin e Shkodrës, si dhe projekte të përbashkëta turistike, veçanërisht për turizmin malor, për t’i paraqitur alpet si një destinacion jashtëzakonisht tërheqës për turizëm e investime në të dy vendet.

Kryeministri Berisha shprehu, gjithashtu, kënaqësinë për progresin që shqiptarët kanë bërë në Mal të Zi.

Nga ana e tij, Presidenti Vujanović vlerësoi progresin e rëndësishëm dhe arritjet që ka shënuar qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe, të cilat e kanë transformuar dhe shndërruar Shqipërinë në një destinacion shumë tërheqës për investime të huaja, si edhe për turistët.

Presidenti Vujanović e falënderoi Kryeministrit Berisha për kontributin e qeverisë shqiptare përsa i përket plotësimit të standarteve të të drejtave e lirive të njeriut të qytetareve shqiptarë me origjinë nga Mal i Zi.

Në takim, dy personalitetet diskutuan edhe lidhur me zhvillimet në rajon. Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për të shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen që Mali i Zi i ka dhënë në vijëmësi çështjes së shqiptarëve në Kosovë dhe njohjes së Republikës së Kosovës duke e konsideruar atë si një kontribut në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. “Pavarsia e Malit të Zi dhe e Republikës së Kosovës e ka bërë Rajonin e Ballkanit më të lirë se kurrë”, theksoi kryeministri Berisha.

Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin malazez, zotin Filip Vujanović, për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.

Keshilli i Ministrave.al
YouTube Preview Image

10