Komuna e Ulqinit merr pjesë në Panairin “Unë konsumoj prodhime shqiptare” në Tiranë – Video

March 15, 2012   | Lajmet / Vijesti, Rajoni / Region

Basha: Panairi, mundësi për promovimin e produkteve shqiptare dhe për nxitjen e punësimit

Është çelur sot në Tiranë panairi i 100 produkteve shqiptare nga 100 kompani kombëtareme sloganin “Unë konsumoj prodhime shqiptare”. Javët e biznesit kombëtar nisën sot rrugëtimin e tyre nga Tirana për të vijuar më pas në Prishtinë, Maqedoni, Preshevë e Mal të Zi.  100 biznese kombëtare do të promovojnë 100 produkte për 100 ditë në 100 vjetorin e Pavarësisë. Panairi i hapur sot në rrugën “Murat Toptani” ka patur të ftuar nderi përfaqësues nga të gjithë trevat shqiptare nga Prishtina, Shkupi, Ulqini, e Presheva.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, mbështës kryesor i këtij panairi në Tiranë, tha se ky është hapi i parë për promovimin e potencialeve të jashtëzakonshme në fushën e agrobiznesit.

“Ky është një hap i parë për të evidentuar potencialin e jashtëzakonshëm që ne kemi në këtë fushë, potencial i cili mund të realizohet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit, nëpërmjet bashkëpunimit të vërtetë intensive dhe jo vetëm në ditë festash të biznesit e në veçanti të agrobiznesit shqiptar, duke i konsideruar sot shanset e lëvizshmërisë të përmirësuara, për shkak të dimensionit të lirisë së fituar që na ka munguar, të përmirësuara edhe për shkak të infrastrukturës rrugore shumë më të mirë që na lidh, si shanse për të rritur cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë dhe shqiptarëve kudo që jetojnë, duke u ofruar atyre prodhime më cilësore, me çmime më të arsyeshme dhe duke e nxjerrë tregun e ri ushqimor sa më shumë nga “kthetrat” e importit dhe mallrave të importit.

Së dyti, ky është një shans i jashtëzakonshëm për të hapur vende të reja pune, jo vetëm në fushat e sektorët përkatës të prodhimit por edhe të tregtimit, të ekspozimit dhe kjo mund të arrihet duke kredituar dhe vetëkredituar veten tonë, bizneset tona, në ato shuma që nuk janë të pakta, janë dhjetëra, qindra milionë euro, të cilat duhet të shkojnë në blerjen dhe konsumin e prodhimeve shqiptare, pavarësisht nëse këto prodhime shqiptare gjenerohen në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, apo kudo tjetër”,  tha zoti Basha.

Në këtë ceremoni kanë përshëndetur edhe ministri i Bujqësisë Genc Ruli, presidenti i KASH Enver Ferizaj,  kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini,  Kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, kryetari i Komunës Çair Izet Mexhiti , zv/kryetari i Komunës Ulqin  Xhaudet Cakuli.

Torta që simbolizon edhe hapjen e panairit u pre nga kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa. Më pas të pranishmit në ceremoni kanë vizituar të gjitha stendat e panairit ku ekspozohen produkte shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Presheva.

Fjalët e plotë në ceremoni:

KRYETARI I BASHKISË LULZIM BASHA:

“I nderuar z.Ministër, të nderuar miq dhe të ftuar që keni ardhur sot, Ditën e Verës, të kësaj feste të lashtë që shqiptarët e festojnë anembanë ku flitet shqip, keni ardhur nga të gjithë trevat shqiptare, stërgjyshërore, nga Çairi i Shkupit, nga Ulqini, nga Tetova e natyrisht nga Kosova!

Keni bërë zgjedhjen e duhur, sepse sot Tirana ka hapur dyert, zemrat, shpirtin e saj bujar, mikpritës, për t’i ofruar të gjithë banorëve të saj shansin për të festuar këtë ditë, ditën e largimit të dimrit, të fillimit të ngrohjes pranverore të tokave, qyteteve tona, të shpirtrave tanë, zemrave e shtëpive tona.

