Hana Cakuli – Beqaresha e Ulqinit

May 6, 2012   | Lajmet / Vijesti

Nga Ardian Jasiqi

Këngëtarja, tani edhe prezantuesja Hana Cakuli, në një bisedë për Express ka thënë se pos emisionit të saj “Kubi Kuzinë”, është duke u përgatitur edhe për këngë të reja. Ajo po ashtu ka treguar se vazhdon të jetë “beqare” dhe nuk do të marrë pjesë nëpër festivale.

E njohur për disa hite në Kosovë dhe në Shqipëri, këngëtarja dhe prezantuesja Hana Cakuli në një bisedë për Express ka paralajmëruar se gjatë këtij viti, pos prezantimit të emisionit “Kubi Kuzinë”, do të sjellë edhe këngë të reja.

Për sa i përket befasisë si një prezantuese e një emisioni, sidomos për kuzhinën, Hana ka thënë se e tëra kishte ardhur rastësisht, kur ajo qëndronte duke pirë kafe tek “Kafet e vogla” në Prishtinë.

“Isha duke pirë kafe tek Kafet e Vogla me kolegët e mi të Odës Amerikane dhe më telefonoi Fis Vejsa. Sapo kishte përfunduar ‘Shpia e Kosovës’ dhe u habita që po më thërriste mua si prezantuese. Ai më tha se bashkë me regjisorin Genc Dobroshi dëshironin që unë të jem moderatore e emisionit”, thotë Hana për Express.

Për të kjo ishte një befasi e mirë, aq më tepër kur ajo nuk kishte punuar më herët në televizion.

“Si duket ata e kishin vërejtur nga intervistat e mia këtë aftësi timen”, thotë ajo.

Por, puna e prezantimit tashmë po i pëlqen shumë këngëtares dhe thotë se ka provuar që të fillojë prezantim edhe në formate të spektaklit dhe jo vetëm të një emisioni.

“Këtë e kam bërë në qytetin tim, në Ulqin, ku kam prezantuar në Sallën e Kulturës, por edhe në disa ngjarje të vogla me karakter të spektaklit”.

Megjithatë, Hana si prezantuese ishte paraqitur që në moshën 13 vjeçare në Radio Elita në Ulqin, por prezantimi dhe “Kubi Kuzinë” nuk do të jenë risitë e vetme të Hanës në 2012.

Ajo është duke u përgatitur për projekte të reja edhe në muzikë.

“Jam në fillim të projektit. Kam filluar negociatat me producentë dhe muzikantë të ndryshëm që të sjell diçka për gjithë publikun. Nuk po e zbuloj tani. Dua që të mbetet një surprizë e bukur dhe që publiku ta kuptojë vetëm kur gjithçka të jetë gati :)”, thotë Hana.

Ndërkaq, edhe sa i përket statusit të saj, Hana është beqare, edhe pse në këtë pyetje ajo përgjigjet shumë shkurt, duke thënë: “Jam ‘single’”.

Përderisa punon në një emision për kuzhinën, Hana ka edhe preferencat e saj sa i përket ushqimit.

“Kuzhina ime e preferuar është ajo kineze. Ushqimi kinez që e dua më së shumti është mishi me sosin e ëmbël dhe të thartë (mish pule, peshku apo gjela të detit). E adhuroj këtë kombinim”, shprehet Hana.

Hana thotë se nuk mungon edhe dieta, përderisa u ik ushqimeve nga brumi.

“Mbaj nganjëherë dietë, por jo ndonjë dietë strikte. Mundohem t’i iki brumërave dhe çokollatave, të cilat i dua shumë – edhe të pi sa më shumë ujë dhe asgjë tjetër përveç ujit”.

Sa u përket festivaleve, këngëtarja thotë se ka vendosur që të pushojë nga ata.

“Jo. Kam vendosur për një kohë të merrem me lansimet e mia individuale, pa u promovuar në ndonjë festival. Mendoj se publiku më ka parë mjaft nëpër festivale dhe është koha që të sjell diçka ndryshe. Dikur më vonë do t’i rikthehem festivaleve”, ka thënë në fund të bisedës këngëtarja ulqinake, e cila veprimtarinë e saj e zhvillon në Prishtinë.

Gazeta Express
YouTube Preview Image

6