Vajzat shqiptare nën dritat e Hollivudit

April 24, 2012   | Lajmet / Vijesti

Në këtë listë të vajzave shqiptare kemi përshirë disa prej tyre, të cilat aktualisht po lakohen në të gjithë botën. Emrat e tyre dhe prejardhja shqiptare po zënë faqet e tabloideve të huaja.
Janë të shumta vajzat shqiptare që me talentin e tyre kanë mundur të trokasin në dyert e famës përtej Atlantikut. Shumë prej tyre e kanë nisur nga Shqipëria, e disa të tjera fati ka bërë që ta nisin larg prej këtu karrierën e tyre. Sot ne mund të krenohemi me to, me faktin që ato po e ngrenë lart emrin e Shqipërisë, me faktin që edhe ne kemi talente të krahasueshme me divat botërore, qofshin këto modele, këngëtare apo aktore. Të bukura, të talentuara dhe me një vullnet të hekurt ato ia kanë dalë.

Në këtë listë të vajzave shqiptare kemi përshirë disa prej tyre, të cilat aktualisht po lakohen në të gjithë botën. Emrat e tyre dhe prejardhja shqiptare po zënë faqet e tabloideve të huaja.

Rita Ora:

E para dhe më e përfolura e momentit është sigurisht këngëtarja Rita Ora. E rritur në Britani, vajza vetëm 22 vjeçe nga Kosova, është prezente në të gjitha faqet e shtypit të huaj. Kjo falë talentit dhe zërit të saj të mrekullueshëm, por edhe falë mbështetjes së madhe që po merr nga labeli i Jay-Z, bashkëshorti i një prej yjeve botëror më të famshëm e të suksesshëm, siç është Beyonce. Rita Ora me këngën e saj “Hot right Now” dhe R.I.P qëndron në krye të klasifikimeve britanike. E megjithatë ajo synon tregun amerikan, e mandej atë botëror.

Pushtimi i Rita Orës është i sigurt. Këtë e tregon më së miri vëmendja e shtypit ndërkombëtar dhe cilësimet e saj si magjia më e re e muzikës Pop-RnB. Madje përkufizimet e gazetës prestigjioze “The Sun”, se Rita është më e magjishme se Rihanna, tregon më qartë forcën e talentit të saj, që sa ka nisur të depërtojë në dyert e botës amerikane të shou-bizit. Ajo që vlen për t’u theksuar tjetër për Ritën është edhe lidhja e saj me vëllain e Kim Kardashian, Rob. Edhe pse këngëtarja ende nuk ka bërë asnjë prononcim lidhur me këtë marrëdhënie, ta pohojë apo mohojë atë, paparacët i kanë fotografuar duke u puthur së bashku në USA, gjatë qëndrimit të Ritës aty.

Eliza Dushku:

Aktorja shqiptare Eliza Dushku vazhdon me sukses projektet e saj në kinematografinë amerikane. E njohur për gjithë publikun shqiptar, sidomos për tatuazhin e saj me shqiponjën dykrenare që ia ka treguar gjithë botës, Eliza është padyshim një nga vajzat shqiptare më të famshme në Hollivud. Së fundmi Eliza Dushku do ta huazojë zërin në filmin e animuar “Hulk” dhe do të luajë për një sezon në serialin “Leap Year”. Aktorja po ashtu ka thënë se nuk do ta ndalë aktivitetin e saj humanitar me fëmijët e traumatizuar nga lufta e Ugandës. Dushku, pasi luajti “Catwoman” në animacionin e filmit të Batmanit, do të paraqitet edhe në një animacion tjetër. Është fjala për animacionin “Hulk and the Agents of S.M.A.SH”, ku ajo do të luajë zërin e “She Hulk”, përderisa lajmin e ka bërë të ditur njëri prej aktorëve të tjerë në këtë film, Adrian Pasdar. Pasdar, i cili ka huazuar zërin edhe te filmat e animuar “Iron Man”, “Ultimate Spider – Man”, ka thënë se bashkë më të do të jetë edhe aktorja shqiptare. Edhe Jeph Loeb nga kompania Marvel ka thënë se kjo seri do të dalë së shpejti në treg, por do të pushohet pak më shumë për shkak të filmit “Avengers”, që pritet të ketë një sukses të pakonsiderueshëm në botë. Kjo seri e filmave vizatimorë me Elizën pritet që të transmetohet në ABC, ka thënë ndër të tjera Jeph Loeb. Por, këto nuk janë të rejat e vetme të Elizës. Aktorja pritet që gatë këtij vit në CV-në e saj të luajë si mysafire në serialin shumë të shikuar “Leap Year”. Sipas producentëve të këtij seriali, Dushku pritet të rishfaqet gati gjatë gjithë sezonit në rolin e June Pepperit, që është një hakere ekscentrike e kompjuterëve, e cila fillon një histori si inxhiniere lidere me kompaninë C3D. Dushku në këtë seri do të paraqitet po ashtu përkrah disa aktorëve të tjerë të njohur si Craig Bierko, Joshua Malina, Julie Warner, Steven Weber dhe ish-kolegia e saj nga seriali Buffy, Emma Caulfield. Paraqitja e parë në sezonin e dytë të “Leap Year” pritet të bëhet më 18 qershor.