Në këtë ditë të veçantë dhe në këtë vit të veçantë të 100-vjetorit të Pavarësisësë Shqipërisë, unë jam veçanërisht i lumtur, që Tirana kryeqyteti i Shqipërisë dhe qyteti më i madh i shqiptarëve, të mirëpresë si pjesë e festimeve të Ditës së Verës 100 biznese shqiptare kombëtare, nga të gjithë trojet shqiptare, të cilët do të ekspozojnë para qytetarëve të Tiranës dhe vizitorëve të shumtë që kanë zgjedhur sot të festojnë në Tiranë, produktet e tyre të cilat na bëjnë krenarë me cilësinë e lartë, me shijen e tyre të rrallë dhe që kanë në çdo qelizë të tyre mundin, punën dhe dashurinë e motrave dhe vëllezërve tanë, pavarësisht nëse janë prodhuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Preshevë apo Mal të Zi.

Ky është një hap i parë për të evidentuar potencialin e jashtëzakonshëm që ne kemi në këtë fushë, potencial i cili mund të realizohet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit, nëpërmjet bashkëpunimit të vërtetë intensive dhe jo vetëm në ditë festash të biznesit e në veçanti të agrobiznesit shqiptar, duke i konsideruar sot shanset e lëvizshmërisë të përmirësuara, për shkak të dimensionit të lirisë së fituar që na ka munguar, të përmirësuara edhe për shkak të infrastrukturës rrugore shumë më të mirë që na lidh, si shanse për të rritur cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë dhe shqiptarëve kudo që jetojnë, duke u ofruar atyre prodhime më cilësore, me çmime më të arsyeshme dhe duke e nxjerrë tregun e ri ushqimor sa më shumë nga “kthetrat” e importit dhe mallrave të importit.

Së dyti, ky është një shans i jashtëzakonshëm për të hapur vende të reja pune, jo vetëm në fushat e sektorët përkatës të prodhimit por edhe të tregtimit, të ekspozimit dhe kjo mund të arrihet duke kredituar dhe vetëkredituar veten tonë, bizneset tona, në ato shuma që nuk janë të pakta, janë dhjetëra, qindra milionë euro, të cilat duhet të shkojnë në blerjen dhe konsumin e prodhimeve shqiptare, pavarësisht nëse këto prodhime shqiptare gjenerohen në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, apo kudo tjetër. Kjo është një fuqi shumë e madhe kredituese për ekonominë kombëtare, për ekonominë e Shqipërisë, Kosovës, por edhe të gjithë ekonomitë e rajonit dhe është një kontribut shumë i madh që ne duhet dhe do ta japim, për të rritur mundësinë për punësim për brezin e ri në veçanti dhe shqiptarët kudo që jetojnë në përgjithësi, ndaj kësaj Dite Vere që është një ditë feste, sot i shtohet edhe një element thelbësor që ka të bëjë me cilësinë e ushqimit, ka të bëjë me cilësinë e jetës, ka të bëjë me mënyrën se si ne zgjedhim të jetojmë apo të shijojmë jetët tona.

Sot, nëpërmjet këtij panairi ne tregojmë se kemi një potencial të madh për të jetuar e shijuar më mirë jetët tona, pavarësisht nëse jetojmë brenda kufijve të Shëipërisë, Kosovës, Maqedonisë apo Malit të Zi, duke qenë krenarë për atë që na bashkon, të kaluarën tonë dhe duke parë me besim në atë që na bashkon në të ardhmen tonë që është cilësia e lartë, e patjetërsueshme e prodhimeve shqiptare.

I ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës dhe vizitorët anembanë, nga kudo prej kanë ardhur që të vizitojnë këtë panair, të njohin prodhimet e këtij panairi, të njohim njëri-tjetrin dhe t’i japim një impuls të ri prodhimeve shqiptare dhe konsumit shqiptar në Europën Jugindore, Ballkan, kudo ku jetojnë shqiptarët.

