Nail Draga: Dëshmi e gjenocidit ndaj shqiptarëve – Libri i U.Butkës

April 9, 2012   | Opinione

Uran Butka, Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar, Botoi: ASD-studio, Tiranë 2011

Te populli  shqiptar janë dy ngjarje të veçanta gjatë Luftës së Dytë Botërore  qe kanë përmasat e gjenocidit etnik, e para ka të bejë me gjenocidin grek ndaj çamëve në qershor 1944, dhe e dyta me 1 prill 1945 ne Masakren e Tivarit. Këto masakra nuk janë të rastit, por si rezultat i politikave shovinste të shteteve përkatëse, ku në sajë të urrejtjes patologjike si qellim final kishin spastrimin etnik të territoreve prej  shqiptarëve.Nuk ka dilemë se vrasësit në Tivar tek shqiptarët shihnin kundërshtarët politikë, ideologjikë, fetarë dhe kombëtarë.

Pas dështimit të komunizmit  si ideologji dhe sistem shoqëror nga viti 1990 të shekulllit të kaluar, shqiptarët në ish-Jugosllavi filluan për të parën herë të shkruajnë lirshëm pa cenzurë për ate që kanë dëgjuar dhe përjetuar  në të kaluarën nën pushtetin e Jugosllavisë së Vjetër por edhe asaj të re pas Luftës së Dytë Botërore.

Në ketë gamë të ngjarjeve nuk ka dilemë se vend të rëndësishëm zë tragjedia e Tivarit, që në popull njihen me emrin Masakra e Tivarit, e ndodhur me 1 prill 1945, të Monopoli i duhanit në qytetin e Tivarit të Ri. Edhe pse për Masakren e Tivarit është ditur e përfolur në popull kanë munguar  studime apo botime të veçanta, sepse trajtimi i temave të tilla ishte me pasoja nga pushteti i kohës.

Por, në rrethana të reja pas vitit 1990  janë botuar artikuj e botime të veçanta qoftë studimore apo te memoareve, kushtuar enkas kësaj masakre. Dhe botimi i parë është  i  përjetuesit të kësaj masakre Azem Hajdini, me titull Tragjedia e Tivarit, botuar në Shtutgard-Gjermani në vitin 1990 dhe botimi i dytë 1998 në Prishtinë. Ky autor më pas boton edhe librin e dytë, Masakra e Tivarit(memoare)  në vitin 1998, në Prishtinë, duke na sjellur dëshmi autentike të përjetuesve të kësaj tragjedie.

Më pas na paraqitet me botim edhe Muhamet Pirraku, Kalvari i shqiptarësisë së KosovësTivari 1945, Prishtinë  1993 dhe botimi i dytë 1994, si dhe Tivari 1945, botuar në vitin  2005, duke sjellur dokumente te proveniencës ushtarake, të deportimit të shqiptarëve të Kosovës në rrugën tragjike drejt Tivarit.

Ndërsa botimeve që trajtojnë  gjenocidin ndaj shqiptarëve në Tivar  i shtohet edhe botimi  më i ri i Uran Butkës, Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar, botuar kohë më parë nga ASD-studio në Tiranë.

Autori Butka është  studiues i njohur i cili deri me tash ka botuar 14 botime të veçanta, duke filluar me librin Ringjallje 1996  dhe ka trajtuar tema interesante dhe te panjohura për opinionin e gjerë. Ai është nder të rrallët që ka trajtuar temat të cilat kanë qenë të ndaluara, qoftë për personalitete apo ngjarje nga e kaluara e popullit tonë. Nder veprat e tija pa dyshim vendin kryesor zenë libri Gjeniu i kombit, kushtuar të madhit Mit hat Frashëri, botuar në vitin 2000 dhe plotësuar e ribotuar në vitin 2006.

Botimet për masakrën e Tivarit ofrojnë  të dhëna faktografike dhe analiza, por edhe dëshmi autentike të atyre qe e kanë përjetuar ketë masakër.Madje dëshmitë e tyre plotësojnë të dhënat arkivore për ketë ngjarje tragjike me përmasa të gjenocidit.Nuk ka dilemë se ngjarja tragjike e Tivarit nuk ishte rastësi por realizim konkret i planeve  të spatrimit etnik të shqiptarëve sipas elaborateve të V. Çubriloviqit, sepse ajo çka nuk u realizu më parë duhej të kryhej me vendosjen e pushtetit të ri të komunisteve.

Masakra e Tivarit nuk ka dilemë se ishte hakmarrje për luftën e zhvilluar me Shaban Polluzhën, vrasjen e Milladin Popoviqit( të vrarë nga vetë serbet), ku qellimi final ishte  spastrimi i Kosovës nga shqiptarët  për ta aneksuar ate me pas sikurse u vendos në mbledhjen e Prizrenit nga data 8-10 korrik 1945 jashtë vullnetit të popullsisë shqiptare të Kosovës.

Por me keqardhje konstatojmë  se ne ketë tragjedi rol negativ  kanë luajtur në Kosovë aradhat partizane të UNÇSH,(nëntor 1944-mars 1945) sepse ata ne vend që ti ndihmonin shqiptarët ata ishin ne anën e serbeve  që i luftonin shqiptarët si reaksionar, edhe pse ata luftonin për liri kombëtare  dhe vetvendosje të Kosovës për bashkim me shtetin amë Shqipërinë.

