Themelohet Lidhja Mbarëshqiptare e Forumeve Rinore – UDSH-ja rinore anëtare

June 19, 2012   | Shoqëria / Društvo

Më datë, 9 Qershor 2012, në Prizren, forumet rinorë të partive politike shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, formuan Lidhjen Mbarëshqiptare të Forumeve Rinore.

Ideja e Lidhjes Mbarëshqiptare të Forumeve Rinorë lindi pikërisht në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Të frymëzuar nga ky jubile kaq i rëndësishëm për të gjithë, shprehem dëshirën dhe vullnetin që të jemi sa më të bashkuar dhe njëkohësisht të kemi sa më shumë bashkëpunime, pavarësisht idealeve politike qe kemi çdo njeri nga ne.

Takimi i pare u mbajt në Shkup, ku përfaqësuesit e forumeve rinore shkëmbyen mendime dhe plane te mëtejshme, qe vijon me takimin e dytë, të mbajtur në Prishtinë.
Takimi i tretë u mbajt në Ulqin, ku u arrit marrëveshja përfundimtare , që nënshkrimi i Lidhjes Mbarëshqiptare të Forumeve Rinore të mbahet pikërisht në Prizren, me 9 qershor, në 134 vjetorin e Lidhjes se Prizrenit.

Nënshkrimit të deklaratës i parapriu pritja në Shtëpinë e Bardhë nga Kryetari i Komunës se Prizrenit, Prof.dr. Ramadan Bajra dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Memli Krasniqi.

Për te gjithë te rinjët shqiptarë që ishin prezent, ky takim ishte një eksperiencë dhe emocion i mrekullueshëm, posaçërisht për vetë faktin qe te gjithë na bashkon një dashuri e madhe, ajo për kombin tonë Shqiptar.

Firmosja e deklaratës u mbajt ne Muzeun e Lidhjes se Prizrenit nga një përfaqësues i çdo Forumit Rinorë.
Forumi Rinor i UDSH-së kishte katër përfaqësues, Luljeta Sefa, e cila firmosi deklaratën në fjalë, Anita Nikaj, Gazmond Kaleziqi, si dhe Agon Hasa.

Me date 10 Qershor 2012, pjesëmarrësit e të gjitha Forumeve Rinore ishin pjesëmarrës në evenimentin e organizuar në nder te 134- vjetorit te Lidhjes së Prizrenit, manifestim i cili ishte organizuar në mënyre madhështore.

Festimin e këtij përvjetori e benë dhe më të veçantë prezenca e shumë zyrtarëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Vlen të përmendet prezenca e Kryeministrit te Shqipërisë, z. Sali Berisha, Kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit te Kosovës, z. Jakup Krasniqi, Zëvendëskryeministri i Kosovës, z. Behxhet Pacolli dhe shumë të tjerë.