Edhe njëherë, “Gëzuar festën e Verës”, ashtu siç ka sjellë sot ky diell dritë dhe gëzim, sjelltë dritë e gëzim në jetët tuaja, familjet tuaja, shtëpitë tuaja e qoftë një verë e mbarë për të gjithë qytetarët e Tiranës e shqiptarët kudo ku jetojnë!”

ENVER FERIZAJ PRESIDENTI I KËSHILLIT TË AGROBIZNESIT SHQIPTAR

“I nderuar z.ministër Ruli; i nderuar z.Basha, Kryetar i Bashkisë së Tiranës; të nderuar vëllezër nga Kosova; z.Agim Shahini, Kryetar i AKB; nga Maqedonia Kryetar i Odës Ekonomike, Z.Menderes Kuçi; Kryetar i Komunës së Çairit të Shkupit, z. Izet Mexhiti; nga Presheva Kryetari i Komunës Ragmi Mustafa; Zv/Kryetari i Komunës Xhevdet Cakuli; të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të mediave, bashkëorganizatorë, të respektuar biznesmenë nga trevat shqiptare!

Ju falenderoj për pjesëmarrjen, për kohën që i kushtuat “Javës së Biznesit Kombëtar”. Ky event realizohet në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, Këshilli i Agrobiznesit shqiptar, Aleanca për Biznes e Kosovës dhe gjithë bashkëorganizatorët nga Shqipëria dhe nga trevat kombëtare, Kosova, Maqedonia, Mali I Zi, Presheva dhe kulmon sot në Tiranë, në qiellin e panairit kombëtar, 100 biznese, 100 produkte, 100 aktivitete, në 100 vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar.

Ky aktivitet mbledh sot në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë, biznesmenë, prodhues, konsumatorë etj nga trevat shqiptare për një qëllim, të rrisim vetëdijen mbarëshqiptare për konsumin e mallrave vendore, pasi natyra na ka bekuar duke na dhënë një natyrë plot dritë e shëndet, për prodhimet tona sa më cilësore.

Slogani “Unë konsumoj prodhime shqiptare”, po ju si qytetarë!! Tirana është sot qyteti I gëzimit, qyteti i festës, është kryeqyteti i kësaj dite të mrekullueshme, ndaj ju uroj Gëzuar!

Gjatë javëve të biznesit shqiptar ne kemi kaluar në të gjithë trevat shqiptare, duke lançuar projektin, gjithë bashkëorganizatorët, si në Kosovë, Preshevë, Maqedoni, Ulqin. Falenderoj të gjithë gazetarët që na kanë shoqëruar dhe një pyetje që na kanë drejtuar është: “Si ka mundësi që të gjithë ushqimet që ne kemi ngrënë, kanë të njëjtën shije, të njëjtën erë!? Sepse janë të trevës shqiptare, janë të një gjaku, janë të një kombi, ndaj ato kanë të njëjtën shije e aromë. Gëzuar festën për të gjithë qytetarët dhe biznesmenët, faleminderit!”

AGIM SHAHINI – KRYETAR I ALEANCËS KOSOVARE TË BIZNESIT

“Kam kënqësinë që para qytetarëve të Tiranës, Shqipërisë, kombit, të ofrojmë një ofertë si asnjëherë më parë me 100 biznese kombëtare, me 100 produkte, por sot janë mbi 10 mijë produkte që ofrohen dhe kjo është një ofertë e mirë që i ofrohet gjithë konsumatorëve shqiptarë.

“Unë konsumoj prodhime vendore” është një slogan që prek ndërgjegjjet tona, ndërgjegjjet institucionale të shteteve tonë, për të krijuar politika më të mira për zhvillimin e bizneseve kombëtare, është një slogan që tenton të kalojë kufijtë e kombit, të integrohet me tregjet ndërkombëtare dhe po kështu është një slogan që u ofron investitorëve më shumë interes, sepse ky projekt ka të bëjë me ofertën 10 milionë konsumatorë, investitorët do të interesohen më shumë të vijnë nëpër tregjet tona prandaj sot Kosova thërret O Shqipëri, o Ulqin, o Preshevë, Maqedoni, o Shqipëri a je këtu?!

