Mustafa Canka intelektual që me vështrimet e tija ngjallë debate dhe polemika në Ulqin

June 19, 2012   | Opinione

Mustafa Canka është një publicist që shfaq dashuri të veçantë për qytetin e tij dhe njerëzit që jetojnë në të. Canka preokupohet gjithnjë me situatën , e cila manifestohet në çdo fushë të jetës që shpeshherë përcakton fatin e individit.

I tillë paraqitet në librin “Qyteti-komente” ku siç vëren kritiku i njohur Andrej Nikolaidis “Canka skicon rrugën e fatit të çdo qytetari, të çdo bashkësie, e të çdo njeriu.” Si i tillë ai ka një dëshirë të vazhdueshme ta përcaktojë qytetërimin e vendlindjes së tij, për të parë nga vjen, ku gjendet dhe ku do shkohet.

Qasja e tij prej një publicisti me vështrime filozofiko-sociologjike të shtjelluara në veprën e parë, Canka shfaqet me ambiciet e një kërkuesi dhe hulumtuesi. Ai qytetin e lindjes e vështron në një periudhë të njohur historike atë të Perandorisë Osmane. Autori këtë periudhë treshekullore e trajton në disa plane duke nxjerrë në pah veçori kontradiktore dhe pak të njohura në historiografinë për  lqinin.

Është kjo një periudhë specifike ku sipas autorit “ është e pranishme toleranca fetare, tregtia e lirë, liria e  mendimit etj. Canka vë në dukje “freskinë e përbërjes etnike” e cila i dha impuls të fuqishëm zhvillimit ekonomik dhe urbanizmit të qytetit. Ai thekson privilegjet shoqërore, fiskale dhe politike të qytetit. Sistemi i privilegjeve të gjëra që i fituan banorët e Ulqinit me të gjitha obligimet që dilnin nga kjo, bënte bazën materiale për ekzistencën e tyre. Me këto të dhëna Canka u bën sfidë pikëpamjeve të disa historianëve tek të cilët ende mbetet mollë sherri mënyra e përhapjes së fesë islame: a u përhap me forcë apo është pasojë e dëshirës, ashtu siç iu bën sfidë atyre mendimtarëve të cilët theksojnë se dëshira për ta ruajtur identitetin kombëtar mund të ketë favorizuar fenë e Kuranit në Shqipëri.

Sidoqoftë, sprovat e Mustafa Cankës janë të guximshme dhe shumëdimensionale. Ai ndjek qasje tjetër të hulumtimit që janë mjaft të veçanta dhe i thyejnë klishetë e krijuara nëpër tekstet shkollore dhe në disa vepra artistike.

Mustafa Canka si një intelektual i mirëfilltë ka për qëllim që me vështrimet e tij të ngjallë debate dhe polemika. Kjo është një gjë shumë e mirë dhe e pranueshme pasi tek ne historia konsiderohej si mit i paprekshëm që vazhdimisht gjendet në shërbim të politikave dhe të ideologjive të caktuara.

Dihet se nga kjo periudhë e deri në renien e Perandorisë Osmane, shqiptarët jo vetëm që ishin nën administrimin e saj, por ata dhanë kontributin e tyre për ngritjen e Perandorisë në nivele më të larta gjë që dëshmon numri i madh i tyre si kryeministra (mbi 30),por që asnjëherë nuk e harruan emrin he identitetin e tyre shqiptar. Janë të njohura kontributet e tyre në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe është ky një shembull që tregon se si mund dhe duhet të ruhet identiteti kombëtar.

Në këtë kuadër duhet të kuptohet edhe roli i Ulqinit dhe ulqinakëve gjatë Perandorisë Osmane, të cilin Mustafa Canka e trajton në një mënyrë shumë interesante.

 

Ali Salaj
Koha Javore