Në Plavë, në mënyrë solemne është shënuar 7 marsi – Dita e Mësuesit

March 22, 2012   | Anketë / Anketa

Nga Shaban Hasangjekaj
Pas intonimit të himnit të flamurit kombëtar dhe prezantimit të dokeve dhe zakoneve shqiptare të kësaj ane nga anëtarët e SHKA-së “Maja e Karajfilit” të veshur në kostume nacionale shqiptare, moderatoret Mirjeta dhe Arbnore Gjonbalaj, përshëndetën të pranishmit, mësimdhënësve ua uruan festën, kurse falënderim dhe mirënjohje të veçantë i shprehën organizuesit të manifestimit, Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi në krye me kryetarin Tahir Tahirin, koordinatorin e projektit Hajredin Kovaçin, Komisionin për Kulturë të Këshillit Nacional të Shqiptarëve dhe anëtarët e Këshillit Nacional të Shqiptarëve nga Plava, të cilët dhanë kontribut në përgatitjen dhe organizimin e kësaj feste madhështore.

Falënderim të posaçëm i shprehën Fondit të Pakicave, respektivisht drejtorit të tij zotëriut Safet Kurtagiq, i cili ishte i pranishëm në këtë manifestim. Moderatoret në fjalë pastaj në mënyrë kronologjike evokuan dhe shpalosën të dhëna mbi historikun e bujshëm të arsimimit shqip. – Jemi mbledhur sot të festojmë këtë 7 mars, për të shënuar plot 125 vite nga hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë. Përvjetori i mësonjëtores së parë shqipe simbolizon rilindjen e madhe të shqiptarëve, luftën e tyre për dinjitet, identitet kombëtar, për liri dhe progres. Falë punës së palodhur të armatës së madhe të mësuesve që shërbejnë në vite, shpirtit arsimdashës të shqiptarëve, sot kemi një arsim të konsoliduar. Arsimi fillor 9 vjeçar dhe i mesëm janë shtrirë në të gjithë vendin. Arsimi i lartë po ashtu po ecën dhe forcohet çdo ditë e më tepër. Shqiptarët e etur për dije kanë shumëfishuar numrin e universiteteve private dhe shtetërore brenda një kohe shumë të shkurtër. Edhe shqiptarët e trevës së Plavë-Gucisë kanë një përqindje shumë të lartë të arsimimit. Breza me radhë vazhduan studimet në gjuhën shqipe në universitetet e Prishtinës dhe të Tiranës, e ndonjëherë edhe të Shkupit e Tetovës. Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve, zotëri Tahir Tahiri, në fjalën e vet të rastit pasi që përshëndeti të pranishmit dhe mësuesve ua uroi festën e tyre, me admirim theksoi: – Ne sot, në këtë ditë kremteje, të gjithë së bashku kujtojmë me respekt mësuesit tanë që na i mësuan shkronjat e para shqipe duke mos kursyer dot kohën, frymën, pasionin, madje edhe jetën për të pajisur drejt këta me dije, kulturë dhe edukatë. Lufta për gjuhën dhe shkollën shqipe përfaqëson faqet më të ndritura, por edhe më të përgjakura të historisë tonë kombëtare, sepse siç dihet populli im, kombi ynë në tërësi historinë e njohu nëpër betejat e zjarrta shekullore me të vetmin qëllim zhdukjen e gjuhës shqipe nga faqet e dheut. Mirëpo, fjala e gjallë e mësuesit është treguar më e fuqishme sesa luftërat e kërcënimet që na janë bërë neve, tha ai , si komb gjatë shekujve me radhë. Veterani dhe pishtari i arsimit shqip nga Vuthajt, Imer Ali Ahmetaj, edhe pse në pleqëri të thellë – në moshën 84 vjeçare, për të pranishmit kishte përgatitur me shkrim historikun konciz të arsimimit shqip në trojet shqiptare, por me theks të veçantë në trevën e Plavës dhe Gucisë para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Ai me admirim foli dhe evokoi ngjarjet, përjetimet dhe kujtimet e veta për arsimimin shqip në trojet shqiptare, duke u përqendruar në hapjen e shkollës së parë shqipe më 7 mars të vitit 1887, ditë kjo të cilën ai e quan ditë e bekuar historike e popullit shqiptar, ditë madhështore që e përkujton realizimin e ëndrrës shekullore, kur në Korçën legjendare dhe historike u çel shkolla e parë kombëtare, si shkollë me rëndësi dhe karakter historik.

Profesoresha e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge, zonja Hasnije Gjonbalaj, në emër të mësimdhënësve aktual të shkollave të kësaj treve,shkollave të cilat mbijetuan kundrejt përpjekjeve të dashakeqësve për përuljen, asimilimin dhe shpërnguljen tonë, përshëndeti tubimin madhështor. Ne ende ekzistojmë dhe do të vazhdojmë të mbajmë amanetin e të parëve tanë për t’i respektuar sakrificat e tyre që kush me pushkë e kush me mend, kush me gjak e kush me pendë, herë në burgje herë në liri luftuan për dinjitetin dhe integritetin tonë, -tha ajo në fjalën e vet të rastit. Manifestimi i Ditës së mësuesit u përcoll edhe me program të begatë, por të larmishëm kulturo-artistik e muzikor, me këngë, valle, recitime e recitale, të cilat i interpretuan dhe ekzekutuan anëtarët e SHKA-së “Maja e Karajfilit”. Impresione të këndshme lanë këngëtarët e mirënjohur Liridona Selimaj dhe Ismail Balidemaj, si dhe mysafiri nga Komuna e Deçanit, aktori dhe këngëtari i mirënjohur Avni Gërvalla.

Koha Javore

Foto nga 7 Marsi- Dita e Mesuesit, Plave 2012 – Tahir Tahiri Facebook