Pedonalja është e vogël sot për të pritur të gjithë kombin, gjithë bizneset që vijnë këtu, ndaj z.Kryetar pedonalja duhet të vazhdojë të rritet më tutje, të presë më shumë, vitin e ardhshëm do të jemi 1000 e kështu do të zhvillohet ekonomia jonë e cila ka synim të rrënojë kufijtë e të shkojmë bashkarisht në BE sepse BE ofron ofertë më të madhe për investimet, por edhe ne duhet të jemi të përgatitur për ofertën e produkteve tona në BE, ndaj sot kam kënaqësinë e veçantë të përshëndes edhe institucionet shtetërore të Kosovës, Shqipërisë e institucionet e të gjithë kombit që kanë përkrahur këtë projekt. Trupa diplomatike e Ambasadës së Kosovës në Tiranë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe në emër të bizneseve të Kosovës të cilat janë sot më shumë se 40, që ofrojnë më shumë se 1500 produkte, do të ofrojnë edhe gjatë gjithë rrugëtimit. Ky projekt do të mbillet duke shpërndarë çertifikata për 100 bizneset dhe 100 produktet më të mira të kombit, gjithmonë në harmonizim me institucionet shtetërore të kombit tonë.”

RAGMI MUSTAFA – KRYETARI I KOMUNËS SË PRESHEVËS

“Në sajë të Pavërësisë së Shqipërisë, 100 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë po realizohet misioni i plakut mjekërbardhë Ismail Qemali. Në shumë segmente gjer sot kanë qenë të bashkuar shqiptarët, kulturës, traditës, dijes, gatimit, prodhimit, por sot, përkatësisht këtë vit po vendosen edhe urat e bashkëpunimit të shqiptarëve nga të gjithë trevat.

Ju kujtoj se në realizimin e segmeneteve të numërta, në jetën e përditshmërisë në të gjithë trevat, gradualisht do të vijojnë edhe konturet e natyrshme të shqiptarëve për të ardhmen. Jemi shumë të lumtur që edhe Presheva është pjesë organizative e kësaj ngjarje shumë të madhe, në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe kjo është një meritë pasi Presheva jo vetëm në këtë panair por edhe në panaire të tjera do të prezantohet me produkte të cilësisë së lartë dhe absolutisht janë autoktone shqiptare. Në këtë kontekst, edhe në Preshevë është mbajtur promovimi i programit të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe në këtë kontekst edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës janë ndierë plotësisht të kënaqur e të lirë, për të qenë pjesë e manifestimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë, në një emblemë të zgjedhur nga qeveria shqiptare, shumë e mirëpritur për të gjithë shqiptarët.

Në 5 mars, në formë promovimi dhe përkundër përpjekjeve që pati Serbia të pengojë takimin e shqiptarëve nga të gjithë trevat, falë intervenimeve dhe reagimeve të bashkësisë ndërkombëtare ndërgjegjësuan Serbinë se së paku tregun e lirë, prodhimin e lirë, bashkëpunimin përtejkufitar nuk mund ta pengojë dhe me insistimet tona pa dyshim edhe partneritetin me pushtetin lokal ndonëse pushtet shumë i vogël, në krahasim me atë qendror, me ndihmën e autoriteteve qendrore të Republikës së Kosovës, pa dyshim se takimi është realizuar dhe do të realizohet edhe panairi tjetër.

Të gjithë shqiptarëve u uroj Ditën e Verës, 100 vjet Pavërësi, edhe 100 mijë të tjera që të jetojnë shqiptarët, urime gjithë biznesmenëve nga të gjithë trevat!”