Angela Martini:

Bukuroshja shqiptare Angela Martini, e përzgjedhura si një ndër 10 më të mirat në “Miss Universe 2010”, duket se e ka gjetur rrugën e duhur drejt famës. Martini është cilësuar si një nga modelet më të veçanta, falë tipareve të saj mesdhetare dhe formave të lakuara në kufijtë e perfeksionit. Aktualisht Angela po merret me lançimin e linjës së saj të të brendshmeve, ku modelja më e mirë për t’i reklamuar është vetë ajo.

Modelja bukuroshe Martini diti të tërheqë vëmendje e shtypit të huaj me një sërë provokimesh, si përfolja për lidhje me Kanye West, Craig David, apo edhe skandali i saj në “Cfda Fashion Awards”, ku i habiti të gjithë paparacët për shfaqjen e saj me një fustan tepër të hapur dhe pa asgjë poshtë. Të gjitha këto, pa hequr aspak vlerën e bukurisë së saj, e kanë bërë Angelën të jetë një nga modelet shqiptaret më të lakuara të viteve të fundit.

Bleona Qerreti:

Me siguri që të gjithë shqiptarët po presin momentin kur Bleona do të lançojë këngët e saj të reja të punuara në Amerikë në studiot e Timbaland. Ka më shumë se një vit që Bleona Qerreti po përgatit terrenin për suksesin e saj në muzikë. E megjithatë, ajo vazhdon të na befasojë ditë pas dite me të rejat e saj. Në një intervistë të fundit për mediat tona ajo rrëfente miqësinë e saj me Al Pacinon. Por surprizat e saj nuk mbarojnë këtu.

Bleona tani do të provojë tashmë edhe eksperiencën e saj si aktore. Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtarja në faqen zyrtare të saj në Twitter vetëm pak ditë më parë, ku ka shkruar: “Hello Albania, shumë shpejt do të dëgjoni surprizën time të radhës, ku unë luaj në një film që shumicën e kohës flas shqip! Nuk ju them dot më shumë, ju dua shumë, shumë, shumë, god bless Albania!” është shprehur ajo, ndërsa më vonë zbuluam se bëhet fjalë për një film të cilin ajo do ta luajë përkrah një aktori shumë të famshëm hollivudian.

Emine Cunmulaj:

Pa dyshim Emine Cunmulaj është modelja shqiptare më e njohur në botë, status të cilin ajo e ka arritur me shumë punë e përpjekje. Emine Cunmulaj, 27–vjeçare, prej vitesh jeton në SHBA dhe është një nga figurat e njohura të botës së modës. Ajo ka sfiluar në pasarelat e Nju–Jorkut, Parisit, Londrës, Milanos etj. Pak modele kanë pasur rastin të pozojnë për kopertinat e revistave më të njohura botërore, si: “Vogue”, “Elite” dhe “Fashion”, në të cilat shqiptarja Emine ka qenë shpesh në cover. Së fundmi, e larguar disi nga bota e pasarelave, Emine po kërkon suksesin përtej të qenit si modele. Ajo tani i ka hyrë kinematografisë.

Vetëm pak kohë më parë, pikërisht më 25 shkurt në Los Angeles u shfaq premiera e filmit “Virgin Eyes”, me regjisor Roxine Helberg. Në një nga rolet kryesore të këtij filmi e luan shqiptarja Emina Cunmulaj. Filmi është pritur mirë dhe tani ngelet të shohim të rejat e tjera në këtë rrugë të re drejt kinematografisë së Eminesë. A do të arrijë apo jo të ketë po të njëjtin sukses si modele edhe në aktrim këtë vetëm koha do ta tregojë.

1