Ali Salaj: Filmi kosovar ne kerkim te identitetit

June 30, 2012   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti

Me rastin e Javës së Filmit Kosovar në Ulqin
Në kërkim të identitetit

Tradita e pakët e filmit kosovar e sidomos numri i vogël i filmave të xhiruar, nuk ofrojnë mundësi për të krijuar një tipologji të përshtatshme për këtë kinematografi, por mund të gjejmë drejtime, rrjedha ose tendenca ideore dhe stilistike, të cilat paraqiten më shpesh në forma të sinkretizuara. Edhe pse tradita në film nuk është çdoherë vendimtare, sepse siç thotë historiani i njohur i filmit Andre Bazeni “periudha pesëvjeçare në film është e barabartë me periudhën e një gjenerate në letërsi”, megjithatë, xhirimi i pakët i filmave në Kosovë ishte pasojë e kushteve të vështira materiale, jo vetëm në aspektin financiar por edhe në atë teknologjik. Kësisoj, zhvillimi i ngadalshëm dhe i vonuar i kinematografisë ka ndikuar që ajo të mbesë në periferi të kinematografisë në rajon dhe e kufizuar në aspektin e gjuhës filmike sepse me një film të xhiruar në çdo dy vjet, asnjë regjisor nuk ka patur guximin dhe lirinë të performojë qasje origjinale dhe eksperimentale. Në këtë kuadër ka ndikuar shumë censura dhe autocensura që e paralizuan krijuesin duke lënë plagë të theksuara në kinematografinë kosovare. Për këtë arsye, në kinematografinë kosovare nuk hasim drejtime, faza apo trende, siç i kanë kinematografitë e zhvilluara në vendet e tjera, siç janë: “Vala e re” (Francë), “Filmi i lirë” (Angli), “Neorealizmi” (Itali) etj.
Kinematografia e mirëfilltë kosovare fillon me filmat “Kur pranvera vonohet” dhe “ Gjurmë të bardha” të Ekrem Kryeziut, ku hetohet kërkimi poetik i regjisorit drejt krijimeve më të avancuara filmike. Edhe pse me një gjuhë konvencionale të realizmit, Kryeziu krijoi një zë autokton, origjinal dhe të veçantë, pa u bërë rob i folklorizmit. Mirëpo, disa filma në vazhdim nuk e ruajnë përvojën e krijuar, por përkundrazi kufizohen në ide dhe shprehje të njëtrajtshme.
Një etapë e re në kinematografinë kosovare fillon me filmin “Njeriu prej dheu” të Agim Sopit, për të vazhduar me një gjuhë edhe më të fuqishme me “Prokën” dhe “Rojet e mjegullës” të Isa Qosjes, si dhe “Era e mollës” të Emin Halilit. Në këto filma thellohet nënteksti, kristalizohen figurat, metafora, simboli dhe në përgjithësi shprehja meditative. Në këto filma personazhi nxirret nga forma sinoptike për t’u thelluar në botën e tij psikologjike dhe emocionale. Këto filma patën një ndikim te shikuesi tradicional duke e edukuar atë për një vrojtim dhe komunikim të ri. Edhe në aspektin stilistik dhe teknologjik, këto vepra filmike ndërtohen bukur dhe në mënyrë origjinale, siç është përpunimi i kuadrit, lëvizjet e kamerës, loja e aktorëve, linja e narracionit etj.
Me administrimin e dhunshëm të “Kosovafilmit” nga pushteti serb, filmi kosovar, si çdo veprimtari tjetër, veproi në ilegalitet. Në këtë periudhë dominoi filmi amator që nuk i përmbushte as kriteret më elementare të një vepre kinematografike. Kjo periudhë vazhdoi deri me çlirimin e Kosovës, ku filmit iu kthyen disa regjisorë të njohur (Isa Qosja, Agim Sopi), por u paraqiten edhe regjisorë të rinj që sollën një freski në kinematografinë kosovare (Blerta Zeqiri, Jeton Ahmetaj, Bledar Bujupi) etj. Megjithatë, kinematografia kosovare mbetet gjithnjë në kërkim të identitetit të vet.

Ali Salaj