Nga dokumentacioni i kohës del qartë se  udhëheqja e kohës  në Shqipëri  ishte  hipnotizuar  nga mashtrimet perfide te qarqeve jugosllave duke u venë në shërbim të tyre ne aspektin ideologjik e duke injoruar ate kombëtar. Dhe nga një mashtrim i tillë nga sllavo-komunistët pasojat janë të pranishme edhe në ditët tona.

Vetëm pas prishjes me jugosllavet(1948) në Shqipëri u gjind koka e turkut e ky ishte Koçi Xoxe, dhe  e terë përgjegjësia iu mvesh ati, për terë ketë tradhti që iu bë kosovarëve të cilët u masakruan në Tivar me 1 prill 1945.Dokumentat e publikuara në ketë botim flasin qartë se për ketë masakër kanë pasur njohuri si Enver Hoxha, Ramiz Alia, Gjin Marku, Haxhi Lleshi etj., por kanë heshtur,duke menduar se me heshtje kjo masakër do të harrohet. Po ashtu  përgjegjësi më pak nuk kanë as kuadrat kosovare si Fadil Hoxha, Xhavit Nimani etj., sepse edhe ato me heshtje kanë dashur ta eliminojnë një krim të tillë.

Libri më i ri i Uran Butkës, sjell të dhëna të panjohura arkivore, sepse ka të bëjë me përgjegjësinë e shtetit shqiptar përkatësisht të udhëheqësjes së saj të kohës.Mendoj se ne ketë aspekt ka se çka të hulumtohet me tutje, sepse për këtë gjenocid, ende ka lëndë arkivore të pa papublikuara, andaj mbetet që hulumtimet në ketë aspekt të vazhdojnë. Vetëm ne ketë formë do te kemi mundësi të kemi një dosje të veçantë  për Masakren e Tivarit, e cila do të jetë bazë për të kërkuar  kërkuar përgjegjësi për krime  ndaj qytetarëve të pafajshëm.

Edhe pse kanë kaluar 67 vite  nga kjo ngjarje ende  ka dëshmitarë okular  si në Shkodër,  Anë të Malit e Tivar të cilët dëshmojnë për kalvarin e udhtimit të kosovarëve nga Prizreni në Tivar, vuajtjet, persekutimet  dhe vrasjet gjatë rrugës dhe trajtimin e tyre si rob të luftës.

Ndonse të dhënat për numrin e të vrarëve janë të ndryshme analizat numerike të bëra ndaj eshaloneve të kosovarëve të nisura nga Prizreni për në Tivar qe kaluan nepër territorin e Shqipërisë  dëshmojnë se ai numër nuk mund të jetë më i vogël se 1560 vetë ndërsa mund të shkojë në disa mijëra, qe flet qartë mbi përmasat e këtij krimi,  qe ishte gjenocid i pa parë jashtë opeacioneve luftarake ndaj shqiptarëve të pa armatosur .

Për të mbuluar gjurmet e krimit  deri më  sot nuk ka asnjë varr për këto viktima, dhe as një pllakë përkujtimore, si dëshmi  e këtij gjenocidi, që dëshmon në mënyrë transparente përgjegjësinë direkte te pushtetarëve të kohës në ketë vepër kriminale. Edhe pse ka qenë obligim moral i shtetit shqiptar për të zbardhur të vërtetën e masakrës së Tivarit, një veprim të tillë nuk e kanë berë asnjëherë, sepse kanë pasur përgjegjësi të drejtpërdrejtë, duke marrë parasysh se kosovarët kanë kaluar nëpër territorin e Shqipërisë.

Permes dokumenteve të publikuara ne ketë libër  për të parën  herë del qartë përgjegjësia e shtetit shqiptar, sepse ata qellim final kishin qasjen ideolgjike dhe mbajtjen e pushtetit me çdo çmim, e jo zgjidhjen e çështjes kombëtare sipas parimit të Kartës së Atlantikut.

Një veprim i tillë apsurd nuk mund të arsyetohet më asgjë, sepse ndryshe vepruan shtetet tjera gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke eliminuar padrejtësitë e mëhershme, të imponuara nga të tjerët.

Dhe ka qenë pikërisht momenti që ndaj shqiptarëve të përmirësohet gabimi i vitit 1913, kur gjysma e territoreve  dhe e popullsisë shqiptare mbeti jashtë shtetit shqiptarë, jashtë vullnetit të tyre, si rezultat i konjukturave dhe interesit të Fuqive të Mëdha.

Premtimet e dhëna gjatë Luftës së Dytë Botërore, se do të vendoset me plebishit për të ardhmën e tyre, doli qartë se shqiptarët u mashtruan, ku përgjegjësia përveç në udhëheqjen e shtetit shqiptar, bie edhe mbi aleatet e koalicionit antifashist, ne mos realizimin e të drejtes legjitime të popullit shqiptar për vetëvendosje, ku pasojat janë evidente deri në ditët tona.

Gjatë kohës së diktaturës kjo masakër ka  munguar  ne kalendarin e ngjarjeve historike të popullit shqiptar, andaj një veprim të tillë  apsurd duhet përmirësuar dhe ajo duhet të jetë patjetër e pranishme kudo e sidomos  në librat e shkollave filllore dhe të mesme. Eshtë koha që të shkruhet e vërteta, pavarësisht ngjyrave të  partive ne pushtet, sepse rishkrimi i historisë me argumente është obligim sa profesional aq edhe kombëtar.

 

 

Ulqin,

31 mars 2012                                                                                     Dr. Nail  Draga