Filip Vujanoviq zhvillojë një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri me ftesë të Presidentit Topi

May 3, 2012   | Rajoni / Region

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i uroi sot mirëseardhjen në Tiranë Presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç, i cili me ftesë të Kryetarit të Shtetit shqiptar, nisi sot një vizitë zyrtare dyditore në vendin tonë.

Pas ceremonisë solemne të rastit, të mbajtur në Pallatin e Brigadave, me ekzekutimin e himneve kombëtare dhe prezantimin e delegacioneve respektive, dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë. Në përfundim të tij, Presidenti Topi dhe Presidenti malazez Vujanoviç drejtuan bisedimet dypalëshe mes dy delegacioneve zyrtare.

Pritja në Pallatin e Brigadave u mbyll me konferencën e përbashkët për shtyp të dhënë nga Presidenti Topi dhe Presidenti malazez Vujanoviç, në të cilën u rikonfirmua vullneti dhe angazhimi i palëve për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe efikas në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë si dhe realizimi i aspiratës integruese të dy vendeve tona në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të përfaqësuesve të medias.

Presidenti Topi: Përshëndetje përfaqësues të medias!
Jam këtu së bashku me Presidentin e Malit të Zi, Shkëlqesinë e tij, zotin Vujanoviç, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri.

Pak para se të vinim këtu në këtë konferencë për shtyp, sigurisht që diskutuam edhe për datën 3 maj, që në fakt është dita juaj, Dita Ndërkombëtare e Medias. Unë dëshiroj t’ju përgëzoj për këtë ditë! Në fakt nuk është vetëm dita juaj, por është një ditë shumë e rëndësishme për demokracinë, sepse media është e lidhur ngushtë me hapësirën e lirisë. Unë nuk dëshiroj që sot t’i rikthehem klasifikimeve që vijnë nga ‘Freedom House’, sepse në radhë të parë ky është një apel për politikën, por dëshiroj që ju të jeni bashkudhëtarë të demokracisë për të vërtetuar atë që është thënë gjithmonë në teorinë politike, që media ka një detyrim kushtetues për të qenë përçues i vërtetë i realitetit. Kështu që urimet më të mira për këtë ditë dhe ju falënderoj që jeni të pranishëm sot këtu!

Unë sot kam nderin që të vlerësoj edhe njëherë publikisht rolin e Presidentit Vujanoviç në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe një rol të jashtëzakonshëm konstruktiv të Presidentit Vujanoviç në rajonin tonë. Këtë e kam konstatuar në një periudhë 5-vjeçare të bashkëpunimit dhe kjo marrëdhënie e shkëlqyer në të gjitha fushat u konstatua sërish, edhe sot në bisedimet midis nesh. Kemi diskutuar për çështje të ndryshme të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, për dialogun politik i cili është në nivelin më të lartë, nevojën për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, kulturor, për vazhdimin e punëve për përmirësimin e infrastrukturës që do të bënte të mundur mundësinë e lidhjes në shumë pika të dy vendeve tona, për sfidën e përbashkët të integrimit në Bashkimin Evropian.

Shqipëria mbështet fort anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Në fakt, ky bashkëpunim është i dukshëm në kuadrin e Kartës së Adriatikut A5. Na vjen shumë mirë që Mali i Zi është në prag të hapjes së negociatave për anëtarësim. E sigurova Presidentin Vujanoviç se edhe Shqipëria është në rrugë të mbarë në këtë drejtim. Dëshiroj të vlerësoj edhe njëherë predispozicionin e lartë të Presidentit Vujanoviç për të qenë pjesë e takimit të katër presidentëve të rajonit, ku për herë të parë në qershor të vitit 2009, ky takim i organizuar në Vlorë, u bë e mundur që të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Kosovës. Këto takime tashmë janë kthyer në një ritual, ku ne diskutojmë midis nesh për cështjet e marrëdhënieve bilaterale, por dhe rajonale. Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm moderator në rajon. Unë e informova Presidentin Vujanoviç rreth vizitës zyrtare të bërë pak ditë më parë në Maqedoni. Dhe jemi në të njëjtën linjë që edhe kontributi i Presidentit Ivanov, i Presidentes Jahjaga, është i tillë që bën të mundur një klimë shumë të mirë bashkëpunimi në rajon. Modeli i bashkërendimit të administrimit të pikave kufitare doganore është një shembull në rajon. Lëvizjet vetëm me kartë identiteti tashmë janë bërë një realitet që po zhvillohet në rajon. Kemi diskutuar për projekte infrastrukturore, qoftë të rrugëve që shkojnë në drejtim të Ulqinit, por edhe për rrugën që lidh Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi nëpërmjet ‘Bjeshkëve të Nemuna’. Kemi diskutuar rreth nevojës së intensifikimit të bashkëpunimit për luftimin e trafiqeve, krimit të organizuar. Kemi vlerësuar që faktori shqiptar në Mal të Zi dhe pakicat malazeze në Shqipëri janë një urë lidhëse e kësaj miqësie. Me Presidentin Vujanoviç kemi ndarë një lloj preokupacioni për çështjen e statusit të Komunës së Tuzit, por duket qartë predispozicioni që të shikohet nëpërmjet një dialogu demokratik me qeverinë e Malit të Zi sipas Kushtetutës dhe besoj që gjithçka do të shkojë në rrugën e duhur.

