Rindërtimi i xhamisë së Detarëve në Ulqin pas 77 vitesh

May 27, 2012   | Ngjarjet - Events

Pas 5 vitesh rreth përgatitjes së dokumentacionit, më në fund, të enjten, më 03.04.2008., u vu gurthemeli me të cilën zyrtarisht filloi rindërtimi i xhamisë në lagjen e Ranës në Ulqin. Pas një konsultimi me gjuhëtarët tanë, ndër të cilët ishte Dr. Ruzhdi Ushaku, u muar qëndrimi që kjo – për krenarinë tonë – të mbajë emrin XHAMIA E DETARËVE, me çka hiqet nga përdorimi termini i përdorur më herët “e Marinarëve”. Kjo xhami me dhunë është rrëzuar në vitin 1931, dhe pas 77 vitesh përsëri i gëzon besimtarët e këtij qyteti. Në orën 9:00, në prezencën e gjashtë imamëve, Musa Lamoja theri dy desh, me mishin e të cilëve u gostitën musafirët e ftuar. Këtë tubim madhështor, në prezencën e më se 1000 qytetarëve, e hapi Mirsad ef. Muçaj me leximin e një ashereje. Fjalën hyrëse e mbajti kryetari i K.B.I. z. Latif – Avdo Gorana, ndërsa fjalët përshëndetëse të radhës i patën reisi i Bashkësisë Islame Rifat ef. Fejziqi dhe pas tij kryetari i komunës së Ulqinit z. Gëzim Hajdinaga.

Për disa çaste të një kënaqësie shpirtërore u kujdes Safet ef. Resulbegu i cili këndoi dy ilahi, ku njëra ishte enkas e dedikuar rindërtimit të kësaj xhamie. Këto dy ilaçi u përcjellën me një salavat të kënduar nga ana e të gjithë imamëve të pranishëm. Pas kësaj, reisi dhe kryetari i komunës u afruan te themelet dhe, me hedhjen e disa lopatave me beton, hapën ceremoninë e vënies së gurthemelit, ndërkohë që muftiu Jusuf ef. Gjokaj bëri duanë. Pas kësaj të gjithë të pranishmit vazhduan shoqërimin e tyre duke u gostitur me ushqime të llojllojshme të pregaditura nga duart e vyeshme të nënave ulqinake. Në tubim ishin prezent pothuajse të gjithë imamët e këshillit të Bashkësisë Islame të Ulqinit, disa kryeimamë e kryetarë të Këshillave tjerë, imamë dhe mysafirë nga Shkodra si dhe prijësi i kishës ortodokse. Poashtu, prezent ishin edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal. Konferencierë i gjithë këti programi ishte Suad ef. Ukoshata. Pas kësaj, për musafirët e ftuar u shtrua një drekë solemne në restorantin Dvori Ballshiqa dhe Montana 2000.

Tubimin e përcollën edhe përfaqësuesit e medieve lokale, radio dhe televizive, si edhe gazetarë të shumtë, të cilët në terminët e caktuara njoftuan opinionin e gjerë për këtë ngjarje madhështore. Falënderim i veçantë në mbarëvajtjen e tubimit i takon edhe policisë dhe punëtorëve të ndërmarrjes komunale, për rendin që mbajtën. Duhet të theksohet fakti se menjëherë në hapat e para të fillimit të rindërtimit të saj, nuk munguan kontributet e qytetarëve, e të cilët shpresojmë që nuk do të stagnojnë deri me përfundimin e ndërtimit të saj. Punët rreth saj do vazhdojnë derisa të jetë i lejuar ndërtimi, në sajë të rregullit të Sekretariatit për urbanizëm, para fillimit të sezonit turistik, dhe do vazhdohet pas tij.
Suad Ukoshata