IZET MEXHITI – KRYETAR I KOMUNËS SË ÇAIRIT

“Është një nder por edhe një kënaqësi e veçantë për mua të marr pjesë në këtë panair, në kuadër të projektit: “Javët e biznesit Kombëtar”, sidomos duke marrë parasysh se ky eveniment bëhet në kuadër të festimit të përbashkët të gjithë shqiptarëve, të 100-vjetorit të Pavarësisë. Thënë këtë, duke pasur parasysh mundësinë e hapjes së perspektivave të rejae të mëdha nga projekte të tilla që kanë si qëllim avancimin e zhvillimti ekonomik të të gjithë trojeve të banuara nga shqiptarë, me lejoni të shpreh mendimin se projekte të tilla si “Javët e biznesit kombëtar” që inicion bashkëpunimin ekonomik mbarëkombëtar, jo vetëm janë të mirëseardhura, por janë të domosdoshme, sidomos për ne shqiptarët.

Zhvillimi ekonomik i një shoqërie është themeli më i shëndoshë për ndërtimin demografike të sferave të tjera në një shoqëri dhe shtet dhe në këto themele ne do të vijojmë të mundësojmë ndërtimin e një shoqërie, e një kombi

 

Dsa ditë më parë festuam 125-vjetorin e shkollës së parë në gjuhën shqipe, gjatë tërë këtij viti shënojmë një shekull të Pavarësisë së Shqipërisë. Në një pjesë të konsiderueshme të kësaj periudhe populli shqiptar, shqiptarët ishin të ndarë pa dëshirë e vullnetin e tyre, ajo që nuk na la të largohemi nga njëri-tjetri ishte gjuha, kultura, tradita e historia jonë e përbashkët. Barrierat e kufitë e dikurshëm si dhe politikat që u munduan të na mbajnë larg tashmë janë në histori. Kemi fatin të jetojmë në një kohë të sfidave bashkëkohore, ku sukesi i zhvillimit tonë ekonomik nuk varet nga çështjet e sigurisë së rajonit dhe nga politikat antishqiptare, por avancimi I zhvillimit ekonomik është prioritet edhe për qytetarin, biznesmenin, ashtu edhe për politikanin.

Sot, kur rrëzuam e hoqëm të gjithë barrierat artificiale mes nesh, kur bashkëpunimi në sferat e arsimit, kulturës, shkencës ndërmjet të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen është në nivelin më të lartë, është më se e nevojshme të fokusohemi në projektet e përbashkëta ekonomike që do të çojnë më tej bashkëpunimin tonë dhe do të na ndihmojnë në rrugën tonë të përbashkët drejt familjes së bashkuar evropiane.

Më lejoni të shpreh edhe njëherë përkrahjen pa rezervë që Komuna e Çairit u jep projekteve të tilla, të cilat janë në favor të bashkëpunimit të shqiptarëve nga të gjithë trojet ku jetojnë e veprojnë, në të gjithë sferat!”

XHEVDET CAKULI – ZV/KRYETARI I KOMUNËS SË ULQINIT

“Ju uroj këtë vit të festës së madhe kombëtare, 100-vjetorin, gjithë qytetarëve, shqiptarëve kudo që janë. Kjo Ditë e Verës do të jetë një nismë e mirë për lidhjet që duhet të forcojmë mes të gjithë trevave tona, lidhjet e biznesit, kulturës, bashkëpunimin në të gjithë sferat.

Doja të cekja një aspekt i cili përveç prodhimeve duhet të përfshijë edhe shërbimet. Shqipëria, Ulqini apo treva të tjera në det kanë potencial të madh për zhvillimin e turizmit, shërbim I cili duhet të jetë gjithashtu një prej produkteve që ne shqiptarët duhet të konsumojmë sa më tepër, për të rritur bashkëpunimin mes trevave tona, ndaj ne sot kemi ardhur në Tiranë me sloganin “Ulqini, metropol I turizmit”, duke menduar këtu atë që Ulqini para 20-25 vitesh ishte metropol I turizmit shqiptar, turizmit mbarëkombëtar shqiptar dhe me shpresën se së shpejti bashkë me qytete të tjera të bregdetit shqiptar, Sarandën, Durrësin, Vlorën do të bëhet një prej metropoleve të turizmit mbarëshqiptar.