Edhe njëherë dëshiroj ta falënderoj Presidentin Vujanoviç për vizitën e tij dhe t’i uroj atij shëndet dhe popullit të Malit të Zi prosperitet!

Presidenti Vujanoviç: I nderuar President i Republikës së Shqipërisë, zoti Bamir Topi,
Të nderuar zonja e zotërinj!

Dua edhe njëherë t’ju falënderoj për ftesën që më keni bërë! Dua të shpreh kënaqësinë dhe mirënjohjen time për këtë pritje të përzemërt, që në fakt tregon një kontinuitet të takimeve tona dhe të bashkëpunimit tonë. Takimet tona të shumta gjithmonë si mision kishin përçimin e mesazhit vendeve të rajonit për nevojën e afrimit të vendeve, të përmirësimit të komunikimit me qytetarët, por edhe të bashkëpunimit më të mirë ekonomik të dy vendeve.

Dua të falënderoj Presidentin Topi për kontributin e madh në përmirësimin e avancimin e marrëdhënieve tona. Duke bërë një rikapitulim të të gjitha marrëdhënieve në pesë vitet e fundit, kemi konstatuar se në të gjitha fushat ato janë më të mira dhe janë çuar në nivelin më të lartë, dhe se e ardhmja na obligon që këto marrëdhënie të vazhdojnë dhe të çohen edhe në fushën ekonomike. Sigurisht që këtu në këtë rrugë, rol të rëndësishëm luajnë dhe mediat, të cilat i uroj në Ditën e tyre, duke vlerësuar misionin e tyre të informimit, të hulumtimit, si një mision shumë të rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë!

Duke folur për marrëdhëniet bilaterale me Presidentin Topi, kemi konstatuar se ekzistojnë shumë kontrata ndërshtetërore, që unë do t’i ndaja në dy grupe të rëndësishme. Ne i kemi nënshkruar pothuajse të gjitha kontratat në fushën e bashkëpunimit policor dhe kemi mundësuar e siguruar që dy policitë tona të bashkëpunojnë në mënyrë të shkëlqyer dhe shembullore. Kjo është shumë e rëndësishme për bashkëpunim dhe për tejkalimin e fenomeneve siç janë trafikimi, kontrabanda, krimi i organizuar dhe terrorizmi. Por është e rëndësishme edhe si afirmim i sigurisë kombëtare dhe personale të qytetarëve tanë. Marrëveshje të tjera do të ishin dhe marrëveshjet e nënshkruara në fushën e mbrojtjes. Dhe me të vërtetë, dy Ministritë tona të Mbrojtjes dhe dy ushtritë tona kanë një bashkëpunim të shkëlqyer si bilateral, ashtu edhe rajonal, por edhe më gjerë, gjë që mendoj se është një rekomandim i rëndësishëm për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, gjë që Shqipëria e mbështet fort në mënyrë të përzemërt. Ashtu si edhe ne mbështesim hapat e Shqipërisë drejt integrimit evropian në marrjen e statusit të kandidatit dhe hapjes së negociatave. Suksesi i Shqipërisë për vete është edhe suksesi rajonal dhe ne jemi shumë të gëzuar që për vend fqinj kemi Shqipërinë dhe jemi të gatshëm, dhe i jemi mirënjohës për mbështetjen që na japin drejt NATO-s, por ne jemi të gatshëm që në rrugën e integrimit evropian t’i ndajmë eksperiencat tona.

Për sa i përket bashkëpunimit ekonomik, suksesi është i dukshëm. Ne kemi përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe bashkëpunimin turistik. Në fushën e infrastrukturës rrugore dua të përmend rrugën mes Plavës dhe Podgoricës, e cila në pjesën më të madhe kalon nëpër territorin e Shqipërisë, që zvogëlon distancën mes veriut dhe jugut të Malit të Zi, nga 200 kilometrat aktualë, në 70 kilometra. Këto janë akse rrugore me një rëndësi kapitale për ne, që kanë rëndësinë e vet edhe për lirshmëri më të mirë me Kosovën. Kemi përmirësuar aksin rrugor në afërsi të pikave kufitare dhe ky është viti i zhvillimit të pikave të kalimit me vendet e Shqipërisë. Gjithnjë e më e mirë është edhe cilësia e bashkëpunimit në fushën e turizmit. Gjithnjë e më i madh është dhe shkëmbimi i grupeve turistike dhe gjithnjë e më e madhe është edhe mundësia që ofertën tonë turistike që është kompatibël, ta prezantojmë edhe jashtë vendeve tona. Kemi mundësinë që t’i ripromovojmë në fakt lidhjet detare mes Durrësit dhe Tivarit, si dhe lidhjet me liqenin mes Shkodrës dhe qytetit të Virit.

Dy pakicat tona në vendet respektive i përjetojmë si një urë bashkëpunimi dhe në të vërtetë statusi i tyre i mirë është një konfirmim i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve tona.

Unë, mikut tim, Presidentit Topi i uroj suksese në jetën personale dhe profesionale! Gjithashtu, qytetarëve të Shqipërisë u uroj prosperitet në të gjitha fushat!

Pyetje: Do të merrni pjesë në Samitin e Ukrainës duke pasur parasysh dhe qëndrimin e Presidentëve të vendeve të tjera për bojkot?

 

Pyetje: Një pyetje për të dy Presidentët, veçanërisht për zotin Topi. Kohët e fundit zoti President, ju keni zhvilluar takime me krerët e vendeve të rajonit. Si mund të përkthehet kjo për shqiptarët që jetojnë atje, ndoshta do të ketë një raport të veçantë apo po përpiqeni të vendosni një raport të veçantë me shqiptarët dhe cili është roli juaj me shqiptarët e vendeve të rajonit?

Ndoshta e njëjta gjë edhe për Presidentin malazez. Si e vlerësoni kontributin e Kreut të Shtetit shqiptar në raport me shqiptarët?

Presidenti Topi : Së pari do të thoja që, unë nuk jam personaliteti i vetëm që lëviz në rajonin tonë sepse tasmë filozofia e bashkëpunimit në rajon është evidente tek çdo lider politik dhe çdo njeriu që mbulon një karrike të caktuar institucionale. Pra këto lëvizje nuk bëhen thjesht në bazën e një vullneti personal por janë vullnete institucionale. Kur themi që, Shqipëria po luan një rol të moderuar në rajon, kemi parasysh jo rolin e një individi me emër e mbiemër, por kemi rolin e institucioneve të Shqipërisë dhe kjo po bëhet në të gjitha nivelet. Unë do të dëshiroja të ritheksoja nevojën e intensifikimit të këtyre vizitave reciproke në rajon, pra në të gjitha vendet e rajonit, sepse duke pasur një dialog politik në nivel më të lartë këto marrëdhënie jo vetëm relaksohen por besoj janë një predispozitë e qartë që shoqëritë tona të ndjejnë këtë lloj klime bashkëpunimi. Ju bëtë një pyetje të drejtëpërdrejtë për faktorin shqiptar, unë besoj që është një moment shumë i rëndësishëm për ta theksuar që Shqipëria rrethohet nga vende, të cilat padyshim kanë shqiptarë. Ka shqiptarë në Mal të Zi, në Kosovë, në Maqedoni, në Greqi dhe, në rast se ne themi që politika ka pasur sukses në marrëdhëniet në rajon, jo vetëm që s’duhet të harrojmë, por duhet ta theksojmë me forcë që një meritë të jashtëzakonshme kanë shqiptarët që jetojnë në terren, që kanë qenë një faktor shumë i rëndësishëm i përmirësimit të marrëdhënieve me popujt e tjerë që jetojnë në rajon. Kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë popujt që jetojnë në një rajon të traumatizuar deri rreth 10 vite më parë dhe përfytyroni që në 10 vjet kjo hapësirë ka ndryshuar në mënyrë të jashtëzakonshme.