Përshëndesim të gjithë bashkëkombësit kudo që janë e dëshirojmë që kjo të jetë një nismë e mbarë e bashkëpunimit të mëtejshëm”

GENC RULI – MINISTRI I BUJQËSISË

“Të nderuar pjesëmarrës, i nderuar Z.Basha, Kryetar i qytetit tonë, ju falenderojmë që mundësuat dhe ishit ju ai që ftuat mbajtjen e këtij panairi, me rastin e Ditës së Verës, këtu në qytetin e Tiranës; z.Ferizaj, drejtues i palodhur e energjik i organizatës më të madhe të biznesit agroindustriale në Shqipëri dhe pa dyshim partneri ynë kryesor, miq të ardhur për të ndarë me ne gëzimin e kësaj feste, nga të gjithë krahinat e shqiptarëve, Kosova, Maqedonia, Mali I Zi, Presheva, të nderuar qytetarë, pjesëmarrës, përfaqësues të biznesit që ekspozoni sot në këtë panair arritjet tuaja!

Është një kënaqësi që në këtë ditë pranverore, të kemi këtë ditë simbol Ditën e Verës, që pa dyshim paralajmëron për të gjithë ne, jo vetëm mbarimin e dimrit, që këtë vit e patëm veçanërisht të vështirë, por pa dyshim ajo që paralajmëron më shumë është fillimi i një sezoni të ri prodhues që jemi të bindur do të jetë më i begatë se ai i kaluari.

Dita e Verës sivjet është e veçantë, pasi festohet në vitin kur ne festojmë 100-vjetorin e shtetit tonë dhe pa dyshim do të thoja se është forma më e thjeshtë por edhe më e bukur e patriotizmit, që ne t’i drejtojmë respekt dhe dashuri së pari prodhimeve të tokës sonë. Unë do e quaja edhe si një shenjë emancipimi të Kryetarit të qytetit tonë dhe të gjithë kryetarëve të nderuar të qyteteve të shqiptarëve që nxisin një panair kryesisht të prodhimeve bujqësore në një qytet. Qyteti duket se ka pak lidhje me produktet bujqësore por qyteti është pikërisht ai që konsumon edhe pjesën më të madhe të prodhimeve bujqësore, është pikërisht konsumatori i qytetit, i cili i jep vlerë dhe shton kërkesën për prodhim gjithmonë e më cilësor. Do të thoja se të gjithë kryeqytetet e mëdha të Europës janë ato që bëjnë ekspozimin më të mirë të traditës bujqësore, traditës së ushqimeve dhe kulturës së gatimit të vendeve të tyre, që është pa dyshim një pjesë e pandarë e kulturës sonë kombëtare. Në panaire të tilla kemi mundësi të shohim edhe  se ku ka arritur biznesi agroindustrial pas një viti dhe shohim se vërtet ka arritur shumë.

Nga një anë kemi të drejtë të mendojmë se kemi pasur edhe politikat tona, në mbështetjen që i kemi dhënë, por pavarësisht se i kemi mbështetur, përsëri jemi shumë larg asaj mbështetje që meriton, qoftë në asistencat tona, politikat tona apo fondet që janë vënë në dispozicion të prodhimit bujqësor.

Uroj ta kaloni sa më gëzuar këtë ditë, uroj që qytetarët tanë duke shëtitur në këtë panair, të çlirojnë edhe pak xhepin, të blejnë nga prodhimet shqiptare dhe të jeni të sigurtë se prodhimet tona, që më së fundmi kanë filluar të shkojnë edhe në tregjet e Europës janë tejet dinjitoze, kur ato veshin pikë së pari tregun tonë!

14 Mars 2012
Bashkia e Tiranës
YouTube Preview Image