Me Presidentin Vujanoviç unë mund të jem takuar me dhjetëra herë. Do të thoni juve në çmënyrë; në takime rajonale, në takime ndërkombëtare, në takime bilaterale dhe kjo ka ndodhur dhe me Presidentët e tjerë të rajonit dhe padyshim që në qendër të vëmendjes është ruajtja dhe forcimi i marrëdhënieve dhe interesi i popujve tanë dhe kjo është parë dhe në vizitën në Maqedoni ku unë kam kërkuar që të zbatohet me rigorozitet ‘Marrëveshja e Ohrit’ e vitit 2001. Kur kemi diskutuar për Kosovën dhe vazhdojmë të diskutojmë për Kosovën kemi parë me shqetësim interferenca të serbëve në Veriun e Kosovës. Pra, edhe me Presidentin Vujanoviç kemi diskutuar që këto vatra të izoluara natyrisht do të vijnë duke u sfumuar, sepse klima e përgjithshme është që vendet e rajonit ballkanik janë vende që kanë perspektivën e tyre të padiskutueshme në BE dhe filozofia e integrimit është totalisht e ndryshme nga filozofia ultranacionaliste e izolimit.

Presidenti Vujanoviç: Unë ndaj mendimin që, edhe njëherë i shpreh Presidentit Topi që pakicat kombëtare janë urë e bashkëpunimit mes vendeve. Ne në Mal të Zi jemi krenar që të gjitha pakicave duke përfshirë këtu edhe ato shqiptare, u kemi mundësuar plotësisht implementimin e të gjitha të drejtave të tyre të pakicave në të gjitha fushat e funksionimit. Ne jemi shumë krenarë që pakicat shqiptare u kemi mundësuar që arsimin si atë fillestar, të mesëm deri në atë universitar të mund ta përfundojnë në gjuhën shqipe kështu që iu mundëson rritjen e cilësisë së jetës së përditshme. U kemi siguruar edhe përfshirje të gjerë në të gjithë llojet e mediave, gjë që mundëson informimin dhe përfshirjen e tyre të gjerë. Kemi siguruar edhe ruajtjen e identitetit të plotë shqiptar në Mal të Zi. Më duhet të them që, shumë të freskëta i kam kujtimet e veprimtarisë së zotit Topi dhe timen për një manifestim të jashtëzakonshëm në Ulqin që promovon krijimtarinë në fushën e letërsisë në një panair të bukur, të shkëlqyer të librave, i cili zhvillohet çdo vit ku më së miri shprehet shumëllojshmëria e krijimtarisë letrare dhe shkëmbehen eksperiencat në këtë fushë, gjë që tregon se kufijtë nuk janë aty për t’i ndarë njerëzit. Qytetarët e Malit të Zi që janë shqiptarë janë qytetarë lojal të shtetit të Malit të Zi dhe Mali i Zi është i obliguar që t’i ofrojë të gjitha gjërat që janë në favor të ruajtjes së identitetit të tyre. Dua të shfrytëzoj edhe këtë rast që të falënderoj Presidentin Topi dhe Kryeministrin Sali Berisha dhe Ministrin e Jashtëm, zotin Haxhinasto të cilët me vizitat e tyre kanë shprehur miqësinë ndaj shtetit të Malit të Zi. Ne gjithashtu i vlerësojmë lart të gjtha përpjekjet e popullsisë së Republikës së Shqipërisë në ruajtjen e vlerave të pakicës malazeze. Ata janë pakicë në Republikës e Shqipërisë, por gjithashtu janë qytetarë luajal ndaj Shqipërisë me aspirata dhe ambicie që ta ruajnë identitetin e tyre kulturor. Kjo gjithashtu do të jetë një konstant në marrëdhëniet rajonale siç ka thënë zoti Topi, sepse në këtë mënyrë krijohet harmonia marrëdhëniet rajonale dhe tregojnë veten në proceset integruese.

Prezidenca